EmailFacebookKontakt
Lajme

“Etnia nuk ndryshohet, besimi po”/ Kryepiskopi Joan

24/10/2025

"Etnia nuk ndryshohet, besimi po"/ Kryepiskopi Joan
Kryepiskopi Joan është shprehur në intervistën që zhvilloi dje në mbrëmje për emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut se një person mund të ndryshojë besimin e tij por nuk mund të ndryshojë etninë. Ai u shpreh se mohimi i etnisë është një mohim i Zotit, pasi shtoi se është Ai që e ka vendosur etninë e një personi që lind.
Fevziu: Etnia është diçka që ti lind, por nuk e zgjedh dot, kurse besimin ti mund ta zgjedhësh në jetën tënde.
Kryepiskopi: Madje, unë besoj që mohimi i etnisë është një mohim i Zotit. Sepse, nëse Zoti ty të ka lindur si shqiptar, si italian, si grek, nuk je ti që e ndryshon. Është si puna e gjinisë. As gjininë nuk mund ta ndryshosh. Është diçka që je krijuar në atë formë.
Fevziu: Tani po i vijnë rrotull me ligje dhe mund ta shohim dhe kështu edhe ashtu po.
Kryepiskopi: Po pikërisht, prandaj dhe ne e kundërshtojmë këtë. E kundërshtojmë edhe si një fyerje karshi Perëndisë, se s'mund të ndryshosh këto gjëra, as etninë nuk e ndryshon dot.
Fevziu: E ka zgjedhur përkatësinë gjinore tënde që në lindje.
Kryepiskopi: Edhe në Shkrimin e Shenjtë gjithmonë flitet që të gjithë popujt, të gjitha gjuhët, të gjithë ato, gjithsekush ka një etni të caktuar. Por, besimi është një zgjedhje që bën çdo person për atë që beson. Dhe nacionalizmi…
Fevziu: Pra, me përkatësinë etnike ne lindim, kurse besimin e zgjedhim.
Kryepiskopi: E zgjedhim. Është e drejta e çdo njeriu që të besojë, ose mos të besojë, ose ta ndryshojë besimin e tij fetar, por jo etninë. Etnia nuk mund të ndryshohet.
Fevziu: Jo, etninë s'e ndryshon dot
Kryepiskopi: Dhe në kuptimin e thellë fetar, duhet të kemi atë kujdesin që nuk mund të jetë etnia, të identifikohet gjithmonë me besimin. Ti mund të jesh, për shembull, pjesëtar i një etnie, po ndoshta besimin nuk e ke.
Kisha është universale. Kisha është kath'olike. Katholike vjen nga greqishtja, "kath' olikos", që përfshin të gjithën, nuk ndan. Sepse Kisha nuk është për uniformitetin, të gjithë një etni. Është për unitetin.
Fevziu: Po në raport me drejtuesit e komuniteteve fetarë tashmë që ju drejtoni Kishën Ortodokse Autoqefale, si i keni?
Kryepiskopi: Unë besoj që janë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dhe rrallë mund të gjenden në vende të botës. Ne kemi një Këshill Ndërfetar i cili drejtohet me rotacion, çdo vit njëri nga drejtuesit. Në të cilin nuk bëjmë diskutime, debate teologjike, po bëjmë diskutime të jetës, dialog i jetës. Për shembull, për çështjet etike kemi të njëjtin qëndrim. Për çështjet e pronave, drejtësisë dhe këtu kemi të njëjtin qëndrim. Vetë fakti tregon që, ja dhe për rastin e ligjit për gjininë, Kisha Ortodokse, Komuniteti Mysliman, Komuniteti Bektashi, Komuniteti Katolikë, të gjithë bëmë një deklaratë të përbashkët. Gjithmonë me respekt, drejtuar të tjerëve dhe personave që janë përgjegjës për legjislacionin.

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse