"Familja dhe roli i saj në shoqëri sipas konceptit të Kishës Orthodhokse".
Intervistë me Teologun Msc. Dhimitër Qosja
Nga Dhjakon Aleksandër Dimroçi
Miq të Media Ngjallja, në vazhdim do të ndiqni intervistën që kryem me Teologun e Kishës tonë Orthodhokse z.Dhimitër Qosja pedagog në Akademinë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" në Shën Vlash të Durrësit. Tema e kësaj interviste ka të bëjë pikërisht me "Familjen dhe rolin e saj në shoqëri sipas konceptit të Kishës Orthodhokse".
1. Cili është roli i familjes në shoqëri sipas konceptit të Kishës Orthodhokse?
Tema e familjes është një temë aktuale, vazhdimisht kemi nevojë të mësojmë më shumë, ta jetojmë familjen dhe ta përjetojmë atë. Sipas konceptit orthodhoks sigurisht është shumë e rëndësishme, familja përkon me një ndër institucionet më të hershme në historinë e njerëzimit, përkon me vetë lindjen e njerëzimit dhe bazuar mbi këtë të vërtetë që ne na jepet në Shkrimin e Shenjtë, kujtojmë dhe kuptojmë që familja ka një rëndësi, është njësia bazë e Kishës, është njësia bazë e një shoqërie dhe është njësia bazë për çdo popull, për çdo komb. Bazuar në këtë rëndësi, në këto koncepte atëherë edhe Kisha Orthodhokse tregon një përkujdesje të madhe në lidhje me familjen, me edukimin e saj, me lutjen me mbështetjen që i ofron, mbështetjen shpirtërore për të kultivuar më shumë vlerat të cilat janë të domosdoshme për ruajtjen, për ndërtimin dhe për mirëqëndrimin e familjes, veçanërisht në kohët e sotme kur ajo lëkundet, tronditet dhe goditet nga të gjitha mënyrat më të sofistikuara për të goditur këtë familje dhe veçanërisht familjen tradicionale, siç ne e jetojmë, siç ne e kemi trashëguar dhe ajo është në qëndër të këtyre sulmeve të përgjithshme. Për këtë arsye Kisha bën vazhdimisht thirrje me predikimet e saj, bën vazhdimisht lutje me jetën e saj, me shembullin e saj dhe brenda familjes së madhe të Kishës, i jepet një rëndësi dhe familjës së vogël. Nuk mund të ketë familje të madhe dhe pa familjen e vogël, atë familjen bërthamë të cilët ne e trashëgojmë këto kohë që jetojmë.
2. Ju e përmendët pak më parë se si familja në ditët e sotme po tronditet nga dukuri brenda saj ose fenomene siç është dhuna, tradhëtia, divorci pse jo dhe indiferenca e prindërve për edukimin e mirë të fëmijëve të tyre. Por si ndihmon Kisha prindërit dhe fëmijët në kapërcimin e këtyre dukurive brënda familjes?
Është e vërtetë që sot familja përjeton disa fenomene të cilat ndoshta në kohë të kaluara nuk janë hasur, kemi fenomene të vështira që hasim dhe dëgjojmë të familjes, me fenomenet në lidhje me bashkëshortët apo me prindërit dhe fëmijët gjithashtu dhe rezultat i këtyre fenomeneve negative, shohim që janë fëmijët e braktisur, fëmijë të cilët vuajnë mungesën jo vetëm mungesën fizike të një prindi por edhe mbështetjen e tyre, shohim vazhdimisht që ka nevojë dhe është shumë e vështirë për të sjellë këtë edukim në kohë të sotme, kur familje të ndryshme përjetojnë këto drama që ne i dëgjojmë fatkeqësisht shumë dhe janë bërë të shpeshta këto kohë të fundit, por jo vetëm kjo, sepse shohim edhe institucione të tjera të cilët nuk marrin masa dhe pse të drejtat themelore të njeriut në Nenin 16, thuhet që "Familja duhet mbrojtur", shohim që disa interesa të ndryshme kërkojnë të nxisin fenomene të reja për të dhënë një koncept të ri të familjes dhe bazuar në këto koncepte të reja, janë të panatyrshme për Kishën tonë është akoma më e dhimbshme, bazuar pra tek këto fenomene negative.
Si mund t'i mbështesë Kisha? Së pari Kisha me jetën e saj ofron modelin e familjeve të shenjta, bazuar në modelin e Shenjtorëve. Shumë familje ne dimë që kanë nxjerrë njerëz të shenjtë, madje familje të tëra siç kujtuam Tre Hierarkët që vijnë nga familje të shenjta madje dhe të gjithë personat, Shën Grigor Teolugut apo Shën Vasilit të Madh, Shën Joan Gojarti gjithashtu bashkë me nënën e tij, pra janë këta Shenjtorë të Kishës të cilët Kisha i bën modele, i promovon çdo vit, i kujton dhe i përçon si një shembull për të gjithë familjet dhe në mënyrë të veçantë për familjet e reja. Fenomenet negative janë rrjedhojë e një mos mbështetje të familjes në përgjithësi, kemi shumë fenomene pabarazie, fenomenet e pabarazisë sociale dhe këto çojnë atje ku fëmijët të jenë të pambështetur, prindërit gjithashtu të jenë të pambështetur dhe të gjitha këto bëjnë të mundur një dramë për shoqërinë tonë, që bie në kundërshtim me mësimet e Ungjillit, me traditën tonë dhe prandaj ne kemi nevojë për mesazhin e Kishës, për jetën e saj, për familjet që vijnë në Kishë sepse vetëm duke patur familje të forta, ne do të kemi dhe një Kishë të fortë, do të kemi dhe një komb më të fortë. Familja është baza ku themelohet gjithë koncepti i Kishës dhe i Kombit.
3. Ndërkohë që ne si të Krishterë dhe nga mësimi i Ungjillit, por nga katekizmi dhe predikimet gjithnjë dëgjojmë për faljen që është shumë e rëndësishme në jetën shpirtërore. A mendoni që falja është si të thuash një zgjidhje apo ilaç apo dhe kërkimi i ndjesës duke u kultivuar brenda familjes, ripërtërin diçka të mirë brënda kësaj familje?
Sigurisht falja është e domosdoshme në jetën njerëzore, është virtyti shumë i rëndësishëm dhe është për njerëzit e fortë sepse dimë se vetëm ata që nuk falin janë njerëz të dobët dhe sepse shpeshherë keqkuptohet virtyti i faljes, por Kisha Orthodhokse predikon si një ndër virtytet bazë faljen, madje në periudha të caktuara dhe veçanërisht në hyrjen e Kreshmës së Madhe kemi një mënyrë të falurit ndaj njëri-tjetrit, të ndjesës, për të hyrë në atë arenën shpirtërore dhe pa këtë falje është e pamundur që ne të përjetojmë të gjitha vlerat. Në mënyrë të veçantë në jetën tonë të përditshme dhe veçanërisht familjet e reja kanë nevojë ta kultivojnë faljen e ndjesës të njëri-tjetrit dhe vetëm kështu mund të ecet përpara dhe vetëm kështu mund të kemi shoqëri e cila është e fortë në lidhje në marrëdhënie përballë çfarëdo lloj fenomeni negativ. Kisha me jetën e saj, me mënyrën se si ajo ofron me kampet, me katekizmin, me kampet verore në mënyrë të veçantë i ofron një mënyrë argëtimi por dhe me temat e saj sociale, për mënyrën se si ne të kultivojmë dashurinë, faljen, gëzimin me njëri-tjetrin dhe me familjen dhe vetëm kështu mund të jetë e shëndetshme familja që duam, familja që kërkojmë, familja që siç e kërkon dhe Zoti, Ungjilli i Kishës tonë.
4. Dhe pyetja e fundit që doja të bëja Dhimitër, ne ndoshta e folëm, e përmendëm, por nga ana praktike çfarë duhet që një familje të jetë e shëndetshme dhe të eci përpara duke u bërë model për shoqërinë tonë dhe për familjet më të reja?
Nga ana praktike sigurisht jeta shpirtërore është baza në të cilën praktikisht do t'i ndihmojë familjet dhe në mënyrë të veçantë familjet e reja, prandaj prezenca në Kishë e familjeve si një shembull për familjet e tjera është shumë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme, por jo vetëm në Kishë edhe në shoqëri në përgjithësi, kur ne shohim familjet që jetojnë me njëri-tjetrin dhe rrezatojnë këtë frymë shpirtërore të cilët e marrin nga jeta e Kishës, ata bëhen një shembull edhe për familjet e tjera që janë jobesimtare pra edhe për familjet në përgjithësi. Ndoshta e hasim shpeshherë brënda familjes, që dikush mund të jetë më besimtarë se sa personi tjetër, megjithatë kujtojmë Apostull Pavlin që thotë se familjet duhet të jenë të forta, nuk duhet t'i imponojmë besimin askujt, madje nëpërmjet gruas besimtare shenjtërohet burri që nuk kultivon besimin dhe e kundërta, një burrë i cili e kultivon besimin dhe një grua nuk e kultivon shenjtërohet dhe ajo, këtë nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se besimi është një dhuratë, falja është një dhuratë, jeta është një dhuratë por vetëm të kemi parasysh si dhurata që këto bazohen në jetën shpirtërore të Kishës. Sa më të kultivuar të jemi shpirtërisht aq më të forta do të jenë familjet, aq më i fortë do të jetë populli dhe kombi. Asnjëherë nuk mund të kemi një progres, një zhvillim të suksesshëm pa një jetë shpirtërore, pa virtytet shpirtërore sepse janë baza për kultivimin e vlerave, që fatkeqësisht siç e përmendëm dhe në fillim gjithmonë e më shumë po reklamohen antivlerat, po reklamohen ato të cilat bien në kundërshtim me mësimet e Ungjillit, me familjet tradicionale prandaj është një thirrje edhe ndaj atyre që kanë pushtet për të ofruar më shumë, për të mbrojtur familjen bazuar dhe si një e drejtë themelore e njeriut. Për të ofruar sa më shumë mbështetje familjeve të reja, për të eleminuar sadopak pabarazitë sociale, pabarazitë ekonomike në mënyrë që të kemi familje të shendetshme në mënyrë që të kemi të trashëgojmë virtytet tradicionale dhe ato që promovon Kisha vazhdimisht.
Dhjakon Aleksandër Dimroçi:
z. Dhimitër, ne ju falenderojmë dhe largohemi nga Kisha e Apostull Pavlit dhe Shën Astit dhe me përshtypjet nga më të mirat sepse pamë dhe pjesëmarrje masive në Kishë në Liturgjinë e së Dielës që sapo mbaroi dhe në mënyrë të veçantë na ra në sy dhe pjesëmarrja e të gjitha grupmoshave dhe pjesëmarrja e familjeve, pra prindër, fëmijë, gjyshër dhe dëshirojmë t'ju përgëzojmë për punën tuaj, për ndihmesën që jepni në këtë Enori, bashkë me klerikët që janë këtu Atë Gjerasimi dhe Atë Spiro por edhe bashkëpunëtorët e tyre të tjerë klerikë dhe laikë. Faleminderit!
z. Dhimitër Qosja: Faleminderit juve dhe gjithë dëgjuesve të Media Ngjallja! Përpiqemi edhe ne, në jetën tonë të përditshme brenda problematikave të ndryshme të kësaj shoqërie që të ofrojmë sadopak vlerat e krishtera për këtë komb që janë shumë të rëndësishme. Orthodhoksia është e rëndësishme për këtë popull, për këtë vënd e për këtë komb me jetën e saj, me kulturën e saj, me historinë e saj dhe sigurisht me familjet e saj.
MEDIA NGJALLJA, 2.12.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse