Apostulli – Kolosianët 2:8-12
Vështroni se mos ju gënjejë ndonjë me anë të filozofisë e të mashtrimit të kotë, sipas traditave të njerëzve, sipas elementëve të botës dhe jo sipas Krishtit. Sepse tek ai rri trupërisht gjithë plotësia e hijeshisë. Edhe jeni të plotë tek ai, i cili është kryet e çdo autoriteti e çdo pushteti, në të cilin edhe u rrethpretë me rrethprerje që s’bëhet me dorë, duke zhveshur trupin e mëkateve të mishit me anë të rrethprerjes së Krishtit, duke u varrosur bashkë me atë në pagëzim, në të cilin edhe u ngjallët së bashku me anë të besimit të veprimit të Perëndisë, i cili e ngjalli atë prej të vdekurve.
Ungjilli – Llukai 2:20-21, 40-52
Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke nderuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, siç iu tha atyre. Edhe kur u mbushën të tetë ditët për të rrethprerë djalin, emri i tij u quajt Jisu, siç ishte quajtur prej engjëllit para se të zihej në bark. Edhe djali rritej e forcohej në shpirt, duke u mbushur me urtësi; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të. Edhe prindërit e tij vinin çdo vit në Jerusalem për të kremten e pashkës. Edhe kur u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jerusalem sipas zakonit të së kremtes. Edhe si mbaruan ditët, në kthim të tyre, djali Jisu mbeti prapa në Jerusalem; dhe Josifi dhe e ëma nuk e dinë. Po duke pandehur se ai ishte në rrugë me shokët, ecën një ditë udhë; dhe e kërkonin nëpër farefis e nëpër të njohurit. Edhe pasi nuk e gjetën, u kthyen prapë në Jerusalem duke kërkuar atë. Edhe pas tri ditësh e gjetën në tempull, duke ndenjur në mes të mësuesve e duke i dëgjuar ata e duke i pyetur ata. Edhe të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin për mendjen dhe përgjigjet e tij. Edhe kur e panë atë, u habitën; dhe e ëma i tha: O bir, ç’na bëre kështu? Ja, po të kërkojmë me pikëllim. Edhe ai u tha atyre: Pse më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në punët e Atit tim? Po ata nuk e kuptuan fjalën që u tha atyre. Edhe zbriti bashkë me ta dhe erdhi në Nazaret; dhe u bindej atyre. Edhe e ëma i ruante gjithë këto fjalë në zemrën e saj.
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2160. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës