Apostulli – 1 Thesalonikasve 2:20-3:8
Sepse ju jeni lavdia jonë dhe gëzimi. Prandaj, pasi nuk mundëm të durojmë më, e gjetëm për mirë të mbetemi të vetëm në Athinë, dhe dërguam Timotheun, vëllanë tonë, dhe shërbëtor të Perëndisë, dhe shokun tonë në punën e ungjillit të Krishtit, që t’ju forcojë e t’ju ngushëllojë për besimin tuaj; që të mos tundet asnjë në këto shtrëngime; sepse ju vetë e dini se për këtë jemi vënë. Sepse, kur ishim pranë jush, ju thoshim që përpara se kemi për të hequr shtrëngime, sikurse edhe u bë, dhe e dini. Prandaj edhe unë, pasi s’duroja dot më, dërgova që të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju ngau ai që nget, dhe shkon më kot mundimi ynë. Po tani që erdhi Timotheu nga ju tek ne, dhe na pruri lajmin e mirë për besimin e për dashurinë tuaj, dhe se na kujtoni gjithnjë për të mirë, dhe se keni mall të na shihni, sikurse edhe ne ju, prandaj, vëllezër, me gjithë shtrëngimin e nevojën tonë, u ngushëlluam për ju, prej besimit tuaj; sepse tani rrojmë, në qëndrofshi ju në Zotin.
Ungjilli – Llukai 20:27-44
U afruan edhe disa veta prej Saduqenjve, të cilët mohojnë se ka ngjallje, dhe e pyetën, duke thënë: Moisiu na ka shkruar: Në i vdektë ndonjërit vëllai që ka grua, dhe ky të vdesë pa lënë fëmijë, i vëllai i tij të marrë gruan, dhe të ngjallë farë për të vëllanë e tij. Ishin pra shtatë vëllezër; dhe i pari mori grua e vdiq pa lënë fëmijë. Dhe i dyti mori gruan; dhe ky vdiq pa lënë fëmijë. Edhe i treti e mori atë; gjithashtu edhe të shtatët; dhe nuk lanë fëmijë, dhe vdiqën. Edhe më pas nga të gjithë vdiq edhe gruaja. Në ngjallje, pra, grua e kujt nga ata do të jetë? Sepse edhe të shtatët e patën atë grua. Po Jisui u përgjigj e u tha atyre: Të bijtë e kësaj jete martojnë e martohen. Po ata që u bënë të zotët të fitojnë atë jetë dhe ngjalljen prej së vdekurish as martojnë as martohen, sepse as të vdesin nuk mundin më; sepse janë të ngjashëm me engjëjt; dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ngjalljes. Dhe se ngjallen të vdekurit, edhe Moisiu e tregoi në ferrë, kur thotë: Zotin Perëndinë e Abrahamit dhe Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakovit. Edhe Perëndia nuk është Perëndi të vdekurish, por të gjallësh; sepse të gjithë rrojnë në të. Edhe disa nga shkruesit u përgjigjën e thanë: Mësues, mirë the. Edhe nuk guxonin më ta pyetnin për asgjë. Edhe ai u tha atyre: Si thonë, se Krishti është bir i Davidit? Edhe Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve: “I tha Zoti Zotit tim, rri në të djathtën time, deri sa të vë armiqtë e tu nënkëmbje të këmbëve të tua”. Davidi pra e quan atë Zot, dhe si është i biri i tij?
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_j25 / ok9no_content ID 1745. Kategoria e vjetër: Leximet e ditës