EmailFacebookKontakt
Lajme

Aktivitetet e katekizmit në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit, Tetor 2025!

01/11/2025

Me bekimin e Mitropolitit të Apollonisë dhe Fierit, Hirësisë së Tij, imzot Nikolla, rifilluan përsëri aktivitetet e katekizmit në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit në qendrat e katekizmit në Fier, Patos, Roskovec, Pojan, Seman, Verri, Marinëz, Sheqishte, Libofshë, Metaj, Agim, Ndërnënas. Në këto programe marin pjesë mbi 450 fëmijë. Në programet e katekizmit u kushtohet vëmendje e veçantë grupeve të grave në të cilat marin pjesë mbi 250 gra po në këto zona. Takimet e para të katekizmit filluan me Shërbesën e bekimit të vogël të ujit (Ajazma e vogël), ku u lutëm: “… bëna të denjë të mbushemi me shenjtërimin tënd me anën e marrjes dhe të spërkatjes nga ky ujë, dhe na u bëftë, o Zot, për shëndet shpirti dhe trupi, … që të ndriçohemi me dritën e njohjes, me anën e Trinisë së njëqenëshme”. 
Vepra e shenjtë e katekizmit realizohet nga bashkëpunimi i klerikëvë me katekistët. Programi i katekizmit përmban: Mësimin, lojrat, punë dore, këngë Krishtlindjesh, psalme dhe himne të ndryshme. Për fëmijët përdoret libri “Kristina mëson Misteret e Shenjta", nëpërmjet të cilit mësojmë Misteret e Kishës Orthodhokse. Njohja me Misteret nxit pjemarrjen në to dhe mëson të jetojmë sipas shembullit të Zotit tonë, Jisu Krisht.  
Çdo të diel në zonat e katekizmit që kanë kisha zhvillohet Liturgji Hyjnore. Ndërsa, një herë në muaj, të shtunave, në zonat që nuk kanë kisha zhvillohet Liturgji Hyjnore në ambientet që kemi në dispozicion, ose kemi marrë me qera. Pjesë e programit të katekizmit janë edhe vizitat baritore që kryhen në shtëpitë e besimtarëve dhe jo vetëm. Vizita baritore zhvillohen çdo muaj në dy qendrat shtetore: "Shtëpia e të Moshuarve Fier" dhe qendra "Horizont" (qendër me fëmijë me aftësi të veçanta). 
Në datat 11-12 tetor, Grupi i Grave aktive të shën Gjergjit, Fier, zhvilloi një pelegrinazh shpirtëror në Malin e Zi. Ndalesa e parë ishte në Kishën e re të shën Joan Vladimirit në Bar, një shenjtor shumë i dashur për të dyja etnitë.
Më pas vijuam me një vizitë të shkurtër në manastirin “Fjetja e Hyjlindëses” në Petrovac, vizitë panoramike në shën Stefan dhe Budva.
Rreth mesditës u gjendëm në manastirin e shën Petrit të Cetinjës, ku u mirëpritëm ngrohtësisht nga z. Apollon Mishenko duke na shpjeguar historinë e manastirit, jetëshkrimin e shën Petrit të Cetinjës dhe historinë si ka ardhur dora e Joan Pagëzorit në këtë vend. Me kujdesin e veçantë të z. Apollon dhe ndihmën e nxënësve të Liceut Kishtar u shtrua një drekë për të gjithë grupin dhe u zhvilluan biseda të lira dhe falënderimet e rastit.
Pas vizitës mbresëlënëse dhe mikpritjes bujare që na u ofrua në Cetinjë, u nisëm drejt manastirit të shën Vasilit të Ostrogut, ku edhe qëndruam një natë. Të nesërmen që herët në mëngjes, morëm pjesë në Liturgjinë Hyjnore të së dielës pranë lipsanit të shën Vasilit në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga rrethinat e  Malit të Zi, Serbia etj. Pas Liturgjisë Hyjnore  dhe nderimit të lipsaneve të shenjtorit, përjetuam përsëri mikpritjen malazeze nga manastiri duke na servirur  mëngjesin me shumë dashuri. Të dielën vijuam me vizitat në Niksic te kisha e shën Petrit të Cetinjës dhe Podgoricë në qendër të qytetit te katedralja “Ngjallja e Krishtit”.
Të frymëzuar nga ndjesitë që të falin vende të tilla, qetësinë dhe prehjen shpirtërore falenderojmë Perëndinë Triadik për bekimet e pafundme veçanërisht për këtë fundjavë të mbushur me gëzim, lutje, praninë e shumë lipsaneve, mikpritje dhe njohje e vlerave shpirtërore, kulturore dhe  historike të vendeve që vizituam.
Në  datë 27 tetor grupi i grave orthodhokse të Pojanit, së bashku me grupin e grave të Roskovecit, zhvilluan një ekskursion shpirtëror në qytetin e Elbasanit.
Fillimisht, ato vizituan Manastirin e hirshëm të Shën Joan Vladimirit, ku patën bekimin të falen para lipsaneve të shenjtorit.
Më pas, udhëtimi vazhdoi drejt Liqenit të Belshit, ku gratë kaluan momente relaksuese dhe të gëzueshme.
Falenderojmë klerikun e manastirit Atë Irineun, për mikëpritjen e ngrohtë në manastir.
Në fund të tetorit u  zhvillua trajnimi me temë “Enoria e shëndetshme” nga misionari i Kishës sonë, Z. Nathan Hoppe.
Në këtë trajnim u diskutua mbi rolin dhe përgjegjësinë e enorisë, si edhe pikat mbi të cilat ndërtohet një enori e shëndetshme.
Në këtë trajnim morën pjesë Hirësia e Tij, Imzot Nikolla, së bashku me priftërinj, priftëresha dhe katekistë të kësaj mitropolie.
Lavdi Perëndisë për të gjitha!

Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.

#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse