"Qëllimi ynë nuk është të jemi të lumtur ose të korrim sukses vetëm në këtë jetë, por qëllimi ynë duhet të jetë përjetësisht të qëndrojmë në Zotin".
Atë Kai, mirëserdhët në Shqipëri. Ju lutem, mund të na flisni për enorinë tuaj? Si jeni të organizuar ju atje?
Pikë së parë më duhet të them dhe të nënvizoj në mënyrë simbolike për enorinë shqiptare të “Shën Joan Gojartit”, sepse kjo enori ka histori shumë të madhe dhe kuptim të madh në lidhje me Shqipërinë. U themelua në fillim të shekullit të 20-të nga emigrantët shqiptarë, të cilët në atë kohë sapo ishin vendosur në SHBA dhe nuk ishin edhe aq të pasur; sapo ishin vendosur në SHBA, ishin emigrantë të rinj, por pavarësisht, ata vendosën dhe arritën ta blejnë ndërtesën e kishës dhe të themelonin enorinë shqiptare të “Shën Joan Gojartit”. Dhe përgjatë asaj kohe të vështirë këtu në Shqipëri, kur popullit shqiptar i duhej të themelonte një shtet të ri duke mbrojtur gjithçka përmes një ideologjie pa kuptim, ndërkohë në zemër të Shteteve të Bashkuara, shumë afër vendit ku u mbajt Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara, vetëm 5 minuta larg, u themelua Kisha Shqiptare, në të cilën prej 100 vitesh tashmë shërbehet në gjuhën shqipe, në gjuhën angleze dhe nuk u përket vetëm shqiptarëve. Presidenti i Shqipërisë ShTZ Bajram Begaj, i cili vitin e kaluar vizitoi kishën dhe enorinë tonë, nënvizoi se një nga karakteristikat kryesore të shqiptarëve është mikpritja; në të njëjtën mënyrë enoria jonë atje është e hapur për këdo. Nëse shkon atje do të shohësh se ka njerëz dhe besimtarë nga e gjithë bota, duke filluar nga Azia Lindore, afro-amerikanë, ukrainas, rusë, gjeorgjianë, të krishterë arabë, të cilët bëhen së bashku për t’iu lutur Perëndisë. Enoria jonë organizohet në mënyra paksa të ndryshme, sepse çdo vend ka karakteristikat e tij dhe mënyrat e jetesës, por qëllimi ynë kryesor është t’i qëndrojmë besnik historisë sonë ose prejardhjes sonë dhe të përmbushim kuptimin e simbolit. Edhe pas 100 vitesh, një komb i ndarë nga oqeani Atlantik, dy ideologji të ndryshme, njerëz që përballen me shumë vështirësi, tashmë ata janë së bashku atje: gjenerata e re e shqiptarëve dhe gjenerata e vjetër. E dini që atje në enorinë tonë janë disa gra dhe burra të vjetër të cilët flasin gjuhën shqipe të gjyshërve dhe stërgjyshërve tuaj? Ata flasin një shqipe shumë të vjetër dhe kjo i sjell shumë gëzim çdo shqiptari që i dëgjon. Pra, është një komb i ndarë në dy pjesë, të cilët bëhen bashkë, por gjithashtu të dyja gjeneratat bëhen bashkë dhe është diçka shumë e bukur. E dini se cili është kuptimi simbolik i kësaj: “t’i bësh bashkë”. Tashmë kombi shqiptar është bërë bashkë në një komb të vetëm dhe të bukur dhe unë jam pjesë e tij. Tashmë jam duke mësuar shqip. Dhe përgjatë shërbesave përdor gjithmonë disa fjalë në shqip. I bëj për të qeshur shqiptarët kur më dëgjojnë, por përpiqem dhe ata më thonë se pas çdo shërbese shqipja ime përmirësohet edhe më shumë.
Cilat janë disa nga sfidat që përballesh në jetën e përditshme?
