EmailFacebookKontakt
Lajme

Implikimet Shoqërore dhe Etike të Relativizimit të Gjinisë në Legjislacion

10/11/2025

Shumë projektligje kthehen në ligje me vendimin e atyre që janë zgjedhur (pavarësisht mënyrës së zgjedhjes së tyre), shpesh pa vëmendjen, interesimin dhe angazhimin aktiv të pjesëtarëve të shoqërisë. Megjithatë, ligji për barazinë gjinore pati një angazhim të gjerë nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë shqiptare: shoqëria civile, lëvizjet politike, lëvizjet fetare, por edhe institucionet zyrtare ndërfetare, siç ishte Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë. Natyrisht, secila palë u fokusua te interesi i vet specifik – dhe kjo është e drejta e çdo subjekti shoqëror. Por pyetja që shtrohet është: a u mbrojt njëkohësisht edhe interesi i përbashkët dhe e mira e përgjithshme e shoqërisë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet të nisim nga vetë objekti i debatit. Objekti ishte barazia, dhe në këtë rast barazia gjinore. Barazia nuk është thjesht një e drejtë morale, por një e drejtë ontologjike e njeriut, e lidhur drejtpërdrejt me qenësinë e tij. Prandaj, barazia nuk mund të jetë objekt relativizimi apo negocimi normativ – ajo është themel identitar dhe parimor.
Në këtë rast çështja nuk qëndron te vetë koncepti i barazisë, por te koncepti i gjinisë. Historikisht – si në traditën njerëzore, ashtu edhe në tekstet e shenjta – gjinia është pranuar si kategori binare (mashkull dhe femër). Përshtjellimi lind atëherë kur njeriu, duke ndërhyrë mbi konceptin e gjinisë, tenton ta relativizojë atë. Këtu një rol të madh ka edhe përdorimi i kohës dhe argumenteve kohore si justifikim për ndërhyrje mbi qenien trupore dhe biologjike të njeriut. Ashtu si në rastin e zhvendosjes kohore tremujore për të justifikuar abortin, edhe në debatin për gjininë, gjinia tenton të relativizohet në kohë, duke krijuar nocionin e ri “gjini sociale”, e cila kërkon të dominojë deri në zhdukje gjininë biologjike. Kjo mund të krijojë një frymë presioni dhe madje stigmatizimi mbi konceptin biologjik të gjinisë.
Në këtë kontekst, prindërit përballen me një dilemë të re: a duhet të flasin me fëmijët e tyre për gjininë? A duhet të ndërhyjnë në këtë proces në kuadër të shoqërizimit të fëmijës dhe formimit të identitetit të tij gjinor?
Nëse gjinia ngarkohet vazhdimisht me kuptime dhe përkufizime të reja jashtë natyrës së saj, ajo rrezikon të humbasë kuptimin e saj biologjik dhe të shndërrohet në një kategori të varur vetëm nga ndjesia momentale individuale apo presioni kulturor i kohës. Në këtë mënyrë, në përpjekje për të luftuar padrejtësi të dikurshme, mund të prodhohen padrejtësi të reja që nuk i shërbejnë zhvillimit të shoqërisë.
Ndryshimet momentale në një kohë të caktuar mund të godasin elementë të tjerë themelorë të shoqërisë duke sjellë pasoja të pakorrigjueshme dhe ndikime të thella në zhvillimin e saj. Në rastin e ligjit për barazinë gjinore, krijohet precedent për ndryshimin e dokumenteve ku vihet në dyshim gjinia binare, duke ndikuar edhe në institucionin e martesës dhe familjes, jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje. Përpjekja për krijimin e një “gjinie gjithëpërfshirëse” mund t’i godasë të gjitha kategoritë, duke vënë në pikëpyetje ekzistencën e tyre dhe progresin shoqëror.
Në përfundim, mund të them se miratimi i ligjit nuk e tejkaloi pabarazinë gjinore brenda shoqërisë, madje krijoi precedentë të tjerë për vazhdimësinë e saj. Disa organizata e panë ligjin nga një këndvështrim ideologjik, duke i shërbyer jo vetëm ideologjisë së tyre, por edhe përfitimeve të tyre (madje edhe monetare). Ndërkohë, kishte institucione si Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, i cili, i udhëhequr nga përgjegjësia përpara Perëndisë, shoqërisë dhe njeriut, u bë pjesë e diskutimit duke ruajtur staturën e vet dhe të asaj që përfaqëson.
PHD (c) Thoma Çomëni
Pedagog i Departamentit të Teologjisë dhe Kulturës
Kolegji Universitar Logos
Data: 8.11.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse