EmailFacebookKontakt
Lajme

I palodhuri Hirësi Kozma Qirjo

11/12/2025

Një tjetër dëshmi e punës dhe shërbesës së shenjtë të Hirësi Kozmait, Episkop i Apollonisë, na erdhi pak ditë më parë. Familja e Andrea Bardhit nga Libofsha e Fierit na dërgoi fotot e pagëzimit të djalit të tyre Vasil nga dora e Hirësisë së tij, Kozma, atëhere prift. 
Pagëzimi i përket datës 24 Gusht 1991 fill mbas panairit të Shën Kozmait në Manastirin e Tij në Kolkondas të Fierit. Në një periudhë post komuniste, pasi ishin hapur kishat dhe në mungesë të klerikëve, Atë Kozmai iu përvesh punës me dashurinë e zjarrtë që i vlonte në shpirt e zemër për t'i shërbyer Perëndisë dhe grigjës së Tij. Liturgji Hyjnore, pagëzime, kurora, efqeli dhe shërbesa të tjera të kryera nga ky njeri i shenjtë, bën që në momentet e para të kishëroheshin qindra e mijëra besimtarë. Atë Kozmai dallohet për shërbesën e tij  si klerikë gjatë viteve të komunizmit kur kishat ishin të mbyllura dhe liria e besimit fetar ishte e mohuar dhe e dënueshme me burg çdo praktikë dhe aktivitet fetar. Për këtë shërbim kishtar dhe adhurues që Atë Kozma Qirjo nuk e ndali, por e vazhdoi me besim dhe trimëri, në fshehtësi bashkë me besimtarë në vende të ndryshme të vendit, Kryepiskopi Anastas dhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë të kishës sonë, i dhanë gradën e lartë të kryepriftit, atë të Episkopit, duke mbajtur titullin Episkopi i Apollonisë.
Urojmë që foto, video apo dorëshkrime, dëshmi nga besimtarë dhe nga çdo njeri vullnetmirë, të kemi në të ardhmen për këtë njeri të shenjtë që sakrifikoi shumë për ecurinë e jetës adhuruese kishtare dhe kishërimin e njerëzve, duke rrezikuar jetën për këtë mision baritor të shenjtë dhe vetësakrifikues që kreu. I përjetshëm kujtimi i Episkopit tonë të shenjtë Hirësisë së Tij, Kozma Qirjo.
Dhjakon Aleksandri
Media NGJALLJA 11 Dhjetor 2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse