EmailFacebookKontakt

Bindja

Bindja

    Duke folur për përunjësinë e Krishtit, Shën Pavli thotë se Jisui ishte i bindur tek Perëndia Ati i Tij “deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit” (Filipianët 2:8). Me të vërtetë, Jisui iu bind Perëndisë në të gjitha gjërat që bëri.

    Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e Atij që më ka dërguar. Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që Ai më ka dhënë, por t’i ringjall në ditën e fundit (Joani 6:38-39).

    Gjithçka që Jisui ka dhe është, Ai e ka marrë nga Perëndia Atë. Prej përjetësisë, Biri e ka dëgjuar Atin që të bëjë punën e Tij dhe të kryejë vullnetin e Tij. Vullneti i Perëndisë është që Biri duhej të bëhej një njeri, të merrte mbi Vete mëkatet e botës dhe të vdiste në mish, me qëllim që të ngjallej së vdekurish, që “asgjë të mos humbiste”. Jisui e kreu këtë në bindjen hyjnore dhe të përsosur, duke dhënë shembullin për të gjithë.

    Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua Unë, por si do Ti … në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti Yt (Matheu 26:39, 42).

    Nuk ka degradim në bindjen tek Perëndia, as ndonjë turp apo poshtërim. Përkundrazi, të bësh vullnetin e Perëndisë është lavdi dhe nder. Është dinjiteti më i lartë i njeriut, gëzimi dhe kënaqësia e tij më e madhe (Kr. Psalmi 119). Është rruga e përsosjes për të gjithë, edhe për Vetë njeriun Jisu.

    Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që i binden (Hebrenjtë 5:8-9).

    Mosbindja ndaj Perëndisë dhe Birit të Tij Jisu Krisht është burimi i të gjitha mëkateve. Refuzimi i nënshtrimit ndaj Perëndisë në të gjitha gjërat është shkaku i të gjitha vuajtjeve dhe vdekjes. Ata që dëgjojnë Ungjillin dhe nuk arrijnë që të hyjnë në prehjen e përjetshme të Perëndisë, nuk hyjnë vetëm “për shkak të mosbindjes” (Hebrejntë 5:6, Kr. Ligji i Përtërirë 4:29-31).

    Në traditën shpirtërore orthodhokse, bindja është një virtyt themelor: bindja tek Zoti, tek Ungjilli, tek Kisha (Matheu 18:17), bindja tek udhëheqësit e Kishës (Hebrenjtë 13:7), bindja tek prindërit dhe pleqtë, tek “çdo pushtet njerëzor” (1 Pjetri. 2:13, Romanët 13:1) “tek njëri-tjetri me frikë Perëndie” (Efesianët 5:21). Nuk ka jetë shpirtërore pa bindje, as edhe liri apo çlirim nga pasionet dhe epshet e mëkatshme. T’i nënshtrohesh disiplinës së Perëndisë në të gjitha format e saj njerëzore, është e vetmja mënyrë për të hyrë në “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” (Romanët 8:21). Perëndia na disiplinon si fëmijët e Tij nga dashuria e madhe për ne. “Ai na qorton për të mirën tonë, që ne të mund të marrim pjesë në shenjtërinë e Tij” (Kr. Hebrenjtë 12:3-11). Bindja jonë ndaj urdhërimeve dhe disiplinës së Perëndisë është shenjë ekskluzive e dashurisë sonë për Atë dhe për Birin e Tij.

    Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem Atij. (. . .) Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai. Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar (Joani 14:21-24).