Njohja
Besimi dhe shpresa shkojnë së bashku me njohjen. Ato janë ndërtuar në njohjen dhe të çojnë në njohje. Sepse ajo që “nuk shihet” besohet mbi bazën e asaj që shihet. Dhe kuptimi i asaj që shihet varet në besimin dhe shpresën e asaj që nuk shihet. Besimi dhe shpresa e dikujt në aftësinë për të njohur, për t’u besuar shqisave të tij, mendjes së tij dhe zbulesës së Perëndisë së tij, janë baza e çdo njohurie. Njeriu u krijua që të njohë Perëndinë; jo vetëm të besojë në Atë dhe të shpresojë në Atë, por ta njohë Atë dhe kështu ta dojë Atë dhe t’i shërbejë Atij. Njohja e Perëndisë është drejtimi dhe synimi i jetës së njeriut, qëllimi i krijimit të tij nga Perëndia. Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jisu Krishtin që ti ke dërguar. O Atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta e kanë njohur se ti më ke dërguar. Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta (Joani 17:3, 25-26).
Besimi, dhënë si një dhuratë nga Perëndia, përfundon në njohjen e Perëndisë. Zoti dëshiron që njeriu “ta njohë të vërtetën” dhe kështu të çlirohet nga çdo verbëri, padituri dhe mëkat (Joani 8:32). Ky është mësimi qendror i Zotit Jisu Krisht, i ligjit dhe profetëve të Dhiatës së Vjetër dhe i apostujve dhe mësuesve të Kishës. Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura; për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri, për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut . . . Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.(Fjalët e urta 1:1-7).
Në të gjitha letrat e tij, Apostull Pavli lutet për besnikët, duke iu drejtuar atyre “që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore, që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë”, meqenëse “Perëndia dhe Shpëtimtari ynë dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës” (Kolosianët 1:8-9; 1 Timotheu 2:4). Në të gjitha shkrimet e tij, apostulli ngulmon, gjithashtu ,që besnikët të kenë “të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarsisë për të njohur misterin e Perëndisë . . . ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe njohjes,” dhe që “njeriu shpirtëror” ka “mendjen e Zotit . . . mendjen e Krishtit” (Kolosianët 2:2-3; 1 Korinthianët 2:6-16).
Apostulli Joan jep të njëjtën doktrinë si të Shën Pavlit kur shpall se “Shpirti i së Vërtetës” të cilin Krishti e ka dhënë me qëllim që “t’ju mësojë çdo gjë” dhe ‘t’ju prijë në çdo të vërtetë” (Joani 14:26, 16:13), po jeton me të vërtetë në mes të besimtarëve. Ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe dini çdo gjë. Nuk ju shkrova juve, sepse nuk e njihni të vërtetën, por, sepse ju e njihni dhe, sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta. Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jisui është Krishti? Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë. Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi (1 Joani 2:20-27). Ky mësim i Shën Joanit është në përmbushjen e profecisë së Isaisë, cituar drejtpërdrejt nga Vetë Jisui, se në Kohën Mesianike të kishës së besëlidhjes së re “. . . ata do të jenë të mësuar nga Perëndia” (Joani 6:45; Isaia 54:13).
Në traditën shpirtërore të Kishës, njohja e Perëndisë dhe e vërtetës së Tij është qëllimi kryesor i jetës. “sepse ç’kuptim do të kishte për krijimin,” pyet Shën Athanasi i Madh (shek. 4), “nëse njeriu nuk do ta njihte Perëndinë?” (Mbi Mishërimin, Libri I). Njohja e Perëndisë, vetë njohja e vërtetë, sipas shkrimeve dhe shenjtorëve, nuk është thjesht “njohje rreth” diçkaje, njohje abstrakte e informacionit dhe problemeve racionale, e zhveshur nga përvoja e gjallë. Njohja është, kryesisht, një bashkim esencial dhe ekzistencial, një ngjitje së bashku e njeriut shpirtëror me objektin e njohjes së tij. Shën Grigori i Nisës (shek.4) thotë: “Zoti nuk thotë se është e bekuar të njohësh diçka rreth Perëndisë, por ta zotërosh Perëndinë në vetvete” (Mbi Lumurimet, Predikimi 6). Pasja e Perëndisë brenda mendjes dhe zemrës është njohja e vërtetë e Perëndisë. Ajo vjen me anë të besimit dhe pendimit në jetën e Kishës. Ajo vjen tërësisht nëpërmjet pastrimit të hirshëm nga të gjitha pasionet e mëkatshme. Shën Joani i Shkallës (shek. 6) shkruan:
Rritja e frikës është fillimi i dashurisë, por një gjendje e plotë e pastërtisë është baza e çdo njohurie hyjnore. Ai, i cili i ka bashkuar përsosmërisht ndjenjat e tij tek Perëndia, udhëhiqet mistikisht prej Atij në një kuptim të fjalëve të Tij. Por, pa këtë bashkim një nuk mund të flasë rreth Perëndisë… Fjala e mbjellë (Jakovi 1:21) e përsos pastërtinë . . . dhe nxënësi i njohjes hyjnore ndriçohet. (. . .) Por, ai që nuk ka arritur ta njohë Perëndinë thjesht teorizon. Pastërtia bën një teolog (d.m.th. një që e njeh Perëndinë), i cili nga vetja kap mësimin e Trinisë (Shkalla e Ngjitjes Hyjnore, shkalla 30).
Përfshirja e njohjes në listën e virtyteve të njeriut është e një rëndësie vendimtare, sepse në kohën e sotme ekziston një bindje mjaft e përhapur, se njeriu në fushat e fesë dhe të jetës shpirtërore është dënuar në paditurinë. Ndërkohë shumica e njerëzve do të pranonte se njohja është e mundur në fushën e shkencave natyrore, po ata do ta mohonin njohjen e vërtetë në fushën e Frymës. Ata do të thonin se një mund të njohë gjërat e kësaj bote fizike, por nuk mund të njohë misteret e Perëndisë dhe Vetë Perëndinë. Kështu feja bëhet një çështje e zgjedhjeve personale dhe e shijes subjektive, e zhveshur nga çdo kërkim për të vërtetën objektive dhe njohjen reale. Siç e kemi parë, pikërisht, ky nuk është mësimi i Shkrimeve dhe i shenjtorëve.
Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt, cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve. Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtisë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre, që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë! Amin (Romanët 1:18-25).