
Ngjallja e Llazarit.
Këtë të shtunë nderojmë ngjalljen e Llazarit prej Jisu Krishtit. Llazari ishte shok i Krishtit dhe motrat e tij, Marta dhe Maria, e mikprisnin në shtëpinë e tyre shumë herë, e cila ndodhej në Vithani afër Jerusalemit. Disa ditë përpara pësimeve të Krishtit, Llazari u sëmur dhe të motrat e tij lajmëruan Zotin Krisht, i cili ndodhej në Galile që ta vizitonte. Por Zoti Krisht ndenji aty deri sa vdiq Llazari edhe atëherë u tha nxënësve të tij që të shkonin ta zgjonin.
Kur mbërriti në Vithani mori vesh prej motrave të Llazarit se ai kishte vdekur prej katër ditësh edhe kërkoi prej tyre që të shikonte varrin e tij. Kur arriti në varr qau edhe kërkoi që t’i hiqnin gurin e varrit. Atëherë ngriti sytë prej qiellit, falënderoi Perëndinë dhe Atin, dhe me zë të lartë thirri: Llazar, dil jashtë. Menjëherë doli jashtë i mbështjellë me pëlhura, prej katër ditësh në varr, përpara turmës së njerëzve, që shikonin ç’po ndodhte. Edhe Jisui kërkoi që ta lirojnë nga pëlhurat dhe të shkojë në shtëpi.
Tradita e vjetër na thotë se Llazari ishte 30 vjeç, dhe jetoi edhe 30 vjet të tjera. Ai mbaroi jetën e tij në Qipro, në vitin 63 pas Krishtit. Varri i tij në qytetin e Kition shkruan: “Llazari i katërditshmi dhe mik i Krishtit”. Në vitin 890 pas Krishtit lipsani i tij u transferua në Konstandinopojë nga perandori Leoni i Dituri.
Tradita na thotë se karakteristika që e dallonte Llazarin pas ngjalljes është se ai nuk qeshi asnjëherë, vetëm kur pa një njeri, i cili po vidhte një qyp balte dhe tha: “Balta po vjedh baltën”. Gjatë kësaj dite nuk bëhen përkujtimore të fjeturish me grurë, por vetëm trisagjio(Trisai).
Apostull Zakheu nga të 70-t.
Ngjarjen që vulosi jetën e tij na e përshkruan shën Llukai në kapitullin e 19 të Ungjillit të tij, nga vargu 1-10. Ishte izraelit kryekumerqar. Kumerqarët, nënpunësa të pushtuesve të urryer, idhujtarë romakë konsideroheshin tradhtarë të ndyrë (sipas ligjit të Moisiut, meqë kishin marrëdhënie me paganët). Blinin prej tyre të drejtën e grumbullimit të taksave dhe tatimeve, të cilat i kërkonin pastaj nga populli në përmasa shumë të fryra.
Arbitrariteti i tyre në vlerësimin e materialeve të taksueshme nëpër porte, ngushtica, pika ose nyje komunikimi, ku ishin doganat e tyre, u jepte pasuri kolosale. Ishin, domethënë, hajdutë të ligjëruar dhe shtypës, persona kaq të neveritshëm, saqë fjala kumerqar nënkuptonte të padrejtin dhe mëkatarin e skajshëm. Për më tepër nuk mbanin pushimin e së shtunës, pika kryesore së bashku me rrethprerjen, e fesë judaike.
Por, shumë besonin tek Krishti, prandaj Ai u bëri vërejtje kryepriftërinjve të papendueshëm: “Kumerqarët edhe të pamoralshmet venë më përpara se ju në Mbretërinë e Perëndisë” (Mat.21.31). Me të vërtetë Zakheu, që hebraisht do të thotë i pastër, i pafajshëm ndjeu diçka të zgjohej brenda vetes së tij dhe deshi të shikonte Shpëtimtarin që kalonte në Jeriko.
Por, masa e madhe e njerëzve e pengonte, ngaqë ishte shtatshkurtër. Atëherë nuk mori parasysh pozitën që kishte dhe u ngjit majë një peme. Shpëtimtari e thirri me emrin e tij edhe pse qe “i panjohur” për Të, të zbriste dhe ta priste në shtëpinë e tij. Dhe ashtu u bë, megjithë mërmëritjet e njerëzve, “se hyri të rrijë te një njeri fajtor” (Luk. 19.7).
Kryekumerqari u pendua dhe pendimin e tij e tregoi me vepra: Deklaroi se gjysmën e pasurisë së tij ua jepte të vobektëve dhe të gjithë atyre që mund t’iu kishte marrë para në mënyrë të padrejtë do t’ua kthente katërfish pra shumë më tepër nga çfarë kërkonte Ligji i Moisiut (Numrave 5.7). Eshtë më se e qartë; se do të mbetej i varfër! Jisui, në përgjigje të njerëzve që pak më përpara ankoheshin, tha se u shpëtua familja e kumerqarit dhe se pikërisht vetë “biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburin” (Luk.19.10).
Sipas një dëshmie të hershme, Zakheu pasoi apostull Petron (29 qershor), i cili e hierotonisi episkop të Qesarisë së Palestinës.

Arkiv historik Joomla. Burimi: oaca_Joomla30 / sg25k_content ID 3805. Kategoria e vjetër: Shenjtorët e ditës