Siç e dini, ne të gjithë jemi shërbëtorë dhe në shërbim të Fjalës së Perëndisë, sepse Jisu Krishti është Fjala e Perëndisë. Pra, çfarë kuptimi ka të jesh shërbëtor i Fjalës së Perëndisë? Së pari, do të thotë: bashkëbisedim me Perëndinë. Dhe bashkëbisedim nënkupton së pari – lutjen. Për klerin kjo është nevoja e lutjes.
Së dyti, të studiosh Fjalën e Perëndisë. Sipas Shën Maksim Pohuesit: “Shkrimi i Shenjtë është një formë e ‘trupit’ të Jisu Krishtit, duke vepruar si një ‘veshje’ e Fjalës hyjnore në mënyrë që njerëzimi të mund ta takojë dhe ta kuptojë Atë.”
Pra, duhet ta studiosh Shkrimin e Shenjtë. Duhet të kemi kujdes nga tendencat e reja të teologjisë, tendencat e reja të filozofisë, të përgatitemi, të kuptojmë, të perceptojmë Fjalën e Perëndisë. Duhet ta lejojmë atë të punojë brenda nesh.
Dhe së treti, t’ia komunikojmë këto fjalë të tjerëve, sidomos pjesëtarëve të enorisë sonë. Por pjesëtarët e enorisë sonë janë të ndryshëm tani. Siç dhe e përmenda, pjesëtarët tashmë janë shumëkombësh, ata vijnë nga kultura të ndryshme. Për shembull: vitin e kaluar kemi pagëzuar amerikanë vendas. Për ata nevojitet një qasje ndryshe ndaj Fjalës së Perëndisë. Pra, është sfida jonë të lutesh dhe të përgatitësh veten.
Këtu ju keni një kishë lokale, keni traditën e vendeve ortodokse, dhe besimtarët jetojnë afër me njëri-tjetrin. Por nuk ndodh kështu në Amerikë. Atje udhëtojnë gjatë sepse janë të shpërndarë ngado. Prifti, nëse është duke qëndruar në shtëpi duke studiuar, duke u lutur, ose për shembull: unë jap mësim në kolegj, ndonjëherë kam katër orë mësim, ndonjëherë një orë, ose asnjë; gjithmonë duhet të qëndroj i gatshëm, sepse në çdo moment, në çdo sekondë, dikush mund të më telefonojë dhe të thotë: At, kemi nevojë për ty; dikush mund të jetë duke vdekur, dikush mund të ketë rënë në tundim, dhe duhet të jem gjithnjë gati; gjithmonë në formë, gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur, gjithmonë i gatshëm për të marrë makinën dhe të udhëtoj për ndoshta për dy orë për t’i arritur. Na kanë ndodhur raste të tilla, më ka ndodhur njëherë që sapo kisha arritur, thashë lutjen, e kungova, sapo e gëlltiti personi ndërroi jetë. Imagjinoni sikur të isha vonuar qoftë edhe një minutë. Ndaj dhe duhet që gjithmonë të qëndroj i gatshëm. Si dhe gjithmonë gati për të katekizuar, tashmë amerikanët, ndonjëherë dhe ukrainasit, ndaj dhe duhet të jem gati, gjithmonë gati për të punuar. Duhet gjithashtu që ta bëjmë Liturgjinë Hyjnore të bukur. Ne jemi ortodoksë, e bukura e ortodoksisë është që është unike.
Shumë amerikanë tërhiqen nga Ortodoksia dhe Liturgjia e saj. Ndaj dhe ne tani e kemi rinovuar kishën tonë, sepse është 100-vjeçare, dhe kemi dashur ta bëjmë më të bukur, më të disiplinuar, më me shumë kuptim. Perëndia është i paarritshëm; asnjëherë nuk mund ta arrish bukurinë e Perëndisë, ndaj dhe gjithmonë duhet të zhvillohemi, gjithmonë duhet të përmirësojmë veten tonë.
Cilat janë sfidat e besimtarëve?
