EmailFacebookKontakt

E Diela e Pashkës së Shenjtë – Protopresbyter Alexander Schmemann

E kremtja e Ngjalljes

    Kjo e kremte është pikënisja për të kuptuar shenjtërimin e kohës. Në përvojën ortodokse, e cila shkon pas deri në kohën e vetë apostujve, në qendër të jetës sonë liturgjike, në qendër të vetë asaj kohe që ne e quajmë vit kalendarik, ndodhet e kremtja e Ngjalljes së Krishtit. Çfarë është Ngjallja? Ngjallja është shfaqja e jetës që nuk ka fund në këtë botë të mbizotëruar tërësisht nga koha, si rrjedhim, edhe nga vdekja. Ai që u ngjall prej së vdekurish, nuk vdes më. Në këtë botën tonë, jo dikur tjetër, jo në një botë “tjetër”, një mëngjes u shfaq dikush që është përtej vdekjes, por, megjithatë, brenda kohës sonë. Kjo domethënie e Ngjalljes së Krishtit, ky gëzim i madh, është tema qendrore e Krishterimit dhe është ruajtur e pacenuar brenda jetës liturgjike të Kishës Ortodokse. Ata që thonë se tema qendrore e Ortodoksisë, qendra e tërë përvojës së saj, pika e referimit për çdo gjë tjetër brenda saj, është Ngjallja e Krishtit, shprehin një të vërtetë të madhe.

    Ne ortodoksët që jetojmë në Perëndim, rrezikojmë ta humbasim këtë frymë ngjallësore të Krishterimit. Jemi më të përqendruar te vdekja sesa tek ngjallja. Ndonjëherë, në jetën tonë kishtare mbizotëron më tepër forma e përmortshme e shpresëtarisë sesa fryma ngjallësore. Sidoqoftë, askush nuk e kupton dot strukturën e ciklit liturgjik të të kremteve vjetore nëse nuk kupton më parë se Ngjalla e Krishtit ditën e Pashkës është qendra, është dita që i jep kuptim çdo dite të vitit dhe, si rrjedhim, çdo kohe.

    Pashka është njëherësh fundi dhe fillimi. Ne vazhdojmë gjithmonë të jetojnë pas Pashkës dhe sërish baresim gjithmonë drejt Pashkës pasardhëse. E tërë fryma dhe domethënia e jetës liturgjike gjendet te Pashka, si dhe në periudhën pasardhëse pesëdhjetë ditore, e cila arrin pikën kulmore me të kremten e Pendikostisë: zbritja e Shpirtit të Shenjtë mbi Apostujt. Ky kremtim i veçantë paskal reflektohet çdo javë edhe në të dielën e krishterë, ditën e Ngjalljes. Edhe pse mund të duket e çuditshme, është e rëndësishme të dimë që çdo e diel është një Pashkë e vogël. Them “Pashkë e vogël”, por ajo është vërtet “Pashkë e Madhe”. Kisha i kthehet çdo javë të njëjtës përvojës paskale: “Pasi pamë Ngjalljen e Krishtit…”. Në çdo Mëngjesore të së dielës, kur prifti mbart Ungjillin nga Shenjtërorja deri në mes të kishës, pasi ka lexuar ungjillin mëngjesor ngjallësor, shpallet i njëjti mesazh themeltar i besimit të krishterë: Krishti u ngjall! Shën Pavli thotë: “Nëse Krishti nuk u ngjall, i kotë është predikimi ynë, i kotë është edhe besimi juaj” (1 Kor. 15.14). Nuk mbetet gjë tjetër për të besuar. Ngjallja është zemra e besimit tonë. Ne mund ta kuptojmë të gjithë vitin liturgjik vetëm nën perspektivën e Pashkës, si fundin e kohës së zakonshme dhe fillimin e kohës së re.

Pendikostia dhe Pashka

    Pendikostia është përmbushja e Pashkës. Nëse hap një kalendar kishtar, do të shohësh se të gjitha të dielat quhen të diela pas Pendikostisë. Vetë Pendikostia kremtohet pesëdhjetë ditë pas Pashkës. Krishti u ngjit në qiej dhe dërgoi në tokë Shpirtin e Shenjtë. Pasi dërgoi në botë Shpirtin e Shenjtë, u krijua një bashkësi e re, një bashkësi njerëzish, e cila mori një domethënie të re. Kjo domethënie vjen drejtpërdrejt nga Ngjallja e Krishtit. Nuk jemi më njerëz që jetojnë brenda një kohe pa kuptim, që të shpie drejt një fundi pa kuptim. Jo thjesht jeta jonë ka marrë një kuptim të ri, por edhe vetë vdekja ka marrë një domethënie të re. Në troparin e Pashkës, psalim: “shkeli vdekjen me vdekje”. Nuk themi: “shkeli vdekjen me Ngjallje”, por me vdekje. Edhe pse të krishterët vazhdojnë të përballen me vdekjen, duke qenë kësisoj të ngjashëm me njerëzit e tjerë, për ta tashmë vdekja ka një domethënie tjetër: të hysh në Pashkën e Zotit, të kalosh nga jeta e vjetër në jetën e re. Ky është çelësi i vitit liturgjik kishtar. Mbi të gjitha, Krishterimi është shpallja e Ngjalljes së Krishtit në këtë botë. Përmbajtja e spiritualitetit ortodoks është paskale dhe thelbi i vërtetë i jetës së krishterë është gëzimi.

    Ne flasim për të kremte dhe e kremtja është shfaqja e Krishterimit si gëzim. Kur u jep mësim fëmijëve, nuk u përçon atyre vetëm dije, por edhe frymën që fshihet pas dijes. Dihet që gëzimi është një nga gjërat që fëmija e pranon me lehtësi. Mirëpo, ne e kemi bërë krishterimin kaq për të rritur, kaq serioz, kaq të trishtë, kaq solemn, saqë pothuaj e kemi zbrazur nga ai gëzim. E megjithatë, Krishti ka thënë: “Kush nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një nga këta fëmijë të vegjël, nuk ka për të hyrë në të” (Mk. 10:15, Lk. 18:17). Të bëhesh fëmijë, sipas fjalëve të Krishtit, do të thotë të jesh i aftë për atë lloj gëzimi që një i rritur nuk e ka më, të hysh në marrëdhënie me gjërat, me natyrën, me njerëzit e tjerë pa dyshime, pa frikë apo pa ndrydhje në vetvete. Shpesh përdorim fjalën hir, por çfarë është hiri? Fjala në greqishte charis nuk do të thotë vetëm hir, por edhe gëzim. Po e vë shumë theksin në këtë pikë, sepse kam bindjen e plotë që mesazhi ynë i parë duhet të jetë mesazhi i gëzimit paskal. Natën e Pashkës, kur qëndrojmë te dyert e kishës dhe prifti thotë: “Krishti u Ngjall!”, atëherë nata, sipas fjalëve të shën Grigorit të Nisës, bëhet “më e ndritshme se dita”. Kjo është fuqia dhe rrënja e vërtetë e përvojës së krishterë. Dhe gjithçka tjetër mund ta kuptojmë vetëm nën perspektivën e këtij gëzimi.

     Le ta kemi parasysh që Pashka është fillimi i vërtetë i vitit tonë liturgjik. Zyrtarisht, viti liturgjik fillon në 1 shtator, por këtu po flas lidhur me parimin dhe themelin e tij shpirtëror, sepse Pashka na bën të kuptojmë kohën. Bota ishte e errët, por dikush solli dritë dhe ngrohtësi në të. Bota ishte e trishtuar, sepse ishte shndërruar në një varrezë, por dikush tha: “Nuk ka më vdekje”. Këtë bëri Krishti në këtë botë. Ajo ishte e ftohtë, mëkatare dhe e ashpër, por ai erdhi dhe tha: “Gëzohu!”. Kështu iu drejtua Krishti dishepujve të tij: “Gëzohuni! Paqja qoftë me ju!”. Prandaj, gëzimi paskal është fillimi i përvojës së krishterë.

Protopresbyter Alexander Schmemann,
A Liturgical Explanation of Holy Week,
Published by St. Vladimir’s Orthodox Theological Seminary.
Shqip: Stefan Zhupa