Fort të nderuar Hierarkë, etër dhe vëllezër, të dashur besimtarë të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës.
Do të lavdëroj o Zot, me gjithë zemrën time, do t’i rrëfej gjithë çuditë e tua. (Ps. 9:1) Këto fjalë të Psalmistit e mbushin zemrën tonë me gëzim dhe mirënjohje për gjithçka që ka bërë Perëndia për ne. Jemi mbledhur sot këtu në Kishën Katedrale "Ngjallja e Krishtit" për të fronëzuar Mitropolitin e ri të Gjirokastrës, Hirësinë e tij Nathanailin, një shërbëtor besnik që për më shumë se tri dekada ka derdhur djersën dhe mundin e tij për forcimin e Kishës sonë.
Hirësi, Vëlla me Krishtin dhe bashkëmeshtar, rruga jote e shërbimit filloi në vitin 1991, kur erdhe në këtë trevë të shenjtë të Gjirokastrës, në kohën më të vështirë të ringritjes së Kishës sonë nga gërmadhat e ateizmit. Si hieromonak, plot zell dhe dashuri për Krishtin, ti u bëre një punëtor i palodhur i Ungjillit.
Gjatë viteve të para, nga 1991 deri në 2012, ke shkuar nëpër fshatrat e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës dhe Himarës duke u përpjekur në organizimin e enorive të shkatërruara dhe të braktisura, jo vetëm për strukturat fizike të tyre, por mbi të gjitha për të ringjallur besimin në zemrat e njerëzve. Ke qenë nga dëshmitar të parë të vuajtjeve të besimtarëve tanë.
Paralelisht me punën baritore, ke marrë përsipër një detyrë tjetër të rëndësishme – Në Liceun Kishtar "Kryqi i Nderuar" në Gjirokastër duke dhënë mësim me përkushtim shembullor. Studentët e tu të kujtojnë jo vetëm si mësues të ditur, por si atë shpirtëror që i ka udhëhequr me dashuri në rrugën e Krishtit.
Aftësia jote për të tërhequr të rinjtë drejt Kishës ka qenë shumë e dobishme. Me fjalën tënde, me shembullin tënd personal dhe me dashurinë tënde atërore, ke arritur të afrosh shumë të rinj në jetën e Kishës. Disa prej tyre sot shërbejnë si klerikë, mësues, katekistë apo thjesht si besimtarë aktivë, duke u bërë lëçitës të Ungjillit në shoqërinë tonë.
II
Si atë shpirtëror, ke qëndruar me orë të tëra në stolin e rrëfimit, duke dëgjuar me durim problemet dhe shqetësimet e besimtarëve, duke i këshilluar me urtësi dhe duke i ngushëlluar me dashurinë e Krishtit.
Ti je një meshtar i palodhur i të Lartit. Çdo ditë, që në orët e para të mëngjesit, je i pranishëm në Altar, duke kremtuar Liturgjinë Hyjnore me devotshmëri. Zbatimi yt i saktë i kanoneve të shenjta, respekti për traditën liturgjike dhe kujdesi për çdo detaj të shërbesave, janë shembull për të gjithë klerikët e rinj.
Shërbeve një kohë të gjatë me të paharruarin Mitropolitin Dhimitër, paraardhësin tënd në këtë fron të shenjtë. Dhe nga janari i vitit 2012, kur u hirotonise Mitropolit i Amantias nga i paharruari Kryepiskop Anastas, fillove një kapitull të ri në shërbimin tënd. Për më shumë se 13 vjet ke qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Fortlumturisë së Tij. Në këtë periudhë, përvoja jote u pasurua edhe më shumë. Shërbimi yt në Kishë ka qenë i rëndësishëm. Ke shërbyer si Kryesekretar i Sinodit të Shenjtë dhe përgjegjës për kujdesin e Kishës Katedrale të Tiranës, "Ngjallja e Krishtit", që nga dita e parë e funksionimit të saj.
III
Hirësi, sot Kisha të nderon duke të besuar udhëheqjen atërore të kësaj Mitropolie historike, një Mitropoli me sfida të shumta por edhe me potencial të madh. Gjirokastra, ky qytet i bukur, kjo perlë e trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore, ka nevojë për një bari me përvojën, urtësinë dhe dashurinë tënde. Shembulli i paraardhësve të tu, i Kryepiskopit Anastas, i cili e drejtoi me dashuri, urtësi dhe me durim të jashtëzakonshëm për pesëmbëdhjetë vjet këtë Mitropoli të bekuar dhe i Mitropolitit Dhimitër, i cili shërbeu me devotshmëri për gati dy dekada, le të jetë një frymëzim i vazhdueshëm në përpjekjet tuaja për të përmbushur detyrën baritore.
Sfidat janë të shumta: emigrimi i të rinjve, vështirësitë ekonomike, sekularizmi në rritje, por edhe mundësitë e reja të teknologjisë dhe komunikimit. Por ne jemi të bindur se Ju, me përvojën tënde 30-vjeçare, me formimin tënd të thellë teologjik dhe shpirtëror, me dashurinë tënde atërore dhe me frymën tënde të lutjes, do të dish të gjesh rrugën e duhur për të udhëhequr grigjën në këto kohë sfidash.
Mitropolia e Gjirokastrës pret shumë nga Mitropoliti i ri. Besimtarët presin ngushëllim dhe udhëheqje, të rinjtë presin frymëzim dhe shpresë, klerikët presin mbështetje dhe inkurajim, dhe e gjithë shoqëria pret dëshminë e dashurisë së Krishtit përmes shërbimit tënd. Por ti nuk je vetëm në këtë mision. E gjithë Kisha jonë është përkrah teje. Sinodi i Shenjtë, klerikët, dhe të gjithë besimtarët do të mbështesin me lutjet dhe dashurinë e tyre. Së bashku, me hirin e Perëndisë, do të vazhdojmë veprën e madhe të ringjalljes shpirtërore të popullit tonë të shumëvuajtur.
Vëlla i dashur, ki gjithmonë në zemrën dhe mendjen tënde fjalët e Apostullit Pavël: Kini pra kujdes për veten tuaj dhe për gjithë grigjën, mbi të cilën Fryma e Shenjtë ju vuri ju kujdestarë, që të baritoni kishën e Perëndisë, të cilën e fitoi me gjakun e tij. (Veprat 20:28).
Zoti ju dhëntë shëndet, forcë dhe urtësi për të kryer këtë shërbim të shenjtë! Qofsh për shume vjet i denjë! Amin!
Data: 20 Shtator 2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse