EmailFacebookKontakt

Psalmet

Psalmet

    Psalmet janë këngë të popullit të Izraelit të frymëzuara hyjnishmërisht. Tradicionalisht ato quhen ‘psalme të Davidit’, ndonëse, sigurisht, shumë prej tyre vijnë nga autorë të mëvonshëm. Numërimi dhe fjalëzimi i psalmeve ndryshon në tradita të ndryshme shkrimore. Kisha Orthodhokse ndjek versionin e psaltirit të Septuagjintës, dhe, për këtë arsye, numri dhe, jo rrallë edhe teksti i disa psalmeve, janë të ndryshëm në librat e shërbesave orthodhokse prej atyre që janë në Biblat e përkthyera nga hebraishtja. Në Kishën Orthodhokse, i gjithë Psaltiri ndahet në njëzet seksione dhe këndohet çdo javë në ato manastire edhe kisha që e kryejnë të gjithë shërbesën liturgjike. Psalme të ndryshëm dhe vargje psalmesh përdoren në të gjitha shërbesat e Kishës Orthodhokse (Shih Vëllimin II, Adhurimi).

    Praktikisht, të gjitha gjendjet e shpirtit të njeriut para Perëndisë shprehen tek psalmet: lavdërimi, falënderimi, bekimi, gëzimi, kërkesa, pendimi, vajtimi, pyetja dhe, madje edhe ankimi. Shumë nga psalmet përqendrohen në ritualet kultike të tempullit të Jerusalemit dhe të mbretërimit Davidik. Të tjerë tregojnë veprat shpëtimtare të Perëndisë në historinë e Izraelit. Akoma të tjerë mbartin thirrjet profetike rreth ngjarjeve që do të vijnë, veçanërisht ato për kohën mesianike. Kështu, për shembull, ne kemi Krishtin të citojë Psalmin 8 në lidhje me hyrjen e Tij triumfuese në Jerusalem; Psalmin 110 në lidhje me hyjninë e tij të mistershme dhe Psalmin 22, kur, i varur në kryq, Ai thërret me fjalët e psalmit në të cilin përshkruhet kryqëzimi i Tij dhe shpëtimi i Tij përfundimtar i botës (Shih Mattheu 21:16, 22:44, 27:46).

    Në Kishën Orthodhokse të gjithë psalmet shihen që të kenë kuptimin e tyre më të thellë dhe kuptimin e vërtetë shpirtëror në pikëpamjen e Krishtit dhe të misionit të Tij të shpëtimit të përjetshëm. Kështu, për shembull, psalmet të cilët i referohen mbretit, këndohen në Kishë në lidhje me lartësimin dhe lavdërimin e Krishtit në të djathtë të Perëndisë. Psalmi, i cili i referohet çlirimit të Izraelit këndohet në Kishë në lidhje me çlirimin e gjithë botës nga Krishti. Psalmet që thërrasin për fitore në betejë mbi armiqtë, i referohen të vetmit Armik real, djallit dhe të gjithë veprave të tij të këqia, që Krishti erdhi t’i shkatërrojë. Babilonia tregon kështu mbretërinë e Satanit, dhe Jerusalemi, Mbretërinë e përjetshme të Perëndisë. Psalmet, të cilët vajtojnë vuajtjen e pafajshme të të drejtëve, këndohen si lutje e Zotit Vetë dhe e gjithë atyre që janë me Atë, të cilët janë “të varfër e nevojtarë”, që do të ngrihen e të sundojnë dheun ditën e gjyqit të tmerrshëm të Perëndisë. Kështu, psaltiri mbetet përgjithmonë si libër i adhurimit dhe i këngëve lutje, të frymëzuara hyjnishmërisht, për të gjithë Popullin e Perëndisë, dhe, kryesisht, për ata që i përkasin Mesias, fjalët e të cilëve, psalmet, janë në rëndësinë e tyre më hyjnore dhe më të thellë.

Ndarja Liturgjike e Psaltirit
(Kathizmat ose Ndenjësoret)
*

  I.  Psalmet 1-8                     XI.  Psalmet 78-85

 II.  Psalmet  9-17                 XII.  Psalmet 86-91

III.  Psalmet 18-24                XIII.  Psalmet 92-101

IV. Psalmet 25-32              XIV.  Psalmet 102-105

V. Psalmet 33-37               XV.  Psalmet 106-109

VI. Psalmet 38-46              XVI.  Psalmet 110-118

VII. Psalmet 47-55             XVII.  Psalmi 119

VIII. Psalmet 56-64            XVIII.  Psalmet 120-134

 IX. Psalmet 65-70              XIX.  Psalmet 135-143

X.  Psalmet 71-77                XX.  Psalmet 144-150

____________________
*Numrat e psalmeve të paraqitur janë sipas versionit të Hebraishtes