Qendrën Thavor
– Rini e zellshme dhe aktive –
Në
datat 16 -18 maj 2008 u organizua në Qendrën shpirtërore – arsimore
“Thavor” aktiviteti rinor “Rini e zellshme dhe aktive” ku morën pjesë
rreth 50 të rinj nga grupet rinore të Dioqezës së Tiranës: Durrësi,
Elbasani, Gjinari, Mliza, Shijoni, Shtërmeni, Cërriku, Tropoja, Tirana
dhe të rinj nga Qyteti Studenti në kryeqytet.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte aftësimi i të rinjve dhe trajnimi i
tyre për të mësuar punë artizanale dhe eksperiencën e fituar në këtë
aktivitet ta përhapin në qendrat e tyre rinore. Ata mësuan të përgatisin
komboskinë, kryqe të ndryshme, ikona në dru dhe punime në allçi. Nga
pesë përfaqësues të çdo grupi rinor u ndanë në pesë grupe ku arritën të
mësojnë nga të gjitha llojet e punimeve që u bënë në këtë aktivitet.
Këto punime do të jetë një kontribut në sigurimin e një pjesë të të
ardhurave në realizimin e aktiviteteve rinore nëpër enori.
Përveç punimeve në grup në këtë aktivitet kishte edhe program
shpirtëror, social-kulturor dhe argëtues. Në temën e mbajtur nga
Arqimandrit Kozma Prifti “Rini e zellshme dhe aktive”, ai theksoi se
rinia është një forcë e madhe e shoqërisë dhe me punën dhe vizionin e
saj ajo mund të bëjë ndryshime të thella.
Gjithashtu Atë Kozmai theksoi se Kishën nuk duhet ta shikojmë si një
institucion ku vetëm mund të marrim, por si një vend ku duhet të japim
dhe të kontribuojmë për të dhe kjo është një mënyrë e mirë që të rinjtë
me këtë eksperiencë të fituar të kontribuojnë sadopak për Kishën tonë.
Këtë aktivitet e vizituan nga afër edhe dy donatore nga Zvicra,
Madeleine Hirsch Jemma dhe Esther Oettli, të cilat kanë sponsorizuar
realizimin e këtij aktiviteti
Në këtë veprimtari të rinjtë fituan edhe shoqëri të reja dhe më
kryesorja është se ata dëshmuan si të sigurojnë një kontribut sado të
vogël për qendrat e tyre për t’u bërë pjesë e dobishme e shoqërisë në të
ardhmen
Emanuel Pupi
Burimi arkivor: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/arizanal.htm
Arkiv historik i faqes së vjetër. Burimi: OldWebpage/Shqip/Shtypi & Publikimet/year08/arizanal.htm