AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Joanit

Joani Kreu 1

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

 Joani 1

  1. Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi,
  2. Kjo ishte që në fillim me Perëndinë.
  3. Të gjitha u bënë me anë të saj; dhe pa atë nuk u bë asgjë që është bërë.
  4. Në atë ishte jetë, dhe jeta ishte drita e njerëzve.
  5. Edhe drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e kuptoi.
  6. Qe një njeri i dërguar nga Perëndia, me emrin Joan.
  7. Ky erdhi për dëshmi, që të japë dëshmi për Dritën, që të besojnë të gjithë me anë të tij.
  8. Ai nuk ishte Drita, por qe dërguar që të japë dëshmi për Dritën.
  9. Ishte Drita e vërtetë, që ndrit çdo njeri kur vjen në botë.
  10. Ishte në botë, dhe bota u bë me anë të tij; po bota nuk e njohu atë.
  11. Erdhi tek të tijtë, dhe të tijtë nuk e pritën atë.
  12. Edhe sa e pritën, atyre u dha pushtet të bëhen bij Perëndie, atyre që besojnë me anë të tij.
  13. Ata nuk lindën prej gjakrash, as prej dashurimi mishi, as prej dashurimi burri, po prej Perëndie.
  14. Edhe Fjala u bë mish, dhe qëndroi ndër ne - dhe pamë lavdinë e tij, lavdi si të vetëmlinduri prej Atit - plot me hir e me të vërtetë.
  15. Joani jep dëshmi për të, dhe bërtiti, duke thënë: Ky është ai për të cilin thashë: Ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.
  16. Edhe të gjithë ne morëm nga plotësia e tij, dhe hir në vend hiri.
  17. Sepse ligji u dha me anë të Moisiut, po hiri dhe e vërteta u bë me anë të Jisu Krishtit.
  18. Asnjë kurrë s’e ka parë Perëndinë; veç Biri i Vetëmlindur, që është në gjirin e Atit, ai na e tregoi.
  19. Edhe kjo është dëshmia e Joanit, kur dërguan Judenjtë nga Jerusalemi priftërinj dhe Levitë që ta pyesin: Cili je ti?
  20. Edhe rrëfeu, dhe nuk mohoi. Dhe rrëfeu se unë nuk jam Krishti.
  21. Edhe e pyetën: Çfarë, pra? Ilia je ti? Dhe thotë: Nuk jam. Profeti je ti? Dhe u përgjigj: Jo.
  22. I thanë pra: Cili je? që t’u përgjigjemi atyre që na kanë dërguar. Ç’thua për veten tënde?
  23. Tha: “Unë jam zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Drejtoni udhën e Zotit”, siç tha profeti Isaia.
  24. Edhe ata që qenë dërguar ishin prej Farisenjve.
  25. Edhe e pyetën e i thanë: Përse pra pagëzon, kur nuk je ti Krishti, as Ilia, as profeti?
  26. Joani iu përgjigj atyre, duke thënë: Unë pagëzoj me ujë; por në mes tuaj rri ai që ju nuk e njihni.
  27. Ai është ai që vjen pas meje, i cili është më i madh se unë, të cilit unë s’jam i zoti t’i zgjidh lidhëzën e këpucës.
  28. Këto u bënë në Vitavara përtej Jordanit, atje ku ishte Joani duke pagëzuar.
  29. Të nesërmen Joani sheh Jisuin duke ardhur tek ai, dhe thotë: Ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës.
  30. Ky është ai, për të cilin unë ju thashë: Pas meje vjen një burrë, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje.
  31. Edhe unë s’e njoha; por që të tregohet në Izrael, prandaj erdha unë duke pagëzuar me ujë.
  32. Edhe Joani dha dëshmi, duke thënë se pashë Shpirtin e Shenjtë duke zbritur nga qielli si pëllumb, dhe ndenji mbi të.
  33. Edhe unë nuk e njoha; por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: Ai mbi të cilin të shohësh Shpirtin e Shenjtë duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Shpirt të Shenjtë.
  34. Edhe unë e pashë dhe dhashë dëshmi se ky është i Biri i Perëndisë.
  35. Të nesërmen përsëri Joani ishte duke ndenjur, dhe dy prej nxënësve të tij gjithashtu.
  36. Edhe kur hodhi sytë dhe pa Jisuin duke ecur, thotë: Ja qengji i Perëndisë.
  37. Edhe të dy nxënësit e dëgjuan atë duke folur, dhe shkuan pas Jisuit.
  38. Edhe Jisui kur u kthye dhe pa ata duke shkuar pas tij, u thotë atyre: Ç’kërkoni?
  39. Edhe ata i thanë: Rabi, - që e përkthyer do me thënë, Mësues, - ku banon?
  40. U thotë atyre: Ejani dhe shihni. Erdhën dhe panë ku banonte; dhe qëndruan pranë tij atë ditë; dhe ora ishte rreth dhjetë.
  41. Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, ishte njëri nga ata të dy që dëgjuan prej Joanit për atë, dhe shkuan pas atij.
  42. Ky më përpara gjen të vëllanë e tij, Simonin, dhe i thotë: Gjetëm Mesinë, që e përkthyer do të thotë Krishtin.
  43. Edhe e pruri tek Jisui. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, dhe tha: Ti je Simoni, i biri i Jonait. Ti do të quhesh Qefa, që e përkthyer do të thotë Pjetër (gur).
  44. Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; dhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje.
  45. Edhe Filipi ishte nga Betsaidaja, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
  46. Filipi gjen Nathanailin, dhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët, të birin e Josifit nga Nazareti.
  47. Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Filipi thotë: Eja dhe shih.
  48. Jisui pa Nathanailin duke ardhur tek ai, dhe thotë për të: Shih një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër.
  49. Nathanaili i thotë: Që ku më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërresë Filipi, kur ishe nën drurin e fikut, unë të pashë.
  50. Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit.
  51. Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë se të pashë nën drurin e fikut beson? Do të shohësh më të mëdha se këto.
  52. Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi të Birin e njeriut.
 

Joani 2

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 2

  1. Edhe të tretën ditë u bë dasmë në Kana të Galilesë, dhe e ëma e Jisuit ishte atje.
  2. Edhe u ftua në dasmë edhe Jisui dhe nxënësit e tij.
  3. Edhe si mbaroi vera, e ëma e Jisuit i thotë: S’kanë verë.
  4. Jisui i thotë: Ç’ke ti me mua, o grua? Ora ime ende s’ka ardhur.
  5. E ëma e tij u thotë shërbëtorëve: Bëni ç’t’ju thotë.
  6. Edhe atje ishin gjashtë enë të gurta të vëna për pastrimin sipas zakonit të Judenjve, që nxinin secila nga dy a tri masa.
  7. Jisui u thotë atyre: Mbushni enët me ujë.
  8. Edhe ata i mbushën deri sipër. Pastaj u thotë atyre: Nxirrini tani, dhe çojani të parit të tryezës. Edhe ata i çuan.
  9. Edhe i pari i tryezës, si u provua uji që ishte bërë verë, dhe nuk e dinte nga është - po shërbëtorët që kishin nxjerrë ujin e dinin - i pari i tryezës thërret dhëndërin,
  10. edhe i thotë: Çdo njeri më përpara nxjerr verën e mirë, dhe si të dehen, atëherë nxjerr të dobtën; kurse ti ke ruajtur verën e mirë deri tani.
  11. Këtë nisje të çudirave Jisui e bëri në Kana të Galilesë dhe shfaqi lavdinë e tij; dhe nxënësit e tij i besuan.
  12. Pastaj zbriti në Kapernaum, ai dhe e ëma e të vëllezërit dhe nxënësit e tij; dhe ndenjën atje jo shumë ditë.
  13. