EmailFacebookKontakt
Lajme

Kremtimi i së kremtes së Shën Joan Vladimirit në Elbasan

04/06/2011
Kremtimi i së kremtes së Shën Joan Vladimirit në Elbasan

Kisha Orthodhokse

Edhe këtë vit, manastiri i shën Joan Vladimirit në Shijon të Elbasanit, u mbush plot e përplot me besimtarë të ardhur nga fshatra e qytete të ndryshme të Shqipërisë së Mesme, asaj Juglindore, por dhe jashtë kufijve, nga Republika e Malit të Zi dhe e një grupi studentësh të Teologjisë nga Sh.B.A. të udhëhequr nga atë Luka Veronis, i cili ka shërbyer për shumë vite si misionar në Kishën e Shqipërisë.

Kremtimi i së kremtes së Shën Joan Vladimirit në Elbasan

Shërbesa e Agripnisë filloi në mbrëmjen e datës 3 qershor në orën 21:00 dhe vazhdoi gjatë gjithë natës, deri në agim të datës 4 qershor 2011.

Të nesërmen u zhvillua sërish Liturgji Hyjnore për të kunguar ata besimtarë të cilët nuk mundën të vinin gjatë natës. Shërbesat u zhvilluan nga një numër i madh klerikësh vendas e të huaj dhe u drejtuan nga Episkop Nikolla, Ndihmës i Kryepiskopit. Ato u ndoqën me besim e shpresëtari të madhe, prej besimtarëve të panumërt që rrinin si brenda në kishën e manastirit ashtu edhe jashtë saj. Mbresëlënëse ishte litania e shenjtorit përreth kishës në datë 4 qershor me të gjithë klerikët e besimtarët. Edhe njëherë, u vu re dashuria e besimtarëve orthodhoksë e jo orthodhoksë për këtë shenjtor dhe lipsaneve të tij, që nderojmë. Gjatë gjithë ditës , besimtarët iknin e vinin, duke u ndjerë më të mbushur me dashurinë hyjnore. Panairin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe pushtetarët qendrorë e lokalë si zv/kryetari i Kuvendit Popullor Z. Ardjan Turku, e dërguara e Kryeministrisë, znj. Mimoza Hasekiu, prefekti i Qarkut Z. Shefqet Deliallisi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Z. Blendi Himci etj.

Kremtimi i së kremtes së Shën Joan Vladimirit në Elbasan

E kremtja e bekuar e shën Joan Vladimirit kaloi e mbushur me dritë e me shpresë dhe panairi u mbyll me lutjet drejtuar Perëndisë, për më shumë paqe, dashuri e pjesëmarrje të providencës hyjnore këtu mbi tokë.

Atë Stavri Çipi


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year2011/shenvladimiri.htm