IKONOSTASI I KISHËS
"LINDJA E SHËN MËRISË", ELBASAN
Ikonostasi i kishës është punuar me torno në vitin 1859 prej mjeshtër Filipit nga Reka e Dibrës. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi që gjendet mbi derën e bukur: Τό παρόν τέμ(π)λον έγλίφθη, καί ετορνεύθη τό 1859, έτος έπί / επί άρχιερ(α)τείας ίωαννικίου έπιτροπ(ε)ίας δέ Δημήτ(ρίου), άνδρεού / καζαν(τ)ζή καί κωνσταντίνου, Αντών(ίου), έχρυσώθη δέ το 1868 έν ήμέραις / άρχιερατεύοντος τού Πανιερώτάτου άγίου δυρραχίου Κ.Κ. Βησσαριωνος έπιτροπευοντων τών Κ.Κ.Χ. κωστανδίν(ου) παπά ί(ω)άννου, Ιωάννου Τζούφκα και Κωνστ(αντίνου) / Συμεώνος, τή εύσεβάστω προθυμία πάντων τών φιλοχρίστών χριστιανών καστρου, / χείρα Ιωσίφ 1868 κατά μήνα δεκέμβριον ιμερας 21. “Ky tempull (ikonostas) u gdhend dhe u tornua në vitin 1859, në kohën e peshkopatit të Joaniqit dhe kur ishte epitrop Dhimitër Andre Kazanxhiu dhe Kostandin Andoni. U varakos më 1868 në vitet e peshkopatit të gjithhirshmit, shenjtit të Durrësit Z.Z. Visarion dhe kur ishin epitropë Z.Z. Kostandin Papajani, Jan Xhufka dhe Kostandin Simoni, me dëshirën e devotshme të të gjithë të krishterëve, krishtdashës të Kalasë. Dora e Josifit 1868 në muajin dhjetor, ditë 21”.
Mjeshtër Josifi mesa duket ka bërë prarimin e ikonostasit. Ikonostasi ndahet në tre zona. Struktura e tij përbëhet nga: baza, troakset, ketabet e pushtme, ikonat dhespotike, kononat ndarëse, dyert e bukura, ketabet e sipërme dhe qemeri. Në pjesën kulmore të ikonostasit ngrihet kryqi dhe anash tij dragonjtë. Nëpër medaljonet e troakseve ikonografi Mihal Anagnosti ka pikturuar skena nga Shkrimi i Shenjtë si Sakrifica e Abrahamit, Rënia e Protoplastëve etj. Krahas elementëve të tjerë në gdhendjet e ikonostasit vëmë re zogj që çukisin vile rrushi, shqiponja dhe figurina të tjera nga bota e kafshëve. Kolonat ndarëse të ikonave despotike janë të zbukuruara me dredhka lulesh, gjethe dushku me vazo, që kulmojnë me kapitele korintike.
"Dyert e Bukura" të kishës së "Shën Mërisë" janë gdhendur nga mjeshtër Petro Filipi nga Reka dhe janë pikturuar nga ikonografi Mihal Anagnosti. Secila derë është ndarë në tri pjesë. Në panotë e poshtme janë dy medaljone, të cilat përfaqësojnë skenën e "Ungjillëzimit të Hyjlindëses". Në njërin prej medaljoneve është kryeëngjëlli Gabriel, i cili po njofton Shën Mërinë, që do të ketë një fëmijë. Medaljonet qarkohen nga dredhka, simbole të eukaristisë, gjethe dhe veshë rrushi. Në panotë e mesit janë gdhendur kupa kungimi, me motive floreale përreth. Në panotë e sipërme janë dy medaljonë, ku cilët janë pikturuar profeti Solomon dhe profeti David. Medaljonet qarkohen nga figura serafimësh, kaproj e shqiponja të gdhendura, si edhe me vazo lulesh e boçe pishe. Flegrat e dyerve janë ndarë me listela me zambakë, në kryqe, me antifeksa të lulëzuar. Gjithçka është gdhendur me mjeshtëri të lartë artistike.
Media Ngjallja, 1.12.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse