
Takimi i të rinjve orthodhoksë të Dioqezës së Tiranës është i fundit që u zhvillua për këtë vit. Ai u organizua në Elbasan, nga 23 deri në 25 nëntor. Në të morën pjesë rreth 90 të rinj nga grupet rinore të: Shkodrës, Durrësit, Kavajës, Tiranës, Gramshit, Elbasanit, Fikasit, Shtërmenit, Librazhdit, Shijonit. Për herë të parë ishin ftuar edhe të rinj nga qyteti i Bajram Currit.
Tema e takimit ishte “ Të Gëzuar me Shpresën e Zotit ”. E para e mori fjalën znj. Katerina Papadhopulli. Referati i saj ishte organizuar mbi bazën e ndarjes në disa grupe, ku secili nga ato fliste rreth një historie të caktuar, që kishte lidhje me temën. Kjo solli nj ë aktivizim më të madh të të gjithë të rinjve, duke diskutuar dhe bërë pyetje të ndryshme.

Referatin e dytë e mbajti Episkopi i Apollonisë, Hirësia e Tij Nikolla, me temë: “ Krishti Shpresa Jonë ”. Hirësi Nikolla theksoi se “ Të rinjtë e humbin shpesh herë shpresën dhe kjo i çon ata në vetëvrasje, në depresion etj., por nëse ekziston Krishti në zemrat tona shpresa nuk shuhet kurrë. Hiri i Perëndisë na forcon dhe na jep guxim për të përballuar çdo vështirësi, sepse Krishti është shpresa jonë e vetme ”.
Meqë të rinjtë kishin shumë pyetje për referatin edhe seanca u zgjat pak më shumë se sa ishte programuar.
Në takim, përveç referateve, lutjeve e shërbesave të ndryshme, si Shërbesa e Mëngjesores, Mbrëmësorja, Pasdarka dhe Paraklisi, nuk mungonin edhe lojërat e ndryshme, programet argëtuese, diskutimet në grupe etj. Ndërsa të rinjtë e qytetit të Gramshit dhe të rinjtë e qytetit të Bajram Currit kishin përgatitur disa valle me koreografi të bërë nga ata vetë.
Të dielën të gjithë së bashku shkuam në Kishën e Shën Thanasit, për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore, pas së cilës u bë ndarja dhe u falënderuan grupet për pjesëmarrjen e tyre në takim.
Emanuel Pupi
Koordinator i Zyrës Kombëtare Rinore
Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/viti07/takimrintr.htm