
dhe Shpjegimi i Javës së Madhe
E DIELA E DAFINAVE (20 PRILL)
MËNGJESORJA – LITURGJIA HYJNORE – NDARJA E DAFINAVE
SHËRBESA E DHËNDRIT
ora 07:30
ora 18:00
E HËNA E MADHE (21 PRILL)
LITURGJIA E TË PARASHENJTËRUARAVE
ora 08:00
E MARTA E MADHE (22 PRILL)
E MËRKURA E MADHE (23 PRILL)
SHËRBESA E EFQELISË (VAJI I BEKUAR)
E ENJTJA E MADHE (24 PRILL)
MËNGJESORJA – MBRËMËSORJA – LITURGJIA E VASILIT TË MADH
SHËRBESA E PËSIMEVE – 12 UNGJIJTË
ora 17:30
E PREMTJA E MADHE (25 PRILL)
– ORËT E MËDHA – MBRËMËSORJA – ZBRITJA NGA KRYQI
– SHËRBESA E EPITAFIT – VAJTIME
– DALJA E EPITAFIT
ora 19:30
E SHTUNA E MADHE (26 PRILL)
MBRËMËSORJA – LITURGJIA E VASILIT TË MADH
CEREMONIA E NGJALLJES
– KANONI I SË SHTUNËS
– DALJA TEK SHESHI
– MËNGJESORJA – LITURGJIA E JOAN GOJARTIT
ora 22:45
ora 23:30
ora 00:15 – 02:30
E DIELA E PASHKËS (27 PRILL)
MBRËMËSORJA E DASHURISË
Java e Madhe e Pashkës
Në Kishën Orthodhokse java e fundit e jetës së Krishtit quhet zyrtarisht Java e Pësimit. Në emërtimin popullor është quajtur Java e Madhe.
Çdo ditë e Javës së Madhe ka temën e veçantë të saj, ku edhe besimtarët përjetojnë e mësojnë prej tyre konkretisht.
Tema e së Hënës së Madhe është ajo e drurit të fikut që nuk kishte fruta, por vetëm gjethe dhe për këtë u dënua me tharje.
Të Martën e Madhe , theksi është në vigjilencën e virgjëreshave të ditura, të cilat, jo si motrat e tyre të marra, ishin gati kur Zoti erdhi tek ato.
Të Mërkurën e Madhe , fokusi është në pendimin e gruas mëkatare. Në këtë ditë, theksohet shumë krahasimi ndërmjet gruas së përdalë që shpëtoi me anë të pendimit dhe Judës, që ishte një nga apostujt e zgjedhur, por që humbi nga pabesia dhe cmira.
E Enjtja e Madhe i kushtohet Darkës Mistike që Krishti kremtoi me dymbëdhjetë apostujt e tij. Tema kryesore e ditës është darka vetë, për të cilën Krishti porositi që Pashka e Dhiatës së Re të hahej në kujtim të tij, të trupit të tij që thyhet dhe gjakut të tij, që derdhet për ndjesën e mëkateve. Gjithashtu, në shërbesat e kësaj dite kujtohet tradhtia e Judës si dhe larja e këmbëve të nxënësve prej Krishtit.
E Premtja e Madhe i kushtohet Pësimeve dhe Kryqëzimit të Krishtit. Për arsye praktike kjo zhvillohet në mbrëmjen e së Enjtes. Në të është karakteristikë leximi i 12 fragmenteve nga të 4 Ungjijtë. Të gjitha këto lexime tregojnë Pësimet dhe Vuajtjet e Krishtit. Këndimi i parë është nga Ungjilli sipas Joanit 13:31-18:1. Ky është fjalimi i gjatë i Krishtit me nxënësit, që përfundon me të ashtuquajturën lutje kryepriftërore. Në mes së shërbesës del Kryqi me Krishtin e kryqëzuar dhe vendoset në mes të kishës. Ungjilli i fundit tregon vulosjen e varrit dhe vendosjen e rojeve (Mattheu 27:62-66).
Shërbesa e parë që i përket të Shtunës së Madhe , quajtur Sabati i Bekuar, kryhet në mbrëmjen e së Premtes së Zezë. Në të përkujtohet Varrimi i Krishtit. Përpara se të fillojë shërbesa, është përgatitur një “varr” (Kuvuklion) në mes të kishës dhe është zbukuruar me lule. Gjithashtu një ikonë e veçantë e pikturuar ose e qëndisur në një pëlhurë, epitafi, ku paraqitet Shpëtimtari Jisu Krisht i vdekur, është e vendosur në Altar. Më pas populli me qirinj të ndezur, duke kënduar himnet vajtuese “Ti o Krisht o jetë, ti u vure në varr…”, “Të meriton të të madhështojmë…”, ”Gjithë gjeneratat i blatojnë këngë varrimit tënd…” i kryesuar nga prifti që mban Ungjillin në duar dhe me Epitafin, del në procesion jashtë kishës.
Në mëngjes jepet mesazhi i parë i ngjalljes se Krishti është Perëndia që u shfaq ndër ne dhe ai ka ardhur të shpëtojë njerëzimin dhe ky mesazh jepet jo vetëm me anë të himneve, leximeve biblike, por edhe me ndryshimin e ngjyrave të stolive të kishës, klerikëve etj., duke vazhduar ky mesazh në vijim me Liturgjinë Hyjnore të Vasilit të Madh.
E Diela e Shenjtë e Pashkës fillon, pak përpara mesnatës të së Shtunës, me Vigjiljen e Pashkës. Gjatë kësaj shërbese kisha mbahet e ndriçuar shumë pak. Sipas zakonit të vjetër, mbas Kanonit shuhen të gjithë kandilat e kishës përveç “Kandilit të Pashuar” të Altarit.
Pastaj fillon Shërbesa e Dritës ose Shërbesa e Ngjalljes. Prifti merr qiriun e Pashkës dhe e ndez në “Kandilin e Pashuar” të Altarit dhe del tek Dyert e Bukura të Ikonastasit duke kënduar “Ejani e merrni dritë, prej dritës që s’perëndon, edhe lavdëroni Krishtin që u ngjall së vdekurish” dhe duke u afruar qiriun e tij besimtarëve që ka pranë për t’i ndezur edhe ata, e kështu ata me njëri-tjetrin e përhapin këtë dritë në të gjithë kishën. Në vazhdim kleri e populli del nga kisha duke kënduar “Ngjalljen Tënde o Krisht Shpëtimtar, Engjëjt në qiell e himnojnë; vlerësona edhe ne përmbi dhenë, me zemër të pastër Ty të lavdërojmë” shkojnë tek tribuna ku do të shpallet Lajmi i Mirë që Krishti u ngjall. Ky është procesioni i kalimit të shenjtë, prej vdekjes në jetë, prej tokës në qiell, prej kësaj jete në atë atë që të do vijë dhe që është pa mbarim. Gjithashtu ky procesion i të krishterëve gjatë natës së Pashkës, të kujton procesionin pagëzimor prej errësirës dhe vdekjes së kësaj bote në dritën dhe jetën e Mbretërisë së Perëndisë. Pastaj lexohet mesazhi i Hierarkut lokal e në vazhdim fragmenti ungjillor i Ngjalljes (sipas Markut 16:1-8). Menjëherë fillohet të këndohet himni karakteristik i Pashkës “Krishti u ngjall së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli dhe të varrosurve iu fali jetën” ku edhe fillojnë të bien kambanat dhe besimtarët çukisin vezët e kuqe.
Pastaj kleri e populli rihyn në Kishë dhe vazhdon me shërbesën e Mëngjesores së Pashkës dhe Liturgjisë Hyjnore të Joan Gojartit, në të cilën edhe kungohet me Trupin dhe Gjakun e Krishtit, si finalizim e kurorëzim të kësaj feste mbarënjerëzore, duke u ngazëlluar e shijuar këtë gëzim me vetë takimin personal me Krishtin Shpëtimtar, por edhe duke e kurorëzuar me sukses edhe atë përgatitje 40 ditore të kreshmës shpirtërore e trupore.
Gjatë paradites së kësaj festeje mbarënjerëzore është bërë traditë e bukur dhe mjaft domethënëse vizitat e pritjet festive nëpër kisha e në seli mitropolitane të besimtarëve, autoriteteve qeveritare e lokale.
Në mbrëmje kryhet Shërbesa e Mbrëmësores së Dashurisë, që ka si temë Shfaqjen e Krishtit të Ngjallur përpara nxënësve të Tij, ku edhe lexohet ky fragment ungjilli në disa gjuhë të botës. Në disa vende kjo shërbesë kryhet paradite.
Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/progjavmadh.htm