EmailFacebookKontakt
Lajme

Festivali i 13-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë

26/12/2010
Festivali i 13-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë

Kisha Orthodhokse

Në datën 26 dhjetor veç atmosferës së bukur të krijuar nga festa e Krishtlindjeve, të rinjtë orthodhoksë nga të 4 dioqezat e vendit morën pjesë në Festivalin Kombëtar të Rinisë Orthodhokse të organizuar nga Zyra Qendrore e Rinisë, nën kujdesin e Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Imzot Anastasit.

Festivali i 13-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë

Në këtë aktivitet, që u zhvillua në sallën pranë kishës së Ungjillëzimit, në Tiranë, grupet u prezantuan me këngë, valle tradicionale, këngë popullore me motive nga vendet prej të cilat vinin, si dhe me krijimtari të reja.

Ishin të pranishëm Kryepiskopi Anastas, mitropoliti i Beratit Imzot Ignati, episkopët ndihmës të Kryepiskopit Hirësia Nikolla dhe Hirësi Andoni, klerikë, të rinj dhe besimtarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

Festivali i 13-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë

Entuziazmi rinor nuk mungoi për asnjë çast gjatë gjithë këtij aktiviteti.

Vendin e parë e mori grupi i Liceut Kishtar “Kryqi i nderuar” të Sukthit, por ashtu siç tha edhe kryetari i jurisë prof. Milto Vako të gjithë ishin fitues në këtë festival.

Në fund përshëndeti kryebari i Kishës Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi ku ndër të tjera rikujtoi edhe një herë të rinjtë për 4 shtyllat, në të cilat duhet të mbështetet rinia orthodhokse: 1. Studimi, rritja në dije me Krishtin 2. Miqësia 3. Dëshmia 4. Shërbimi.

Festivali i 13-të Kombëtar i Rinisë Orthodhokse të Shqipërisë

Festivali Kombëtar i Rinisë është një aktivitet që zhvillohet çdo vit në Tiranë duke u dhënë kështu mundësi të rinjve të afrohen dhe të njihen me njeri tjetrin në emër të Krishtit dhe të shfaqin talentet e tyre artistike.

Joan Meni

Foto: Nektar Pashko


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2010/festivalrinise.htm