Agripni e shenjtë në Kishën e Shën Parashqevisë, Terihat, Dropull.
“Vigjiloni dhe lutuni, që të mos hyni në tundim” (Mattheu 26,41). Këto fjalë të Zotit tonë Jisu Krisht e nxitin besimtarin në një përvojë lutjeje të vazhdueshme, lutje e cila bëhet akoma edhe më intensive kur zhvillohet gjatë orës së mbrëmjes. Në mbrëmje, gjatë Agripnisë së Shenjtë, sikurse thekson Shën Isaak Siriani: “shpirti qetësohet nga tundimet e botës, duke siguruar kështu një komunikim mistik me Perëndinë”. I këtij mendimi është edhe Shën Efrem Siriani kur shton se: “I lumur është ai njeri që dëshiron agripninë (vigjilencën), sepse shpirti i tij bashkëbisedon me Perëndinë”, duke theksuar në këtë mënyrë gëzimin dhe ëmbëlsinë që sjell lutja gjatë heshtjes së natës.
Për të përjetuar gëzimin e kësaj “pune qiellore”, sikurse Shën Joan Gojarti cilëson Agripninë, Mitropoliti i Gjirokastrës, z. Nathanail, vendosi, që çdo të Premte në mbrëmje të zhvillohet Agripni e Shenjtë në Kishën e Shën Parashqevisë në Terihat, Dropull.
Agripnia nis në orën 21.00 me Shërbesën e Mbrëmësores, vijon me Shërbesën e Mëngjesores dhe kulmon me celebrimin e Liturgjisë Hyjnore, dhe përfundon pas mesnate, në orën 00.30.
Edhe këtë të premte, besimtarët, nga disa zona të hapësirës së gjerë të Mitropolisë së Shenjtë të Gjirokastrës, u mblodhën në kishën mrekullibërëse të Shën Parashqevisë, nën drejtimin e Mitropolitit Nathanail, për të marrë pjesë në Agrpni.
Të premten tjetër në mbrëmje (ora, 21:00-00:30), sikurse çdo të premte në mbrëmje në vazhdim, janë të ftuar të gjithë besimtarët të marrin pjesë në Agripninë e Shenjtë për të shfrytëzuar kështu një mundësi të dobishme shpirtërore, në mënyrë që të qëndrojmë akoma edhe më pranë Perëndisë në heshtjen dhe në atmosferën kataniktike të mbrëmjes. Agripnia nuk është thjesht një shërbesë e gjatë, por është një rrugëtim nga errësira në dritë, nga toka në qiell.
Data: 19.10.2025
Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse