
Ditën e shtunë, dt. 5 dhjetor 2009, me rastin e 15 vjetorit të krijimit të Përkujdesjes Ditore (kopshtit) “Frymë Dashurie” në qytetin tonë të Durrësit, organizuam një aktivitet me tematikë.
Kjo Përkujdesje Ditore për fëmijë u hap nën kujdesin atëror të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, më 5 dhjetor 1994 , duke filluar funksionimin e saj në atë kohë në një ndërtesë private me qira, ndërsa sot ajo ka ndërtesën e saj, në lagjen nr. 1, me kushte mjaft komode dhe bashkëkohore. ( Për më tepër informacion rreth përkujdesjeve ditore për fëmijë klikoni http://www.orthodoxalbania.org/Shqip/akademteo/ZKframe.htm )

Në këtë ceremoni të rëndësishme dhe emocionuese për kopshtin tonë na nderuan me praninë e tyre: i dërguari i Kryepiskopit Anastas, Arkimandrit Kozma Sovjani, Drejtoresha e Zyrës së Përkujdesjeve Ditore znj. Nafsika Melo, priftërinjtë e kishës sonë, edukatore, prindër, dhe shumë të ftuar.
Aktiviteti u shoqërua me një koncert të madh festiv, në të cilin fëmijët recituan, kënduan, interpretuan dhe kërcyen, por më e veçanta e këtij spektakli ishin të ftuarit që dikur kanë qenë filizat e para të kopshtit tonë, ndërsa sot janë 15 vjet më të rritura. (prezantueset e shfaqjes Joana dhe Klara).

Në fund të programit të ftuarit i përshëndeti Arkimandrit Kozma Sovjani dhe Drejtoresha znj. Nafsika Melo. Më pas të pranishmit ndoqën me interes ekspozitën “Duart e arta” me punimet më të bukura të krijuara nga vetë fëmijët. Mjaft interesante ishte këndi “Kopshti ynë në vite”, në të cilin ishin vendosur fotografi që pasqyronin aktivitetet e ndryshme të zhvilluara në kopshtin tonë gjatë këtyre 15 viteve.
Festa u mbyll me kokteilin e shtruar për këtë ceremoni shumë të rëndësishme për kopshtin tonë.
Nga Përkujdesja Ditore e qytetit të Durrësit
Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/Year09/15vjetfilizat.htm