EmailFacebookKontakt
Lajme

Kisha e rrënuar e Kryeengjëjve në fshatin Dragot në Dumre

22/11/2025

Rreth 18 minuta udhëtim me makinë në jug të Belshit, pranë aksit rrugor Belsh – Kuçovë, gjenden rrënojat e një kishe në fshatin Dragot Dumre. 
Këtë tempull të krishterë orthodhoks na e përshkroi z. Fatos Zdrava, ish i përndjekur politik në kohën e komunizmit, njëherësh edhe koleksionist i fotove dhe dokumentave historike. Në intervistën që rregjistruam në Nëntor të 2025 për serialin “Gjurmë të Krishtera” ku për fokus bashkë me arkeologun Dr. Niko Ferro kishim evidentimin e kishave rrënojë të Kosovës së Madhe në Lushnje; z. Fatos Zdrava na dëshmoi edhe për kishën orthodhokse në Dragot, të cilën ai e mban mend që nga fëmijëria e tij. 
– A ka patur kishë tjetër rreth Kosovës së Madhe të Lushnjes, që ju mund të keni dëgjuar ose mund ta keni vizituar në ato vite. 
– Po, kishë ka patur në Dumre. Kisha e Dragotit.
– Në Dragot të Dumresë?
– Po, të Dumresë.
– E mbani mend si kishë?
– E mbaj mend si kishë. Kishte pemë, selvi, varreza. Atë e mbaj mend deri në vitet 60’-64’, … se vija në Dumre ngaqë kishim njerëzit tanë dhe vija shpesh. Më merrni me vete atëhere si fëmijë që isha. Në Dragot ka qenë një motër e gjyshes sime dhe atje pranë ishte edhe kisha, një kishë e ruajtur mirë, e mirëmbajtur dhe e kufizuar. Ishte me gardhë, kishte edhe varreza. Ne ishim të internuar në Vlashuk dhe vinim shpesh tek e motra e gjyshes, në Dragot. Ka qenë një kishë shumë madhështore ajo e Dragotit.” 
Një tjetër e dhënë e rëndësishme mbi ekzistencën e kësaj kishe dhe emrit të saj na jep Theofan Popa në veprën e tij: “Mbishkrime të Kishave të Shqipërisë” në faqen 110 lexojmë:
“Ungjilli i kishës se Taksiarkëve (kryeengjëjve) që është më Lindje 1786.
Mbishkrimi gjendet i gravuar mbi kapakët e një ungjilli me pjesë prej argjendi, që ndodhet në kishën e Ungjillëzimit, në Kozarë të Beratit. Ka shumë të ngjarë, që ky ungjill të jetë i kishës së Shën Mërisë së Dragotit (Dumre), që ndodhet 4 km në lindje të Kozarës e që duhet t’i ketë qenë kushtuar “Mbledhjes së Kryeengjëjve” dhe jo “Shën Mërisë”, sikurse konsiderohet sot. E me të vërtetë në ikonastasin e kishës së Dragotit, në vendin e ikonës së festës së kishës ndodhet një ikonë e “Mbledhjes së Kryeengjëjve”  dhe jo “Shën Mërisë”. Në mbështetje të kësaj teze duhen konsideruar edhe data e ndërtimit të kishës, 1782 (mbishkrimi nr. 41) dhe datat e ikonave e të ikonostasit 1785 (mbishkrimi nr. 42, 43), që janë të afërta me atë të ungjillit. Kalimi i ungjillit nga kisha e Dragotit në anë të Kozarës mund të jetë bërë nga kujdestarët e kishës, ka shumë të ngjarë mbas zhveshjes së katundit Dragot nga popullsia e krishtere.”
Në vizitën që bëmë në fshatin Dragot Dumre, banorët e pakët që takuam na pritën me respekt, duke na qerasur dhe duke folur me respekt edhe për kishën, të cilës i kishin ngelur vetëm rrënojat. Edhe pse në këtë gjendje për shkak të prishjes së saj në kohën e errët të komunizmit, vetë banorët kishin ngritur një proskinitar me kryq dhe vendin e ndezjes së qirinjëve, madje në kohën e drekës kur mbërritëm tek rrënojat e kishës gjetëm edhe dy gra që ndiznin qirinj në një proskinitar metalik të thjeshtë, por që bashkë me rrënojat, gurët e mëdhenj dhe dy lisa që lartësoheshin në atë lëndinë dëshmonin për ekzistencën dikur të kësaj kishe në këtë fshat, Dragot i Dumresë.
Për MEDIA NGJALLJA 
Dhjakon Aleksandër Dimroçi 
22 Nëntor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse