EmailFacebookKontakt
Lajme

Kryepiskopi Anastas dhuron ndihma në vazhdimësi për banorët e përfshirë nga tragjedia

24/03/2008
Kryepiskopi Anastas dhuron ndihma në vazhdimësi për banorët e përfshirë nga tragjedia

Në vazhdimësi të interesit të treguar nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në dt. 24 mars Kryepiskopi Anastas shkoi në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme (Kovaleshencës) në Durrës, ku janë strehuar rreth 400 nga banorët që kanë humbur shtëpitë. Aty ai pati një bisedë të ngrohtë me drejtorin e këtij institucioni, i cili e falënderoi për interesimin e treguar dhe për ndihmat e dhënë nga Kisha.

Prej ditësh studentë dhe pedagogë të Akademisë Teologjike Orthodhokse “Ngjallja e Krishtit” në Shën Vlash dhe përfaqësues të rinisë orthodhokse, kanë qenë në këto mjedise, për t’u interesuar për nevojat e tyre më imediate, por edhe për të dhënë një mbështetje shpirtërore, dukë organizuar veprimtari me fëmijët dhe të rinjtë e shumtë.

Kryepiskopi Anastas dhuron ndihma në vazhdimësi për banorët e përfshirë nga tragjedia

Nga këto takime kanë dalë edhe disa nga nevojat më imediate, ndaj Kryepiskopi Anastas dhuroi për ta 50 ngrohës, me vlerë 100 mijë lekë, të cilët me ftohjen e motit u bënë të nevojshëm sidomos për familjet me fëmijë të vegjël. Kryepiskopi ndau edhe dhurata për më të vegjlit.

Fortlumturia e Tij u interesua edhe për nevojat që kanë dalë, dhe mbasi premtoi se shumë shpejt do të jepen e edhe 100 kuverta, u shpreh se do shihte mundësinë e plotësimit edhe për kërkesa të tjera.

Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas tha se ky interesim nuk do të zbehet me kalimin e ditëve dhe se po bëhen përpjekje për të siguruar fonde për të rindërtuar një shkollë a kopsht në zonën e shkatërruar nga shpërthimi etj.

Në një takim që ai pati me Ministrin e Arsimit z. Genc Pollo, Kryepiskopi shprehu dëshirën që të kontribuojë përmes fondeve të bashkëpunëtorëve të Kishës në botë, në rindërtimin e kopshtit ose shkollës së fshatit Gërdec. Ministri i Arsimit pasi shprehu falënderimin për ndihmën e ofruar, sugjeroi që fillimisht Kisha mund të ndihmojë në rindërtimin e kopshtit, meqenëse është kërkesë më imediate nga banorët e zonës, ndërsa më vonë mund të jepet ndihmë edhe për rindërtimin e shkollës.

Ndihma e dhënë nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë që në orët e para pas tragjedisë së Gërdecit, do të vazhdojë deri në rehabilitimin e plotë të banorëve.

Thoma Dhima


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/panair.htm