AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Dhiata e Re

Zbulesa 22

Zbulesa 22

  1. Edhe më tregoi një lumë me ujë jete, që shkëlqente si kristal, që buronte prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit.
  2. Në mes të udhës së qytetit, dhe këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, duke bërë në çdo muaj frutin e tij; dhe fletët e drurit janë për shërim të kombeve.
  3. Edhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe froni i Perëndisë dhe i Qengjit do të jetë në të; dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë atë.
  4. Edhe do të shohin fytyrën e tij, dhe emri i tij do të jetë mbi ballet e tyre.
  5. Edhe natë nuk do të ketë atje; dhe s’kanë nevojë për kandil e për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçoi ata; dhe do të mbretërojnë në jetë të jetëve.
  6. Edhe më tha: Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta. Edhe Zoti, Perëndia i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, që t’u tregojë shërbëtorëve të tij sa duhet të bëhen për së shpejti.
  7. - Ja tek po vij shpejt; lum ai që ruan fjalët e profecisë së këtij libri.
  8. Edhe unë Joani jam ai që pashë e dëgjova këto; dhe kur dëgjova e pashë, rashë të falem përpara këmbëve të engjëllit që më tregonte këto.
  9. Edhe ai më thotë: Shiko se mos e bën këtë. Sepse jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu profetë, dhe i atyre që ruajnë fjalët e këtij libri. Perëndisë falju.
  10. Edhe më thotë: Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.
  11. Ai që bën paudhësi, le të bëjë paudhësi edhe më; dhe ai që është i fëlliqur, le të fëlliqet edhe më; dhe i drejti le të bëhet i drejtë edhe më; dhe i shenjti le të shenjtërohet edhe më.
  12. Edhe ja tek po vij shpejt; dhe paga ime është bashkë me mua, që t’ia paguaj gjithësecilit siç do të jetë vepra e tij.
  13. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit.
  14. Lum ata që kryejnë porositë e tij, që të kenë pushtet mbi drurin e jetës, dhe me anë të portave të hyjnë në qytet.
  15. Edhe jashtë janë qentë dhe magjistarët dhe të përdalët dhe vrasësit dhe idhujtarët, dhe kushdo që do e bën gënjeshtrën.
  16. Unë Jisui e dërgova engjëllin tim që të dëshmojë tek ju për këto nëpër kishat. Unë jam rrënja dhe fara e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.
  17. Edhe Shpirti dhe nusja thonë: Eja. Dhe ai që dëgjon, le të thotë: Eja. Dhe ai që ka etje, le të vijë. Dhe ai që do, le të marrë falas ujin e jetës.
  18. Unë i dëshmoj gjithësecilit që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri. Në shtoftë ndonjëri mbi këto, Perëndia do t’i shtojë atij plagët që janë shkruar në këtë libër.
  19. Edhe në heqtë ndonjëri nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do të heqë pjesën e tij nga libri i jetës dhe nga qyteti i shenjtë, nga ato që janë shkruar në këtë libër.
  20. Ai që dëshmon për këto thotë: Po vij shpejt. Amin. Po, eja, o Zoti Jisu.
  21. Hiri i Zotit tonë Jisu Krisht qoftë bashkë me të gjithë shenjtorët. Amin.
 

Zbulesa 21

Zbulesa 21

  1. Edhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkoi; dhe deti nuk është më.
  2. Edhe unë Joani pashë duke zbritur prej qiellit nga Perëndia qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj.
  3. Edhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, dhe do të rrijë bashkë me ata, dhe ata do të jenë populli i tij, dhe Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata.
  4. Edhe do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më; as vaj, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më; sepse të parat shkuan.
  5. Edhe tha ai që kishte ndenjur mbi fron: Ja, të gjitha po i bëj të reja. Edhe më thotë: Shkruaj. Sepse këto fjalë janë të vërteta dhe të besueshme.
  6. Edhe më tha: U bë. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi. Unë do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës atij që ka etje.
  7. Fitimtari do t’i trashëgojë këto, dhe unë do t’i jem Perëndi, dhe ai do të më jetë bir.
  8. Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe të përdalët dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarët do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.
  9. Edhe erdhi tek unë një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë shishet e mbushura me të shtatë plagët e fundit, dhe foli bashkë me mua, duke thënë: Eja, do të të tregoj ty nusen, gruan e Qengjit.
  10. Edhe më çoi me shpirt në një mal të madh e të lartë, dhe më tregoi qytetin, Jerusalemin e shenjtë, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia,
  11. që kishte lavdinë e Perëndisë; dhe ndriçuesi i tij shembëllente me gur fort të çmueshëm, si me gur diaspri që shkëlqente si kristal.
  12. Edhe kishte një mur të madh e të lartë, kishte edhe dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar përsipër, të cilët janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
  13. Nga lindja, tri porta; nga veriu, tri porta; nga jugu, tri porta; nga perëndimi, tri porta.
  14. Edhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, edhe në to ishin emrat e të dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
  15. Edhe ai që fliste bashkë me mua kishte një kallam të artë, që të maste qytetin dhe portat e tij dhe murin e tij.
  16. Edhe qyteti ishte katror, dhe gjatësia e tij ishte sa gjerësia. Dhe mati qytetin me kallamin, dhe ishte dymbëdhjetë mijë stade. Gjatësia dhe gjerësia e lartësia e tij janë të barabarta.
  17. Edhe mati murin e tij, njëqind e dyzet e katër kut, sipas masës së njeriut, domethënë të engjëllit.
  18. Edhe ndërtimi i murit të tij ishte me diaspër; dhe qyteti ar i kulluar që shembëllente me qelq të kulluar.
  19. Edhe themelet e murit të qytetit ishin stolisur me çdo lloj gurësh të çmuar: themeli i parë diaspër; i dyti, zefir; i treti, kalcedon; i katërti, smerald;
  20. i pesti, sardoniks; i gjashti, sard; i shtati, krizolit; i teti, beril; i nënti, topaz; i dhjeti, krizopas; i njëmbëdhjeti, jacint; i dymbëdhjetti, ametist.
  21. Edhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, dhe secila portë ishte prej një margaritari; dhe udha e qytetit ishte ar i kulluar, si qelq i tejdukshëm.
  22. Edhe tempull nuk pashë në të; sepse tempulli i atij është Zoti, Perëndia i Gjithëpushtetshëm, dhe Qengji.
  23. Edhe qyteti s’ka nevojë për diell, as për hënë, që të ndriçojnë në të; sepse lavdia e Perëndisë e ndriçoi atë, dhe kandili i tij është Qengji.
  24. Edhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
  25. Edhe portat e tij nuk do të mbyllen ditën, sepse natë nuk do të ketë atje.
  26. Edhe do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve në të.
  27. Edhe nuk do të hyjë në të asgjë e fëlliqur dhe kush bën ndyrësi e gënjeshtër; por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës së Qengjit.
 

Zbulesa 20

Zbulesa 20

  1. Edhe pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, i cili kishte çelësin e pafundësisë, dhe një varg të madh në dorën e tij.
  2. Edhe zuri dragoin, gjarpërin e vjetër, i cili është djalli dhe Satanai; dhe e lidhi atë një mijë vjet.
  3. Edhe e hodhi në pafundësi dhe e mbylli, dhe e vulosi sipër tij, që të mos mashtrojë më kombet, deri sa të mbarojnë të një mijë vjetët; dhe pas këtyre duhet të zgjidhet për pak kohë.
  4. Edhe pashë frone; dhe ndenjën mbi ata, dhe iu dha atyre të gjykojnë; dhe pashë shpirtrat e atyre që ishin therur për dëshminë e Jisuit, dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk iu falën bishës, as ikonës së saj; dhe nuk morën gërvishtjen mbi ballin e tyre dhe mbi dorën e tyre; dhe ata rrojtën e mbretëruan bashkë me Krishtin të një mijë vjetët.
  5. Edhe të vdekurit e tjerë nuk u ngjallën, deri sa të mbushen të një mijë vjetët. Kjo është ngjallja e parë.
  6. I lumtur dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë. Mbi këta vdekja e dytë s’ka pushtet, por do të jenë priftërinj të Perëndisë, dhe do të mbretërojnë bashkë me atë një mijë vjet.
  7. Edhe kur të mbarojnë të një mijë vjetët, do të zgjidhet Satanai nga burgu i tij.
  8. Edhe do të dalë të mashtrojë kombet që gjenden në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë, numri i të cilëve është si rëra e detit.
  9. Edhe u ngjitën mbi gjerësinë e dheut, dhe rrethuan ushtrinë e shenjtorëve, dhe qytetin e dashur; dhe zbriti zjarr prej qiellit nga Perëndia, dhe i hëngri.
  10. Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; dhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.
  11. Edhe pashë një fron të bardhë të madh, dhe atë që rrinte mbi të, faqe të cilit iku dheu dhe qielli; dhe nuk u gjet vend për ata.
  12. Edhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që rrinin përpara Perëndisë, dhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, i cili është i jetës; dhe u gjykuan të vdekurit nga ato që ishin shkruar në librat, sipas veprave të tyre.
  13. Edhe deti dha të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe hadi dhanë të vdekurit që ishin tek ata; dhe u gjykuan gjithësecili sipas veprave të tyre.
  14. Edhe vdekja dhe hadi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
  15. Edhe ai që nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit.
 

Zbulesa 19

Zbulesa 19

  1. Edhe pastaj dëgjova si zë të madh turme të shumtë në qiell që thoshte: Aliluia, shpëtimi dhe lavdia dhe nderi e fuqia qoftë mbi Perëndinë tonë.
  2. Sepse gjykoi prostitutën e madhe që prishi dhenë me imoralitetin e saj, dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij që u derdh prej dorës së saj.
  3. Edhe thanë për së dyti: Aliluia. Edhe tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.
  4. Edhe ranë të njëzet e katër pleqtë dhe të katër shtazët, e iu falën Perëndisë që rrinte mbi fron, duke thënë: Amin. Aliluia.
  5. Edhe doli nga froni një zë që thoshte: Lavdëroni Perëndinë tonë gjithë ju shërbëtorët e tij, ju që e keni frikë atë, të vegjël e të mëdhenj.
  6. Edhe dëgjova si zë turme të shumtë, dhe si zë shumë ujërash, dhe si zë bubullimash të forta, që thoshin: Aliluia. Se mbretëroi Zoti Perëndi i Gjithëpushtetshëm.
  7. Le të gëzohemi, e le të ngazëllohemi, e le t’i japim atij lavdinë, sepse erdhi dasma e Qengjit, dhe gruaja e tij bëri gati veten e saj.
  8. Edhe iu dha asaj të vishet me vishnje të pastër e të ndritshme; sepse vishnja është të drejtat e shenjtorëve.
  9. Edhe më thotë: Shkruaj. Lum ata që janë ftuar në dasmën e Qengjit. Edhe më thotë: Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.
  10. Edhe rashë përpara këmbëve të tij që t’i falem; dhe më thotë: Shiko se mos e bën këtë. Unë jam bashkëpunëtori yt dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jisuit. Perëndisë falju. Sepse dëshmia e Jisuit është fryma e profecisë.
  11. Edhe pashë qiellin të hapur, dhe ja një kalë i bardhë, dhe ai që rrinte mbi të quhej Besnik dhe i Vërtetë, dhe me drejtësi gjykon e lufton.
  12. Edhe sytë e ti ishin si flakë zjarri, dhe mbi kryet e tij kishte shumë kurora; dhe kishte një emër të shkruar, të cilin asnjë s’e di veç atij.
  13. Edhe ishte veshur me një rrobë lyer në gjak; dhe emri i tij quhet: Fjala e Perëndisë.
  14. Edhe ushtritë që ishin në qiell i vinin prapa hipur mbi kuaj të bardhë, dhe veshur me li të bardhë të pastër.
  15. Edhe prej gojës së tij dilte një shpatë e mprehtë, që t’u bjerë kombeve me atë; dhe ai “do t’i kullosë me shkop të hekurt”; dhe ai shkel vaskën e verës së vrerit të zemërimit të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm.
  16. Edhe mbi rrobën e mbi kofshën e tij ka të shkruar emrin: Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.
  17. Edhe pashë një engjëll që rrinte në diell; dhe thërriti me zë të madh, duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: Ejani mblidhuni në darkën e Perëndisë së madh,
  18. që të hani mishra mbretërish dhe mishra kryemijëshash dhe mishra të fortësh dhe mishra kuajsh e të atyre që kanë ndenjur mbi ata, dhe mishra të të gjithëve, të lirësh e shërbëtorësh, të vegjëlish e të mëdhenjsh.
  19. Edhe pashë bishën dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre mbledhur, që të bënin luftë me atë që rrinte mbi kalë dhe me ushtrinë e tij.
  20. Edhe u zu bisha, dhe bashkë me të profeti gënjeshtar, ai që bëri shenjat përpara saj, me të cilat mashtroi ata që morën gërvishtjen e bishës, dhe ata që iu falën ikonës së saj. Të gjallë u hodhën që të dy në liqenin e zjarrit që digjet me squfur.
  21. Edhe të tjerët u vranë me shpatën e atij që rrinte mbi kalë, e cila dilte prej gojës së tij; dhe gjithë shpendët u ngopën nga mishrat e tyre.
 

Zbulesa 18

Zbulesa 18

  1. Edhe pastaj pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe toka u ndriçua prej lavdisë së tij.
  2. Edhe thirri me zë të fuqishëm, duke thënë: Ra, ra Babilona e madhe, dhe u bë banesë djajsh dhe strofkë e çdo fryme të ndyrë, dhe strofkë e çdo lloj shpendi të ndyrë e të neveritshëm.
  3. Sepse nga vera e zemërimit të imoralitetit të saj pinë gjithë kombet, dhe mbretërit e dheut shkuan me të, dhe tregtarët e dheut u bënë të pasur nga teprimi i epshit të saj.
  4. Edhe dëgjova një tjetër zë nga qielli që thoshte: Dilni prej saj, o populli im, që të mos keni pjesë në mëkatet e saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj.
  5. Sepse mëkatet e saj arritën deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.
  6. Shpërblejeni atë, siç jua shpërbleu edhe ajo, dhe ia shpërbleni dyfish sipas veprave të saj. Me kupën, me të cilën gostiti, gostiteni atë dyfish.
  7. Sa lavdëroi vetveten dhe u kënaq në epshet, aq mundim e vaj jepini asaj; sepse thotë me zemrën e saj se po rri si mbretëreshë, dhe nuk jam e ve, dhe s’kam për të parë vaj.
  8. - Prandaj në një ditë do të vijnë plagët e saj, vdekje dhe vaj dhe zi buke; dhe do të digjet në zjarr, sepse i fortë është Zoti Perëndi, që e gjykon atë.
  9. Edhe do të qajnë për atë dhe do të mbajnë zi për të mbretërit e dheut, ata që shkuan me të dhe shfrynë epshet, kur të shohin tymin e djegies së saj,
  10. duke ndenjur nga larg nga frika e mundimit të saj, e duke thënë: Mjerë, mjerë qyteti i madh, Babilona, qyteti i fortë, sepse për një orë erdhi gjyqi yt.
  11. Edhe tregtarët e dheut qajnë e vajtojnë për atë, sepse asnjë nuk ble më mallrat e tyre:
  12. mall ari e argjendi, dhe gurësh të çmuar, dhe margaritarësh, dhe pëlhure të hollë, dhe purpuri, dhe mëndafshi dhe të kuqe; dhe çdo dru me erë të mirë, e çdo enë prej fildishi, e çdo enë prej druje të çmueshme, e bakri, e hekuri, e mermeri;
  13. edhe kanellë, e temjane, e vaj ere, e livan, e verë, e vaj, e majë mielli, e grurë, e bagëti, e dhen, e kuaj, e qerre, e skllevër, e shpirtra njerëzish.
  14. Edhe pemët e dëshirimit të shpirtit tënd ikën prej teje, dhe gjithë të majmet e të ndritshmet ikën prej teje, dhe më nuk do t’i gjesh.
  15. Tregtarët e këtyre, që u bënë të pasur nga ajo, do të rrinë nga larg për frikën e mundimit të saj, duke qarë e duke vajtuar,
  16. e duke thënë: Mjerë, mjerë qyteti i madh, që ishte veshur me vishnje e purpur e të kuqe, dhe praruar me ar e gurë të çmuar dhe margaritarë; sepse për një orë u shkretua gjithë kjo pasuri.
  17. Edhe çdo zot anijeje, dhe gjithë njerëzit që janë mbi to, dhe detarë, dhe gjithë sa punojnë detin, ndenjën nga larg,
  18. edhe bërtisnin, kur shihnin tymin e djegies së saj, duke thënë: Cili qytet ka qenë si ky qytet i madh?
  19. Edhe hodhën pluhur mbi krerët e tyre, dhe bërtisnin duke qarë e duke vajtuar, e thoshin: Mjerë, mjerë qyteti i madh, në të cilin u bënë të pasur nga pasuria e saj gjithë ata që kishin anije në det, sepse për një orë u shkretua.
  20. Gëzohu për të, o qiell, dhe shenjtorë dhe apostuj dhe profetë, sepse Perëndia gjykoi gjyqin tuaj kundër saj.
  21. Edhe një engjëll i fortë ngriti një si gur mulliri të madh, dhe e hodhi në det, duke thënë: Kështu do të rrokulliset me vrull Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më.
  22. Edhe zë kitaristësh e muzikantësh e fyelltarësh e trumbetarësh nuk do të dëgjohet më tek ti; dhe çdo mjeshtër prej çdo lloj mjeshtërie nuk do të gjendet më tek ti; dhe zë mulliri nuk do të dëgjohet më tek ti;
  23. edhe dritë kandili nuk do të ndriçojë më tek ti; dhe zë dhëndri e nuseje nuk do të dëgjohet më tek ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse me magjinë tënde u mashtruan gjithë kombet.
  24. Edhe në të u gjet gjak profetësh e shenjtorësh dhe i gjithë atyre që janë therur mbi dhe.
 
More Articles...