EmailFacebookKontakt
Lajme

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë dorëzon ndihma të reja për banorët e Gërdecit

17/04/2008
Kisha Orthodhokse e Shqipërisë dorëzon ndihma të reja për banorët e Gërdecit

– 10.4 tonë ndihma u mblodhën nga besimtarë orthodhoksë grekë –

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në përpjekjet për të ndihmuar banorët që iu shkatërruan shtëpitë në Gërdec, bëri edhe apele jashtë vendit, për të siguruar ndihma dhe mbështetje për ta. Ky interesim i dha frytet e tij, ku mund të përmendim ndihmat e mbledhura e dërguara nga besimtarë orthodhoksë të Greqisë apo interesimin e treguar nga IOCC, që vepron si agjenci për emergjencat dhe ndihmat nën Konferencën e Episkopëve Orthodhoksë Kanonikë të SHBA etj.

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë dorëzon ndihma të reja për banorët e Gërdecit

Në këtë kuadër, në pjesën e dytë të prillit, përfaqësues nga Kisha jonë dorëzuan në magazinat e emergjencës të Bashkisë Vorë mbi 10 tonë ndihma për banorët e prekur nga tragjedia e Gërdecit.

Kështu, në datën 17 prill, u dorëzuan 4.2 tonë ndihma të mbledhura nga besimtarë të Mitropolisë së Larisas, që përfshinin 1 ton miell, fasule, sheqer, vaj, makarona etj., si dhe 100 batanije dhe veshje të ndryshme.

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë dorëzon ndihma të reja për banorët e Gërdecit

Në datën 20 prill, nga përfaqësuesit e Kishës sonë u dorëzua në depo një tjetër ngarkesë me ndihma, këtë radhë të mbledhura nga besimtarë të Mitropolisë së Follorinës, me peshë 6.2 tonë. Ajo përmbante rroba, këpucë, ushqime si: oriz, makarona etj.

Pra, u dorëzuan 10.4 tonë ndihma, në vazhdimësi të ndihmës që Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me kujdesin e veçantë të Kryepiskopit Anastas, dha që në çastet e para për të lehtësuar gjendjen e të prekurve nga fatkeqësia, ndihmë që do vazhdojë edhe më tej duke përfshirë jo vetëm ndihmat emergjente në ushqime e veshje, por edhe mbështetja që iu dha atyre që iu prishur shtëpitë nga studentët e të rinjtë orthodhoksë e deri tek kontributi për rifillimin normal të jetës, duke kontribuar në rifunksionimin e institucioneve arsimore.

Për këto ndihma, Kisha jonë mori edhe falënderime zyrtare nga Bashkia e Vorës, nga Kryetari i saj Fiqiri Ismaili, në emër të gjithë komunitetit të banorëve, për ndihmat dhe kujdesin e treguar. Në këtë falënderim shkruhej:

“I gjithë komuniteti i Bashkisë së Vorës ju falënderon në kuadër të ndihmës suaj në veshmbathje dhe ushqime të ndryshme, së gjendur në këto momente të vështira të ndodhura nga shpërthimi teknologjik i tragjedisë së Gërdecit.

Në këto momente, çdo ndihmë, qoftë edhe morale, është nevojshme për të kaluar këtë traumë të rëndë që i ndodhi komunitetit të Bashkisë Vorë.”

Atë Vasil Skordileva


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/voreshqip.htm