Besnikëria
Sipas shkrimeve, një nga karakteristikat e Perëndisë është besnikëria e Tij absolute. Ky virtyt tek njeriu është konsideruar, gjithashtu të jetë një nga “frytat e Shpirtit të Shenjtë” (Galatianët 5:22).
Të jesh besnik do të thotë të jesh absolutisht i vërtetë në fjalët e tua, të jesh krejtësisht besnik në përkushtimin tënd, të jesh krejtësisht i qëndrueshëm dhe i palëkundur në thirrjen dhe prirjen tënde. Do të thotë gjithashtu, të mbetesh i përunjur në shërbim, në të vërtetë dhe dashuri, pavarësisht nga kushtet ose pasojat. Të jesh besnik do të thotë të jesh kurajoz dhe të jesh e të bësh atë që duhet të jetë dhe duhet të bëhet nga vullneti i Perëndisë, pavarësisht nga çdo kundërshtim nga të tjerët dhe pavarësisht nga çdo mungesë njohje dhe vlerësimi.
Vetë Perëndia është përsosmërisht besnik. Ai ka bërë premtime dhe ka deklaruar besëlidhje, duke e mbajtur fjalën e Tij pavarësisht se çfarë bën njeriu. Kur njerëzit janë kororëshkelës dhe të pabesë, Perëndia mbetet besnik (Kr. Jeremia 3, Ezekieli 16); sepse “Zoti është betuar dhe nuk do ta ndryshojë mendjen e Tij” (Psalmi 110:4, Hebrejtë 7:21).
Po ta mohojmë, edhe Ai do të na mohojë. Nëse jemi të pabesë, Ai mbetet besnik, sepse Ai nuk mund të mohojë Vetveten (2 Timotheu 2:12-13).
Krishti është besnik deri në fund tek Ati i Tij dhe tek krijesat e Tij. Ai nuk shmanget nga misoni i Tij, por përmbush gjithçka që Perëndia Atë i ka dhënë Atij për të bërë (Kr. Joani 17:4). Sipas librit të Zbulesës, emri i Jisuit, Fjalës së Perëndisë, është “Besniku dhe i Vërteti”; Ai është quajtur “dëshmitari i vërtetë” nga Shën Joani (Zbulesa 19:11, 1:5).
Njeriu shpirtëror është ai që është besnik në thirrjen e tij, që përmbush çdo vendim të mirë dhe që jep fryte me durim prej dhuratave dhe talenteve të dhëna nga Perëndia. Njeriu shpirtëror është besnik në çdo gjë të vogël – çdo mendim, çdo fjalë, çdo vepër – “sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit” (Romanët 12:3), “sipas masës së dhuntisë së Krishtit” që i është “dhënë secilit” (Efesianët 4:7). Një besnikëri e tillë është mësimi kryesor i parabolës së talentave. Ai që besnikërisht dhe pa frikë zhvillon dhe rrit me atë që Zoti i ka dhënë, ai është ai që dëgjon zërin e Zotit të tij.
Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogla (Lluka 19:17); Unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd (Matheu 25:21).
Armiqtë më të mëdhenj të besnikërisë së Perëndisë dhe njeriut janë krenaria, lakmia, frika, zilia dhe kundërshtimi për të shërbyer përunjësisht atje ku ai është, me kushtet dhe dhuratat që Perëndia i ka dhënë. Mosbesnikëria lind kur një “e vlerëson veten më shumë se sa duhet ta çmojë” (Romanët 12:3), trembet se nuk mund të bëjë asgjë me atë që Perëndia i ka dhënë, lakmon talentet dhe dhuratat që kanë të afërmit e tij dhe bredh nga vendi në vend, duke kërkuar të kënaqet dhe të ngopet me gjërat e kësaj bote.
Besnikëria karakterizohet nga qëndrueshmëria e trupit dhe e shpirtit; kundërshtimi absolut për të lëvizur ose për të qenë i lëvizur për ndonjë arsye të padenjë; përkushtimi i plotë ndaj asaj që Perëndia i jep dikujt për të bërë, me besimin, hirin dhe fuqinë që Perëndia të jep për ta bërë atë. Ashtu si është shkruajtur në theniet e etërve të shkretëtirës: “Ashtu si një pemë nuk mund të japë fruta nëse ajo shkulet dhe mbillet në një vend tjetër shpesh, po ashtu nuk mund të japë edhe një murg (ose njeri) që e ndryshon mendjen e tij shpesh dhe lëviz nga një vend në tjetrin.” E vetmja mënyrë për të fituar “kurorën e jetës” është të jesh “besnik deri në vdekje” në vendin ku Perëndia na ka vënë (Zbulesa 2:10). Mënyra e vetme për të gjetur gëzim, dituri dhe paqe është të jesh besnik ndaj unicitetit të secilit, duke e ditur se çdo person ka jetën dhe thirrjen e tij të veçantë nga Perëndia që asnjë tjetër nuk e ka; misionin e tij të veçantë që asnjë tjetër nuk mund ta kryejë. Njeriu shpirtëror e zhvillon jetën e tij në besnikëri, pa zili dhe frikë dhe kështu përmbush dhe bëhet çfarë Perëndia ka dashur për atë para agimit të krijimit.