EmailFacebookKontakt
Lajme

Takim studentor në prag të Krishtlindjes

18/12/2010
Takim studentor në prag të Krishtlindjes

Kisha Orthodhokse

Në kuadër të pritjes së festës së Krishtlindjes, ditën e shtunë, më 18 dhjetor, në Qendrën Studentore të Kishës sonë në Tiranë u zhvillua takimi i studentëve orthodhoksë me temë: "Ku do të jetë grazhdi i Krishtit foshnjë për këtë vit" . Ky ishte takimi i fundit studentor për vitin 2010, takim i cili i përgatiti të gjithë për pritjen e madhe të ardhjes së Shpëtimtarit. Gjithçka në Qendër tregonte se kjo e kremte e madhe sjell harmoni dhe bukuri në jetë. Të gjitha zbukurimet tregonin në heshtje se në botë po vjen Drita, që i tregon të gjithë njerëzimit se si duhet të ecim në jetë.

Takim studentor në prag të Krishtlindjes

Programi nisi me lutjen e mëngjesit, e cila u pasua nga referati i parë i misionares Pamela Barksdale, e cila theksoi rëndësinë e edukimit të krishterë në familje. Më pas, studentët u drejtuan për në Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallulli”, ku atmosfera u mbush me gëzim edhe për të rinjtë orthodhoksë, edhe për fëmijët e kësaj Shtëpie, të cilët ndanë me njëri-tjetrin këngë e valle. Studentët iu dhuruan fëmijëve dhuratën e Krishtlindjes, duke ndarë me ta dashurinë e krishterë.

Pas kësaj vizite baritore, ata ndoqën referatin e dytë nga Episkopi i Apolloninë, Hirësi Nikolla, i cili theksoi që për këtë Krishtlindje dhe çdo ditë të jetës duhet të jetojmë çudinë, ashtu si Shën Maria me Josifin. “ Jeta bëhet monotone, sepse nuk jetojmë çudinë. Zoti ynë është Zot i surprizave dhe gjithmonë na gëzon dhe na rrit me të papriturat që na sjell. Kur zbatojmë porositë dhe i bindemi vullnetit të Tij, atëherë e kemi bërë zemrën grazhd ku shtrihet foshnja e vogël Jisu ” – përfundoi fjalën e tij, imzot Nikolla. Gjithashtu programi përmbante takime në grupe të vogla ku pjesëmarrësit reflektuan mbi ecurinë e tyre shpirtërore, orën e punimeve artizanale dhe përfundoi me shërbesën e Mbrëmësores. Para se të largoheshin, për secilin prej studentëve ishte përgatitur një surprizë. Sipas traditës së Krishtlindjeve, një student i veshur si shën Nikolla, ndau për të gjithë dhurata, në kujtim të dhuratës së madhe që Perëndia bëri për mbarë njerëzimin, Birin e tij të Vetëmlindur.

Takim studentor në prag të Krishtlindjes

Ana Baba, Isidor Koti


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2010/Takimstudentor.htm