EmailFacebookKontakt
Lajme

Le të ruajmë marrëdhënien tonë shpirtërore në këtë kohë, kur kemi një shtim të pandemisë, dhe secili nga ne le t’i qëndrojë afër tjetrit në zemrën dhe në lutjen e tij.

30/09/2020

Le të ruajmë marrëdhënien tonë shpirtërore në këtë kohë, kur kemi një shtim të pandemisë, dhe secili nga ne le t’i qëndrojë afër tjetrit në zemrën dhe në lutjen e tij.

Fjala e Kryepiskopit Anastas në përfundim të Liturgjisë Hyjnore, të Dielën I Llukait (Mrekullia e shumimit, nxënësit e parë), në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, Tiranë, 27.09.2020.

Le të mos shqetësohemi dhe le të ruajmë frymën e optimizmit në çdo lloj shqetësimi, sprove dhe hidhërimi, siç edhe në këtë rast të koronavirusit, tha midis të tjerave, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, duke iu drejtuar besimtarëve në Kishën Katedrale të Ngjalljes së Krishtit në Tiranë. Fortlumturia e Tij, analizoi Leximin nga Apostulli i ditës së diel. Midis të tjerave, ai nënvizoi se disa nga karakteristikat që thotë apostull Pavli në Letrën e tij të dytë drejtuar Korinthianëve, kapitulli 6, vargjet 1-10, përbëjnë identitetin e çdo të krishteri në botën e sotme. Ato janë aktuale jo vetëm për klerikët, por për çdo të krishterë kudo ku ai ndodhet dhe jeton.

Kryepiskopi tha në fjalën e tij : “Ndërsa do largohemi sot pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, do të marrim me vete pak momente të veçanta nga ky përjetim. Por, kur gjatë kësaj dite të ndodhemi në një çast të qetë, le të lexojmë me shumë vëmendje dhe me kujdes leximin nga Apostulli i ditës së sotme, që është marrë nga Letra e Dytë e Apostull Pavlit drejtuar Korinthianëve, kapitulli 6. Vargjet i gjeni të shënuar në kalendarin e vogël kishtar dhe aty përshkruhet identiteti i çdo të krishteri.

Apostulli na drejtohet: “Ju lutem mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë”. Dhe na thotë se “në çdo gjë e paraqesim veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë”. Kjo nuk është diçka që u takon vetëm priftërinjve, por ka lidhje me çdo besimtar orthodhoks, që ta prezantojë veten e tij në çdo gjë si shërbëtor të Perëndisë. Kjo, jo vetëm gjatë momenteve të adhurimit zyrtar, por në çdo kohë. Dhe apostulli na e përshkruan në mënyrë tepër të gjallë se si duhet të jetë shërbëtori i Perëndisë. Së pari, na thotë se ai duhet të ketë “shumë durim” . Duhet të tregojë shumë durim në shtrëngimet, në nevojat, në mërzitjet e mëdha që e gjejnë. Si p.sh në këto kufizime që duhet të zbatojmë në rastin e koronavirusit. E dyta, që duhet të ketë është “dashuri jo hipokrite”. Pra, jo një dashuri që kërkon të duket dhe t’u tregojë veten të tjerëve. E në vazhdim na thotë, se i krishteri duhet të ketë Shpirtin e Shenjtë. Pra, nuk duhet të mbështetet në fuqitë e tij personale, por në hirin e Perëndisë, që këto të bëhen me fuqinë e Perëndisë, me përulësi. Më pas u referohet vështirësive që duhet të kalojë si mundimet, lavdia dhe çnderimet e të tjera si këto.

Le të tregojmë kujdes pra, që në jetën tonë, përditë, të ruajmë durimin, dashurinë jo hipokrite dhe të kemi Shpirtin e Shenjtë. Dhe të mos shqetësohemi – të gjitha vështirësitë dhe problemet janë që ne t’i kapërcejmë. Nuk janë që të na ndalin. Me fuqi dhe shpresë le ta vazhdojmë përpjekjen tonë shpirtërore. Dhe meqë kemi një rritje të valës së pandemisë në ditët e sotme, le të ruajmë distancën midis nesh, por le të ruajmë marrëdhënien shpirtërore dhe gjithsecili nga ne le t’i qëndrojë pranë tjetrit në zemrën dhe në lutjen e tij”.