Mirënjohja
Njeri shpirtëror është ai që është mirënjohës për gjithçka. Ai është një që pret gjithçka me falënderim dhe që e di se ai nuk ka asgjë, përveç atyre që ka marrë nga Perëndia (Kr. Joani 3:27).
Dhe ne të gjithë morëm, prej mbushullisë së tij, hir mbi hir (Joani 1:16).
Në Dhiatën e Vjetër, falënderimi ishte qëndror në jetën e popullit të Perëndisë. Litugjia e Tempullit blatonte flijime falënderimi dhe lavdërimi dhe vazhdimisht i këndoheshin psalme falënderimi Perëndisë.
Këndoni lavdërime Zotit, o ju shenjtorët e Tij dhe falënderojeni emrin e Tij të shenjtë.
Le të vijmë në praninë e Tij me falënderime. Le të hyjmë në portat e Tij me falenderime dhe në oborrin e Tij me lavdërim.
Falënderojeni Atë, bekoni emrin e Tij!
Është mirë t’i falemi nderit Zotit dhe ta këndojmë emrin Tënd, o i Lartë, të japim zë në mëngjes për mëshirën tënde për natë.
O falenderojeni Zotin se është i mirë, se përdëllimi i Tij mbetet përjetë. (Psalmet)
Në Dhiatën e re, falënderimi është esenca e jetës së Kishës. Fjala eukaristi do të thotë falënderim dhe qendra e adhurimit liturgjik të Perëndisë në Kishë është kur, në përkujtim të të gjitha veprimeve të Tij shpëtimtare në Krishtin, besnikët “i ngrenë lart zemrat dhe “falënderojnë Zotin.”
Shkrimet apostolike dhe jetët e shenjtorëve janë të mbushura me falënderime ndaj Perëndisë për gjithçka.
As ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush; as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falënderime . . . duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jisu Krisht (Efesianët 5:4, 20).
Jini gjithmonë të gëzuar. Lutuni pa pushim. Për çdo gjë falënderoni, sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jisu për ju (1 Selanikasit 5:16-18).
Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni! (…) Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jisu (Filipianët 4:4-7).
Njeriu shpirtëror ka falënderim dhe mirënjohje në çdo rrethanë, në çdo gjë dhe për çdo gjë. Falënderimi është rrënjosur në bindjen e fortë për përkujdesjen e mëshirshme të Perëndisë në të gjitha gjërat, në besimin e palëkundur se “Perëndia vepron në gjithçka për të mirën e atyre që e duan Atë” ose, si mund të thuhet ndryshe, se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” (Romanët 8:28).
Mësuesit shpirtërorë, veçanërisht Shën Joan Gojarti (shek. 4), janë shumë të rreptë në këtë mësim. Njeriu shpirtëror nuk e falënderon Perëndinë vetëm për çfarë ai konsideron të jetë e mirë. Por ai e falenderon Perëndinë për gjithçka, edhe për çfarë duket si e keqe, duke e ditur se kujdesi i dhëmbshur i Perëndisë është mbi gjithçka dhe se e keqja e kësaj bote – e cila është gjithmonë e pranishme dhe e pashmangshme (Kr. Joani 17) – mund të bëhet vetë mjet për rritjen shpirtërore dhe për shpëtimin, nëse kuptohet drejt dhe mposhtet nga hiri i Perëndisë.
E kundërta e mirënjohjes është zemërimi dhe ankimi; është vajtimi rreth fatit në jetë për shkak të krenarisë dhe lakmisë. Ajo shkaktohet nga mungesa e mbështetjes së përunjur në Zotin. Është rrënjosur në një qëndrim jete që nuk e lejon njeriun të thërrasë me Jobin e drejtë:
Lakuriq dolla nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit (Jobi 1:21).
Të falënderosh Perëndinë në çdo gjë dhe për çdo gjë është rezultat i besimit dhe besnikërisë në Perëndinë. Është rezultat i mbështetjes absolute në Zotin, që e di më mirë se çfarë ne kemi nevojë për shpëtimin tonë dhe bën gjithçka që mundet brenda kushteve të këqia të botës për të na sjellë në jetën e përjetshme, në paqen dhe gëzimin. Është produkt i besimit, që së bashku me Isainë, Fjala e Çliruesit thotë:
Të kam braktisur për një çast të shkurtër, por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh. Në një shpërthim zemërimi të kam fshehur për një çast fytyrën time, por me një dashuri të përjetshme do të kem dhembshuri për ty, thotë Zoti, Çliruesi yt.
Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia, thotë Zoti. Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.
Sepse ju do të niseni me gëzim dhe do t’ju kthejnë në paqe. Malet dhe kodrat do të shpërthejnë në britma gëzimi përpara jush dhe tërë drurët e fushave do të duartrokasin.
Respektoni të drejtën dhe zbatoni drejtësinë, sepse shpëtimi im është duke ardhur . . . (Isaia 54:7-8; 55:8-9,12; 56:1).
Një njeri është mirënjohës në shkallën që ai beson në Zotin dhe ka dashuri për Perëndinë dhe njeriun.