EmailFacebookKontakt
Lajme

E kremtja e Theofanisë (Ujit të bekuar) në Pogradec

06/01/2010

Ndonëse në një kohë të ftohtë, me qindra besimtarë morën pjesë në 6 janar në festën e Ujit të bekuar. Shërbesa e Mëngjesores filloi në orën 7:30, duke vazhduar me Liturgjinë Hyjnore dhe më tej me Shërbesën e Ujit të bekuar. Në këtë ditë të veçantë, shërbesat u kryesuan nga Mitropoliti i Korçës, Hirësi Joani.

Hedhja e Kryqit në ujë ishte një bekim për të gjithë besimtarët, por në veçanti për të riun Xhakomo Bushi, i cili mes 25 të rinjve të tjerë që u hodhën në ujërat e liqenit, duke sfiduar edhe ujërat e ftohta, ishte i pari që e kapi atë.

Hirësi Joani shpjegoi para besimtarëve dhe mediave të pranishme se kjo festë quhet dritë sepse u shfaq Perëndia dhe vete Perëndia është drita. Ai na u shfaq duke zbuluar misterin e Trinisë së Shenjtë. Ne çuditemi nga përulësia e Krishtit. Le të jemi të ndriçuar gjatë gjithë jetës sonë me hirin e Perëndisë dhe me virtyt.

Besimtarët uruan njëri-tjetrin për këtë ditë kaq të bekuar, që Perëndia i ka falur popullit të tij. Si bekim të kësaj dite besimtarët morën me vete me shumë shpresëtari dhuratën e veçantë të kësaj dite, ujin e bekuar si bekim për familjet e tyre .

Vasil Jovani


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2010/TheofanianePogradec.htm