EmailFacebookKontakt
Lajme

Koncert për Krishtlindje i korit “Joan Kukuzeli”

01/01/2008

U konceptua në formën e turneut nëpër disa qytete

Koncert për Krishtlindje i korit “Joan Kukuzeli”

Pasuria e thesarit estetik dhe, kryesisht, shpirtëror i Muzikës Kishtare u përcoll me sukses gjatë periudhës përgatitore të Krishtlindjes, në një koncert me titull “Ç’të të blatojmë o Krisht, që u duke mbi dhé!”, nga kori kishtar bizantin “Joan Kukuzeli”. Koncerti “udhëtoi” në disa qytete si: Kavajë, Vlorë, Fier dhe Berat, duke u pritur me dashamirësi nga besimtarët orthodhoksë dhe kulturëdashësit e këtyre enorive.

Më datë 22 dhjetor, kori dha koncert edhe në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë, ku mes pjesëmarrësve ishin edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, Episkopi i Apollonisë, imzot Nikolla, Episkopi i Krujës, imzot Andoni, si edhe klerikë të tjerë, besimtarë dhe artdashës të kryeqytetit.

“Psalim për Krishtlindjen, pasi kur ndodhi ajo psalën edhe engjëjt, gjë unike midis festave të mëdha! Psalën himnin e gëzueshëm për botën e tërë – “Lavdi Perëndisë që është në më të lartat dhe mbi dhenë paqe dhe mbi njerëzit mirëdashje.” – u tha gjatë programit nga prezantuesi i korit.

Koncert për Krishtlindje i korit “Joan Kukuzeli”

Koncerti kishte si qëllim të jepte një shijim të vogël nga pasuria e thesarit muzikor të Orthodhoksisë, të cilët diktatorët dhe ateistët e shkëputën nga populli në mënyrë barbare dhe brutale nga rrënjët e tij shpirtërore dhe kulturore, ndaj dhe Muzika Bizantine, e mrekullueshme dhe qiellore, sot nuk është mjaft e njohur.

Programi nisi si tek Shërbesa e Mbrëmësores, “O Zot thirra tek ty” (Psalmi 140) dhe pastaj me tropare tepër të bukur dhe vijoi për rreth 90 minuta, duke u mbyllur me vargjet nga Polielei “Lavdëroni Zotin” (Psalmi 135).

Kori kishtar bizantin “Joan Kukuzeli”, i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u formua në Tiranë, në vitin 1995. Pjesëmarrës në të janë kryesisht të rinj orthodhoksë, të cilët kanë mbaruar Akademinë Teologjik

Koncert për Krishtlindje i korit “Joan Kukuzeli”

e “Ngjallja e Krishtit”, në Shën Vlash, Durrës, apo kurset e herëpashershme të muzikës bizantine në Tiranë. Katër nga ata kanë mbaruar studime për muzikë bizantine jashtë vendit.

Drejtues dhe themelues i korit është Atë Justini, murg-prift nga Mali i Shenjtë, i cili shërben në vendin tonë që nga viti 1992.

Ky kor, i cili sot përbëhet nga rreth 20 anëtarë, ka dhënë edhe shumë koncerte në qytete të ndryshme të vendit dhe jashtë Shqipërisë, si p.sh. koncerti në Izrael me rastin e 2 mijë vjet Krishterim. Gjithashtu ka realizuar edhe regjistrime të ndryshme dhe ka nxjerrë deri tani 6 CD me himne kishtare në shqip.

Th. Dhima & I.Koti

Burimi arkivor: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/KoriBizantin.html


Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/KoriBizantin.html