EmailFacebookKontakt
Lajme

Hirotonisje, ofiqe dhe vepra katekitike në Mitropolinë e Shenjtë, Elbasan

13/11/2025

Më 12 tetor 2025, në famullinë e Shën Nikollës, Elbasan, z. Martin Ziu u hirotonis në dhjakon nga Mitropoliti Andon. Dhjakon Martini së bashku më bashkëshorten e tij, Konstandinën, shërbejnë si katekistë në Mitropolinë e Elbasanit që prej shtatorit të vitit 2016, pasi përfunduan studimet në Akademinë Theologjike, Shën Vlash. Po atë ditë, Hirësi Andoni i dha ofiqin Stavrofor atë Petraq Dedjas i cili shërben prej disa vite në Kishën "Lindja e Krishtit" në qytetin e Cërrikut. Klerikë dhe besimtarë të shumtë uruan dhjakonin e ri dhe atë Petraqin “I denjë”! 
Ndërsa një javë më vonë, më 19 tetor, Hirësi Andoni i dha ofiqin Stavrofor atë Petro Halilit, i cili shërben prej disa vitesh në Kishën "Shën Athanasi" në qytetin e Elbasanit dhe ka përvojë shumëvjeçare si katekist dhe klerik, duke mësuar e predikuar Fjalën e Perëndisë që prej vitit 1996 kur filloi studimet në Akademinë Theologjike. 
Gjithashtu, në Mitropolinë e Elbasanit nën përkujdesjen e vazhdueshme të Mitropolitit Andon vazhdon programi i katekizmit në disa grupe ku shërbejnë 4 klerikë: atë Andrea Ranxha, atë Petro Halili, atë Spiro Peci dhe dhjakon Martin Ziu dhe 8 katekistë: priftëreshë Gabriela Peci, dhjakoneshë Kostandina Ziu, Pavli Dedja, Eriselda Dudi, Mateo Gjika, Ronaldo Sinani, Maria Dedja, Emanuel Salla.  Mitropolia e Elbasanit ka rreth 10 grupe fëmijësh, 2 grupe adoleshentësh dhe 2 grupe rinore. Në qytetin e Elbasanit funksionon qendra rinore për grumoshën 18-25 vjeçare.
Enoria në kishën e Shën Nikollës në Elbasan ka dy grupe katekizmi: të fëmijëve dhe të  adoleshentëve. Ajo në kishën e Shën Athanasit ka grup fëmijësh dhe grupin e grave. Në Mitropolinë e Elbasanit është organizuar grupi i familjeve i cili zhvillon takime mujore të drejtuara nga Hirësi Andoni. Në fshatin Kuqan, në enorinë e kishës së Shën Gjergjit, të dielën pas Liturgjisë zhillohet katekizëm me fëmijë të rinj dhe familjarë. Katekizëm zhvillohet edhe në Cërrik, Gramsh dhe në fshatrat Shtërmen dhe Gjinar ku funksionojnë dy grupe. Programi i katekizmit përshin aktivitete të larmishme për fëmijët: mësime, punë dore, lojëra peligrinazhe etj. Për grupet e adoleshentëve dhe të të rinjve zhvillohen: Studim biblik, punë dore, pelegrinazhe etj.
Atë Andrea Ranxha 
Përgjegjës i katekizmit

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse