EmailFacebookKontakt
Lajme

Festim panagjirik në kishën e Kryeëngjëve në lagjen Varrosh të qytetit të Gjirokastrës

08/11/2025

Ditën e sotme, në të kremten e madhe të Mbledhjes së Kryeëngjëjve, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail, drejtoi Shërbesat e Shenjta të Mëngjesores dhe Liturgjisë Hyjnore në kishën e Kryeëngjëve në lagjen Varrosh të qytetit të Gjirokastrës. 
Kisha e Kryeëngjëve, e ndërtuar gjatë shek. XVIII, gjatë kohës së Episkopit Dhosithe të Gjirokastrës dhe Drinopojës, është një nga dy kishat e mëdha historike të qytetit të Gjirokastrës. Për rreth 250 vite, kjo kishë shërben për plotësimin e nevojave shpirtërore të besimtarëve të krishterë Orthodhoks të lagjes Varrosh. 
Në përfundim të Shërbesës së Mëngjesores Mitropoliti Nathanail, i dha ofiqin ikonom-stavrofor Atë Dhionis Taçit, prift, i cili për shumë vite shërben në kishat e Mitropolisë së Gjirokastrës. Gjithashtu, Mitropoliti dorëzoi në Anagnost (Lexues) të riun Dhimitër, një prej bijëve të tij shpirtëror. 
Pak më përpara përleshimit të Liturgjisë Hyjnore, u krye edhe Litania e ikonës së Kryeëngjëve rreth e përqark kishës, ndërsa pas Liturgjisë Hyjnore klerikët dhe besimtarët u drejtuan drejt qendrës shpirtërore të enorisë për të konsumuar mëngjesin dhe për të marrë bekimet e Mitropolitit Nathanail. 
Ditën e nesërme, në Liturgjinë Hyjnore të së Dielës, Mitropoliti do të drejtojë Shërbesat e Shenjta në kishën tjetër historike të Gjirokastrës, në kishën e Metamorfozës së Shpëtimtarit në lagjen Pazar i Vjetër.
Përgatiti: Dhjakon Pandeleimon Zeneli
Data: 8.11.2025

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse