Kisha e Shën Gjergjit në fshatin Kuqan të Mitropolisë së Elbasanit është ndërtuar nën përkujdesjen e Kryepiskopit të lumur Anastas. Kjo kishë i shërben këtij fshati dhe 5 fshatrave përreth. Më parë në këtë kishë ka shërbyer dhe kontribuar atë Petraq Dedja. Kjo enori lulëzon sot nën bekimin e Hirësi Andonit, Mitropoliti i Elbasanit dhe udhëheqjen baritore të Atë Spiro Pecit, i cili, me një përvojë të gjatë në shërbim, kujdeset për grigjën e besuar nga Perëndia. Shërbimi i vazhdueshëm në enori përmbush thirrjen apostolike: "Kujdesuni, pra, për veten tuaj dhe për gjithë grigjën, në mes të së cilës Fryma e Shenjtë ju ka vënë ju kujdestarë, për t’u kujdesur për kishën e Perëndisë…" (Vep 20:28).
Qendra e jetës së enorisë është përfshirja e komunitetit në jetën adhuruese, bashkimit në Krishtin nëpërmjet Mistereve të Shenjta: Kungimit Hyjnor, Pagëzimit, Martesës, Efqelisë dhe shërbesave të tjera si: Himni Akathist, Java e Madhe që kulmojnë me Pashkën dhe Panairin e Shën Gjergjit. Ky bashkim reflekton modelin e Kishës së hershme ku mësojmë se ata ngulmonin në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje (Vep. 2:42). Enoria synon vazhdimisht bashkimin dhe rritjen e komunitetit në Krishtin. Kështu, adhurimi i Perëndisë bëhet burim për këtë unitet, duke theksuar se të gjithë janë pjesë e një trupi, pavarësisht diversitetit, sikundër mëson Apostull Pavli: "Sepse, ashtu si në një trup kemi shumë gjymtyrë… ashtu edhe ne, megjithëse jemi shumë, jemi një trup i vetëm në Krishtin dhe secili gjymtyrë i njëri-tjetrit" (Rom.12:4-5).
Nën përkujdesjen e Mitropolitit Andon, Atë Spiros dhe Zyrës së Katekizmit, çdo të diel zhvillohet programi i katekizmit për fëmijë, adoleshentë dhe të rinj. Të gjithë janë pjesëmarrës aktiv në Liturgjinë Hyjnore, djemtë kontribuojnë në Hierore dhe vajzat në psaltir. Pas Liturgjisë Hyjnore të gjithë mësojnë për Besimin Orthodhoks, Shkrimin e Shenjtë, Jetët e Shenjtorëve, artin kishtar dhe argëtohen me lojëra dhe aktivitete në natyrë.
Programi i veprimtarive të enorisë përmbush thirrjen për edukimin e brezave të rinj në besim, siç na mësoi vetë Zoti ynë: "Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e të këtillëve është Mbretëria e Perëndisë" (Lluk 18:16) dhe “Këto fjalë, që unë po të urdhëroj sot, ruaji gjithmonë në zemrën tënde; dhe mësojua me ngulm bijve të tu…" (Ligj. Përt. 6:6-7).
Enoria i kushton vëmendje të veçantë kujdesit baritor të komunitetit, duke kryer shërbesën e Ajazmës së vogël (Bekimi i Ujit), urata të ndryshme dhe mbledhjen e ndihmave për familjet në nevojë. Aktivitetet shoqërore, ekskursionet, kampet verore dhe kampet ditore shërbejnë gjithashtu për kultivimin e frymës së bashkëpunimit dhe forcimin të enorisë sipas Zotit. Ky shërbim ndaj tjetrit është thelbi i ligjit të Krishtit: "Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit" (Gal. 6:2) dhe “Le të kujdesemi njëri për tjetrin, duke e nxitur në dashuri e në punë të mira" (Heb. 10:24).
Përgjatë 5 viteve, besimtarët dhe dashamirësit kanë dhuruar dhe ndihmuar shumë, duke realizuar: lyerjen e kishës, ndriçimin me panele diellore, psaltirin, fronin despotik etj. Kjo kontribut i tyre plotëson nevojat e ndërtesës së kishës për t’i shërbyer sa më mirë komunitetit. Në traditën orthodhokse, të dhurosh është një mënyrë për të falënderuar Zotin: "Secili le të japë ashtu si ka vendosur në zemrën e vet, as me keqardhje as me detyrim, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar" (2 Kor 9:7).
Të gjitha këto veprimtari të enorisë sigurojnë që Besimi Orthodhoks të mbetet i gjallë ndër breza me qëllim që të gjithë të fitojmë Mbretërisë e Qiejve. Lavdi Perëndisë për të gjitha!
Priftëresha Gabriela Peci
Media Ngjallja
Data: 22.11.2025



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse