EmailFacebookKontakt
Lajme

Kisha bizantine e Shën Gjergjit në Mërtish – Nga Ilirjan Gjika

02/12/2025

Kisha bizantine e Shën Gjergjit në Mërtish
Nga Ilirjan Gjika
Mërtishi është një nga fshatrat e Myzeqesë së Madhe siç quhet edhe ndryshe Myzeqeja e Lushnjes, me shtrirje përgjatë bregdetit të Adriatikut midis lumenjve Shkumbin në veri dhe Seman në jug (1). Nga pikëpamja admimistrative-territoriale ai bën pjesë në njësinë Gradishtë të Bashkisë Divjakë (2). Mendohet se emri i tij lidhet me kishën e dikurshme të Shën Mitrit për të cilën na dëshmon edhe Aleksudhi në vitin 1868. Në librin e tij, “Përshkrim i shkurtër historik i Mitropolisë së Shenjtë të Beratit”, ai, thekson se Enoria e Shakullit përbëhej nga fshatrat Shakull, Stan Shakull, Goriçan, Këmishtaj, Sopëz, Shënepremte, Mërtish dhe Senez. Ajo banohej nga 96 familje ortodoksësh të cilat i kryenin ritet fetare në kishën e Shën Nikollës në Këmishtaj dhe në kishëzat (parakliset) e Profet Ilias në Goriçaj dhe të Shën Dhimitrit në Mërtish (3).
Ndërkohë ky fshat përmendet edhe për rrënojat e një kishe të vjetër të periudhës bizantine, Shën Gjergjit (4). Pjesët e mbetura prej saj gjendet në lagjen Korie e cila njihej në traditën vendase me emrin ‘’Shëngjergj’’ (5). Një fakt të tillë e ndeshim edhe në regjistrin e Sanxhakut Shqiptar të vitit 1431, ku përmendet fshati ‘’Ajo Jorgji’’ (Shën Gjergj) (6). Ndërkohë njoftimin e parë rreth ekzistencës së rrënojave të kësaj kishe do të bënte Niko Ferro, Drejtor i Muzeut Historik Lushnje (7). Kurse identifikimin dhe evidentimin e saj në terren do ta kryenin në vitin 2019, specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës: Era Xhaferraj, Skënder Bushi dhe Renald Meta (8). Sipas raportit të hartuar prej tyre dhe të botuar në nr. 58, të revistës ‘’Monumentet’’, kisha e ‘’Shën Gjergjit’’, është vendosur në drejtimin L-P dhe ka qenë e tipit kryq i brendashkruar me kupolë. E trajtuar në variantin provincial, faltorja, përbëhet nga naosi dhe altari në të cilin bëjnë pjesë absida dhe pastoforet e protezisit dhe diakonikonit. Të tre këto elementë kanë formë rrethore nga brenda dhe përbëhen prej tre faqesh nga jashtë. Kurse naosi me përmasa 7 x 7.16 m ka formë katrori të rregullt dhe hyrje nga jugu (9). Nga pikëpamja ndërtimore muret e pjesës veriore dhe asaj lindore kanë trashësi 80 cm dhe janë ndërtuar me gurë shtufi dhe tulla të lidhura me llaç të vendosur në breza të rregullt, një teknikë tipike bizantine e afërt me atë kluasonazhit. Gurët e shtufit janë marrë sipas gjasave nga kodrat përreth ndërsa tullat me përmasa 18 x 31 x 6.5 m, krijojnë në mur efektet e teknikës kluasonazhit, të cilat bien më shumë në sy në pjesën e murit lindor. Ndërsa në muret jugore dhe perëndimore është përdorur si teknikë ndërtimi ajo e lidhjes së gurëve me llaç, ndëmjet të cilëve janë vendosur copa qeramike. Në pjesën e poshtme të kishës janë përdorur edhe materiale të periudhës antike, ndërsa pjesët e sipërme të nikeve të absdidës dhe pastoforeve janë ndërtuar tërësisht me tulla (10).
Në librin e tij ‘’Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës’’, autori Niko Ferro midis të tjerave thekson se, kisha e Shën Gjergjit ka formë të veçantë dhe është e vetme në llojin e saj. Ajo ka qenë e tipit njënefësh me planimetri drejtkëndëshe me përmasa të brendshme 6.30 x 7.2 m dhe me trashësi muri prej 0.70 m. Ndërsa naosi rrethohej nga ana jugore nga një hajat i cili kryente funksionin e naterksit. Gjendja e saj në formë rrënoje me dyshemenë ku përveç gjelbërimit dhe dheut është mbuluar edhe nga mbeturinat e rrëzuara të mureve, e bëjnë të vështirë datimin e saj nisur edhe nga mungesa e të dhënave historike (11). Ndërkohë duke u bazuar te tiparet arkaike të ndërtimit të jashtëm, analiza e artikulimit planimetrik dhe formës së absidave, autorët e studimit: Era Xhaferraj, Skënder Bushi dhe Renald Meta, mendojnë se ky objekt është ndërtuar në periudhën e mesme bizantine, midis shekujve X-XII (12). Ndërkohë studjuesi Aleksandër Meksi, duke u mbështetur te materialet dhe mënyra e ndërtimit të mureve në këndin verilindor të kishës, sugjeron për një datim të shek. XIII-XIV (13).
Gjatë proçesit të identifikimit dhe evidentimit në terren pranë kishës u gjetën edhe gjurmë të një kulle të ndërtuar me gurë konglomerati, për të cilën autorët Era Xhaferraj, Skënder Bushi dhe Renald Meta, mendojnë se: ‘’ … kemi të bëjmë me një fortifikim të mundshëm, ndoshta të një periudhe më të hershme’’. Ndërkohë në konkluzionet e studimit ata hedhin edhe hipotezën se mbetjet e kësaj kishe mund ti përkasin: ‘’ … një strukture më komplekse, ndoshta të një manastiri (14). Nëse një gjë e tillë do të vërtetohej nga studimet e thelluara, atëhëre hartës së manastireve mesjetare të Myzeqesë përveç atyre të Apolonisë dhe Ardenicës, do ti shtonim edhe atë të ‘’Shën Gjergjit’’ në Mërtish. Ndërkohë do të jenë gërmimet e ardhshme arkeologjike që do të japin një gjykim të saktë rreth datimit dhe funksionit të saj. Gjithsesi ky objekt duhet të shpallet ‘’Monument Kulture’’ dhe ti nënshtrohet studimit dhe restaurimit të mirëfilltë. Në të kundërt ekspozimi ndaj agjentëve atmosferikë do ta dëmtonte më tepër këtë trashëgimni të së kaluarës.        
*****
1-Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 738-739
2-https://wwwbashkiadivjake.gov.al/
3-Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 57
4-Era Xhaferraj-Skënder Bushi-Renald Meta, Rrënojat e kishës së Shën Gjergjit në fshatin Mërtish, Monumentet, 58, f. 155-163
5-Niko Ferro, Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës, SHPRESA print, Tiranë 2023, f. 149-150
6-Regjistri i Sanxhakut të Arvanidit i vitit 1431, ASA-IH, Tiranë 2017, f. 185
7-Era Xhaferraj-Skënder Bushi-Renald Meta, Rrënojat e kishës së Shën Gjergjit në fshatin Mërtish, Monumentet, 58, f. 157; Niko Ferro, Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës, SHPRESA print, Tiranë 2023, f. 149
8-Era Xhaferraj-Skënder Bushi-Renald Meta, Rrënojat e kishës së Shën Gjergjit në fshatin Mërtish, Monumentet, 58, f. 155-163
9-Po aty, f. 155-163
10-Po aty, f. 155-163
11-Niko Ferro, Kishat e Lushnjes dhe të Divjakës, SHPRESA print, Tiranë 2023, f. 149
12-Era Xhaferraj-Skënder Bushi-Renald Meta, Rrënojat e kishës së Shën Gjergjit në fshatin Mërtish, Monumentet, 58, f. 155-163
13-Aleksandër Meksi, Kishat e Shqipërisë, shek. IV-XV, Plejad, Tiranë 2022, f. 429
14-Era Xhaferraj-Skënder Bushi-Renald Meta, Rrënojat e kishës së Shën Gjergjit në fshatin Mërtish, Monumentet, 58, f. 155-163
MEDIA NGJALLJA, 2.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse