Vijojnë punimet për restaurimin e Kishës së Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në ishullin e Zvërnecit.

 

Punimet për restaurimin e radhës të kësaj kishe filluan me projekt të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe të miratuar në KKR. Ashtu si edhe në restaurimet e mëparshme të bëra nga Kisha jonë, fondet për e nevojshme u miratuan dhe akorduan nga Kryepiskopi Anastas. Realizimi dhe ndjekja e punimeve po kryhet nga Bërthama e Trashëgimisë Kulturore e Kishës, në  koordinim dhe bashkëpunim në terren me Drejtorinë Rajonale te Kulturës Vlorë, si dhe Institutin e Monumenteve. Punimet u ndërprenë gjatë periudhës së masave të marra kundër COVID-19 dhe tani po vazhdojnë me ritme normale. Ato konsistojnë në fugatimin e plotë të kishës brenda dhe jashtë, zëvendësimin e elementeve të dëmtuara; pastrimin dhe meremetimin e çatisë, përforcimin e elementeve prej druri  etj.

Sipas studimit të kryer nga prof. dr. A. Meksi, botuar në revistën “Monumente”, 1975, Nr. 10, kisha datohet e shek. XIII – XIV, duke u bazuar në trajtimin e fasadave në arkada, si dhe ngjashmërisë me kishën e Shën Kollit në Kurjan të Fierit. Ndërsa në referatin e mbajtur në Simpoziumin “2000 vjet Krishterim”, sipas prof. dr. P. Vocotopoullos, kisha është e shek. X. Në një mbishkrimin në gur te porta kryesore e hajatit jepet edhe viti 1884. Ky vit ka të bëjë me ndërtimin e hajatit, eksonarteksit dhe kambanores.