Sfida kryesore është e njëjtë për të gjithë besimtarët, sepse Perëndia tha: “nëse dëshiron të më ndjekësh mua, duhet të mbash kryqin tënd”. Të jesh i krishterë ortodoks, asnjëherë nuk ka qenë e lehtë. Qëllimi ynë nuk është të jemi të lumtur, ose të korrim sukses vetëm në këtë jetë, por qëllimi ynë duhet të jetë përjetësisht të qëndrojmë në Zotin. Pra, kjo është sfida kryesore për të gjithë ne të krishterët ortodoksë. Ne nuk kufizohemi në jetën tonë të përditshme dhe përkujdesjet dashamirëse “…le të largojmë prej nesh tërë kujdesin për jetën…” – sikurse na mëson Himni Qeruvik. Por besimtarët jetojnë në shoqëri shumë të ndryshme, shpesh herë në kultura të ndryshme. Është ndryshe të jetosh në Shqipëri dhe të jesh ortodoks shqiptar dhe është diçka krejt tjetër të përballesh me vështirësi si emigrant në një vend të ri, me sfida të reja. Ndaj dhe të duhet të përshtatesh, të ruash identitetin tënd si shqiptar ose i kujtdo kombësie që mund t’i përkasësh, derisa të bëhesh pjesë e plotë e komunitetit të ri. Gjithashtu, siç e përmenda, enoria nuk është e vendosur gjithandej. Enoria jonë ndodhet në qendër të qytetit, ndaj dhe besimtarëve në disa raste, për të ardhur në kohë në kishë, i duhet të udhëtojnë deri në një orë e gjysmë. Nuk është e thjeshtë. Gjithashtu jeta e përditshme atje ka sfidat e saj. Komuniteti në Shtetet e Bashkuara është shumë kompetitiv, për faktin se si të jesh i përulur, kur çdo gjë rreth teje të sfidon, të garosh, të bëhesh më i mirë, të korrësh sukses. Atje po zhvillohet një antropologji e re dhe një lloj i ri të krishterësh. Gjithmonë kështu ndodh, të gjithë brezat kanë sfida unike, …po është një kryq i Jisu Krishtit. Kur kemi kryqet tanë është ndryshe, është unike, më përket vetëm mua dhe askush nuk mund të ma marrë kryqin. Dikush mund të më ndihmojë, dhe ja ku është vendi – vetë Kisha, në qendër të qytetit të Filadelfias, kur vijnë së bashku dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Ajo që u them atyre është se sfida kryesore është të lutemi, të jemi shumë të disiplinuar në ndjekjen e shërbesave – për ne ortodoksët kjo është shumë e rëndësishme. Ne duhet të ndjekim shërbesat, duhet të mblidhemi së bashku, është e nevojshme të shohim fytyrat e njëri-tjetrit. A e dini nocionin e sëmundjes së vetmisë kur jeni vetëm dhe nuk shihni fytyra, kur ecën në një qytet të populluar ndihesh shumë i vetmuar dhe nuk sheh fytyra njerëzore? Por kur vjen në kishë dhe mblidhemi së bashku, shohim njëri-tjetrin në fytyrë dhe bisedojmë. Pas shërbesës mblidhemi gjithmonë për kafe, në katin e dytë, dhe e di se çfarë kemi? Kemi valle shqiptare të performuara nga gratë, dhe gratë sjellin fëmijët e tyre, të afërmit e tyre, miqtë e tyre dhe shijojnë të qenurit bashkë. Pra kështu ndodh, ata përballen me vështirësi në jetën e tyre të përditshme, por më pas ata vijnë në kishë dhe shohin njëri-tjetrin. Kjo na jep fuqi për javën pasardhëse.
Atë, shumë faleminderit për kohën që na kushtuat për këtë intervistë. Ju uroj mbarësi në punën dhe misionin tuaj si klerik i enorisë tuaj.
Faleminderit, Zoti bekoftë Shqipërinë dhe Amerikën!
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse