Fjala e Kryepiskopit Anastas në fronëzimin e Mitropolitit të Beratit, Astit në Katedralen e Shën Dhimitrit, 21 nëntor 2024
I bekuar Emri i Zotit! Kujtoj kur para 33 vjetësh pata gëzimin të gjendem për herë të parë në Berat. Që në atë periudhë, shumë të rinj kishin vendosur të pasonin Kryepiskopin e ri dhe në vazhdim gjatë gjithë këtyre viteve kisha gëzimin e madh të pranisë dhe bashkëpunimit me këta njerëz të zgjedhur. Asti ishte njëri prej tyre. Sot është një gëzim i veçantë, kur sjell ndërmend që edhe babai i Astit ishte nga Berati. I jemi mirënjohës Perëndisë për familjen e bekuar të Zoi Bakallbashit dhe bashkëshortes së tij, Jolanda, që na dhuruan këtë njeri të zgjedhur, që t’i shërbejë Kishës. Tashmë 20 vjet pranë nesh, si Dhjak, Kryedhjak, Prift, Episkop ndihmës dhe me gjithë zemrën time do të doja ta lavdëroja Perëndinë për dhuratat e bekuara dhe hiret dhe ka dhënë. Jam bindur se ai do të vazhdojë veprën e shkëlqyer të paradhësit të tij, vëlla Ignatit i cili për shumë vite shërbeu në këtë Mitropoli të Shenjtë dhe që do të kujdeset gjithmonë të jetë ‘tipi e Krishtit”. Ky është roli i Episkopit.
Në emër të të gjithëve që sot përshëndesim këtë fillim të veprës së tij në këtë Mitropoli, dua ta kujtoj edhe ta uroj: Vepra e tij të jetë gjithmonë vepër besimi; Mundi i tij të jetë gjithmonë një mund dashurie; Shpresa e tij të jetë gjithmonë e lidhur me durimin. Nuk është i lehtë roli i Episkopit në ditët e sotme. aq më tepër në një vend kaq të rëndësishëm siç është ky qytet dhe kjo Mitropoli. Dhe kur u bë zgjedhja e tij, kujtova disa fjalë që janë udhërrëfyese për të gjithë ne. Ky është urimi që përshkruan Apostull Pavli në Letrën e tij dërguar Efesianëve: “Prandaj ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jisu Krisht, prej të cilit quhet çdo familje në qiejt e mbi dhe, që t’ju japë juve sipas pasurisë së lavdisë së tij të forcoheni në fuqi me anë të Frymës së tij në njeriun e brendshëm; që të banojë Krishti në zemrat tuaja me anë të besimit, që të rrënjosur e të themelosur në dashuri të mund të kuptoni bashkë me gjithë shenjtorët, ç’është gjerësia dhe gjatësia dhe thellësia e lartësia, edhe të njihni dashurinë e Krishtit, e cila kapërcen çdo dituri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë. Edhe atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishë me anë të Krishtit Jisu në gjithë brezat në jetë të jetëve. Amin. (Ef.3:14-21).
“… Që të banojë Krishti në zemrat tuaja me anë të besimit” – ky është sekreti i një jete të bekuar të Episkopit, por edhe i çdo të krishteri. Dashuri – më shumë thellësi, gjatësi, gjerësi dhe lartësi dashurie – ky është sekreti i një jetë sipas Zotit. Këto gjëra nuk janë të lehta, sikundër çdo gjë e çmuar është edhe e vështirë. Shpresa dhe frika jonë mbështetet në praninë e vazhdueshme të Zotit tonë që është kreu i Kishës.
Prandaj, papushim përfundojmë te fjalët e Apostull Pavlit: Edhe Atij që sipas fuqisë që veprohet tek ne mund të bëjë shumë më tepër nga gjithë sa kërkojmë ose mendojmë, Atij i qoftë lavdia në Kishë me anë të Krishtit Jisu në gjithë brezat në jetë të jetëve. Pra, lutemi që urimi ynë të shoqërojë gjithmonë veprën baritore të vëllait tonë të dashur, Asti. I denjë!
Fjala Fronëzuese e Hirësisë së tij, Mitropolitit të Beratit, Astit më 21 nëntor 2024
Fortlumturia juaj, Imzot Anastasi!
Fort të nderuar hierarkë të Sinodit të Shenjtë,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Kleriko – Laik,
Të nderuar klerikë, të nderuar klerikë të komuniteteve fetare, të nderuar përfaqësues të pushtetit lokal, të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, miq e dashamirës që keni ardhur këtu!
Brenda kësaj atmosfere të gëzueshme që përjetojmë sot të gjithë së bashku, dua të shpreh me pak rreshta mbushur plot dashuri, përkushtim dhe emocion, një mirënjohje dhe falënderim të thellë ndaj Perëndisë Triadik që më ka dhënë bekime të panumërta, dashuri për një shoqëri dashurie me Të dhe me njerëzit, vlerësime e ftesë të shërbej e të punoj në vreshtin e Tij, si meshtar, bashkëpunëtor, ungjillëzues, mësues e bari i Kishës së Tij.
Të njëjtën mirënjohje shpreh edhe ndaj jush Fortlumturi dhe të gjithë të nderuarve vëllezërve hierarkë të Sinodit të Shenjtë, që më thirrët përsëri në një hap tjetër të ri e të madh, për të më besuar shërbimin baritor të Mitropolisë së Shenjtë të Beratit, Vlorës, Kaninës dhe Lushnjës.
Në një dioqezë me histori të gjatë dhe të pasur, që fillon nga shekujt e parë të Krishterimit në Shqipëri, fillimisht duke qenë pjesë përbërëse e Mitropolisë së Madhe dhe Kryepiskopatës së Durrësit në Mijëvjeçarin e Parë; dhe duke vazhduar në Mesjetë si një qendër e veçantë e rëndësishme e Krishterimit Orthodhoks në vend e në Ballkan; dhe në vitet e Periudhës Osmane e deri më sot vazhdoi të luajë rol të rëndësishëm ndriçues, të kulturës, arsimit dhe identitetit orthodhoks të vendit. Kjo Mitropoli shfaqet si një vend burim-frymëzimi, mbushur me monumente nga më të vjetrat mesjetare bizantine të shpëtuara në Shqipëri, si edhe me shenjtorë të njohur e të panjohur, të shfaqur dhe të pashfaqur ende, e që pritet të shfaqen.
Sot, Fortlumturia juaj Imzot Anastasi, ju falënderojmë dhe gëzohemi në këtë Mitropoli, për veprën kolosale e historike të ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Ringritët gjithçka nga gërmadhat, ngritët të gjitha strukturat kishtare, por edhe po frymëzoni dhe mbështesni tërësinë orthodhokse dhe joorthodhokse me veprat e shumta bamirëse, sociale e kulturore, duke dhënë gjithashtu shembullin e udhëheqësit të shenjtë fetar, vizionar, ekumenik, me dashuri pa dallim race, kombi e feje.
Shpreh falënderime e lutje përshpirtjeje drejtuar atit e vëllait tonë të gjithmonëkujtueshëm, që u ngjit drejt përjetësisë së Zotit e Perëndisë tonë, Hirësi Ignatit, i cili punoi pareshtur që nga viti 1998 “në vreshtin e mbjellë prej së djathtës të të Lartit”, punoi si bari e mësues, si vëlla edhe si atë, me gëzim e dhimbje, duke e zhvilluar më tej veprën shenjtëruese, liturgjike, katekizuese, humane e shoqërore, mbushur me dashuri e përkushtim.
Vëllezër e motra në Krishtin!
Do të përpiqem me gjithë shpirtin tim dhe fuqinë time dhe do të mundohem të ofroj gjithçka që kam dhe gjithçka që kam mësuar në: Rritjen dhe thellimin në Krishtin, Miqësinë, Shërbimin dhe Dëshminë; objektiva të cilat na u dhanë qysh herët në fillim nga Kryepiskopi Anastas dhe u bënë busull për jetën tonë më Krishtin.
Të gjitha këto e shumë të tjera janë vulosur në ndërgjegjen time, për të jetuar më thellë dashurinë e Perëndisë. Le të jetë dashuria dhe përkushtimi im një përgjigje ndaj himnit; “Si do t’ia shpërblejmë Zotit të mirat që na ka bërë?”.
Duke ju falënderuar të gjithë përzemërsisht për praninë tuaj këtu, veçanërisht: bashkëmeshtarët dhe vëllezërit e motrat në Krishtin të dioqezës së Kryepiskopatës dhe Zëvendësive të saj, si dhe familjen time dhe të afërmit e mi, kërkoj lutjet dhe dashurinë tuaj, që Perëndia të më ndriçojë, të më fuqizojë e të më denjësojë në vazhdim në dashurinë e Tij si edhe në këtë përgjegjësi baritimi. Amin!
Media Ngjallja 20 Nëntor 2025



Shënim: Burimi: Radio Ngjallja. Lidhja origjinale: Radio Ngjallja.
#RadioNgjallja #Lajme #KishaOrthodhokse