Apostulli – Kolosianëve 2:13-20
Edhe ju, duke qenë të vdekur në faje e në parrethprerjen e mishit tuaj, ju bëri të gjallë bashkë me atë, duke ju falur gjithë fajet; edhe duke shuar dorëshkrimin e porosive që ishte kundër nesh, dhe këtë e hoqi nga mesi, duke mbërthyer atë në kryq. Edhe pasi i zhveshi autoritetet dhe pushtetet, i turpëroi në sy, duke triumfuar mbi ata nëpërmjet tij. Le të mos ju gjykojë pra, askush për ngrënie a për pirje, ose për gjëra që kanë të bëjnë me festa a me hënë të re, ose me të shtuna, të cilat janë hije të punëve që kanë për të ardhur, po trupi është i Krishtit. Askush le të mos ju privojë juve çmimin duke u shtirë sikur do përulësinë dhe adhurimin e engjëjve, duke hyrë në punë që s’i ka parë, duke u fryrë më kot prej mendjes së mishit të tij, dhe nuk mban kryet, Krishtin, prej të cilit gjithë trupi, duke u mbajtur e duke u lidhur bashkë me anë të nyjeve e të artikulimeve, rritet sipas rritjes që do Perëndia. Në qoftë pra se vdiqët bashkë me Krishtin nga elementët e botës, përse duke jetuar në botë jeni nën urdhra.
Ungjilli – Llukai 17:20-25
Edhe kur u pyet nga Farisenjtë se kur vjen mbretëria e Perëndisë, iu përgjigj atyre e tha: Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me të dukur. As nuk kanë për të thënë: Ja këtu është, ose: Ja atje; sepse ja mbretëria e Perëndisë tek është në mes tuaj. Edhe ai u tha nxënësve: Do të vijnë ditë, kur do të dëshironi të shihni një nga ditët e të Birit të njeriut; edhe nuk do të mundni. Edhe do t’j u thonë juve: Ja këtu është, ose, Ja atje; mos shkoni, as mos e ndiqni pas. Sepse sikurse vetëtima që vetëtin prej njërës anë nën qiell, ndrit deri në anën tjetër nën qiell, kështu do të jetë edhe i Biri i njeriut në ditën e tij. Po më përpara ai duhet të pësojë shumë, dhe të mos pëlqehet prej këtij brezi.
Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 2169. Kategoria e vjetër: Apostulli i ditës