Vuajtja
Nuk ka jetë në këtë botë pa vuajtje. Pushimi i vuajtjes vjen vetëm në Mbretërinë e Perëndisë.
Në përgjithësi, ka tre burime vuajtjesh në këtë botë: vuajtje nga persekutimet e të tjerëve në trup dhe në shpirt, vuajtje nga sëmundjet dhe dobësitë dhe vuajtje në mendje për shkak të mëkateve të botës. Ka vetëm dy mënyra për t’u marrë me këto vuajtje. Ose t’i pranosh përunjësisht ato dhe t’i shndërrosh ato në rrugën e shpëtimit për veten dhe për të tjerët; ose të mundesh prej tyre me rebelimin dhe kundërshtimin dhe kështu “mallkon Perëndinë dhe vdes” si fizikisht, ashtu edhe për përjetësinë në botën që vjen (kr. Jobi 2:9-10).
Ne e kemi parë tashmë se “të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jisu do të përndiqen” (2 Timotheu 3:12); dhe të krishterët duhet “ta konsiderojnë një gëzim të madh’ kur ata “ndodhen përballë sprovash të ndryshme” (Jakovi 1:2), “duke u gëzuar se qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin” (Veprat 5:41).
Ne kemi parë, gjithashtu, se ata që vuajnë nëpërmjet sëmundjes dhe dobësisë me çdo virtyt të Krishtit do të marrin “hir të mjaftueshëm” prej Perëndisë për të qenë të fortë në Zotin në dobësitë e tyre trupore dhe i drejtojnë kështu sëmundjet “jo në vdekje”, por “në lavdinë e Perëndisë” (kr. 2 Korinthianët 12:7-10, Joani 11:4).
Sepse duke qenë se Krishti ka vuajtur për ne në mish, armatosuni edhe ju me të njëjtin mendim, sepse ai që ka vuajtur në mish pushoi së mëkatuari, për të jetuar kohën që mbetet në mish jo më në pasionet e njerëzve, por sipas vullnetit të Perëndisë (1 Pjetri. 4:1-2).
Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia të cilat po i heq për shkakun tuaj dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha . . . (Kolosianët 1:24)
Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë. Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.
Ne e dimë, në fakt, se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu. Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore, nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur. Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta. Dhe ai që na ka formuar, pikërisht, për këtë është Perëndia, i cili na dha edhe pengun e Frymës.
Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit . . (2 Korinthianët 4:16-5:6).
Njeriu shpirtëror, kur vuan në mish, e përdor dhimbjen e tij për t’u çliruar nga mëkati dhe për t’u bërë “i përsosur nëpërmjet vuajtjes” si Jisui Vetë (Hebrejtë 2:10). Ai e di se ashtu si “natyra e tij e jashtme po konsumohet” ai po rilind në Mbretërinë e Perëndisë nëse ai vuan në dhe me Jisuin Zotin.
Në një kuptim real vuajtja më e dhimbshme nga të gjitha nuk është ajo e mishit, por e shpirtit. Kjo është vuajtja që e torturon shpirtin kur, me hirin e Perëndisë dhe në dritën e Krishtit, personi shpirtëror sheh kotësinë e plotë, shëmtinë dhe mashtrimin e mëkatit, i cili i shkatërron njerëzit e bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Sipas një teologu të madh të Kishës, kjo vuajtje ishte më e dhimbshmja nga të gjitha për Vetë Zotin Jisu (kr. Mitropolit Andon Khrapovitski, shek. 20, Dogma e Çlirimit).
Jisui e njihnte plotësinë dhe përsosmërinë e bukurisë hyjnore të Perëndisë; Ai e njihnte mëshirën dhe dashurinë e Tij, lavdinë e parajsës, mirësinë e krijimit të Tij. Duke e patur para syve të gjithë këtë, dhënë njeriut si një dhuratë dhe duke e parë atë të përçmuar dhe të hedhur tej në personin e Tij, ishte pafundësisht më e dhimbshme dhe torturuese për Zotin se çdo rrahje dhe gozhdim në kryq. Sepse vetë kryqi ishte skandali i madh i urrejtjes së njeriut dhe i kundërshtimit të dashurisë, dritës dhe jetës së Perëndisë, i dhënë botës në personin e Krishtit. Kështu, agonia dhe vuajtja e Zotit në vrasjen e Tij në kryq, ishte agonia hyjnore, në trup e shpirt, e kundërshtimit nga njeriu të jetës hyjnore. Nuk mund të ekzistojë kurrsesi ndonjë agoni më e madhe se kjo dhe asnjë mendje njerëzore nuk mund ta sundoj shtrirjen e pafund të tmerrit dhe tragjedisë së saj.
Personi shpirtëror, sipas masës së hirit të dhënë nga Perëndia, merr pjesë shpirtërisht në këtë agoni të Krishtit. Ajo është vuajtja më e madhe e të gjithë shenjtorëve, pafundësisht më e padurueshme se çdo persekutim i jashtëm apo sëmundje trupore. Ajo është torturimi i shpirtit për marrëzinë e skajshme të mëkatit. Është agonia e dashurisë për ata që po humbasin. Në një angushti të tillë shpirtërore Apostulli Pavël thërriste: “. . . Kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time. Sepse do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit” (Romanët 9:2-3).
Për këtë agoni dashurie Shën Isaaku i Sirisë flet për shenjtorët, “nëse ata do të hidheshin në zjarr dhjetë herë në ditë për hir të dashurisë së tyre për njeriun, edhe kjo do t’u dukej atyre shumë pak” (Traktatet Mistike). I njëjti Shën Isaak vetë ishte i njohur për vajtimin e tij me lotë të zjarrtë nga dashuria e përvuajtur për të gjithë njerëzit, gjithë krijimin dhe, madje, për vetë djallin.
Kështu, forma e fundit e çdo vuajtje që të çon në shpëtimin është dashuria plot dhembshuri për të gjithë ata që po humbasin nëpërmjet marrëzisë qesharake të mëkatit. Krishti vuajti nga një dashuri e tillë në shtrirjen e plotë dhe të pacak të hyjnishmërisë së Tij. Dhe çdo person e vuan atë, gjithashtu, në masën që ai ose ajo është hyjnizuar në Krishtin nga hiri i Shpirtit.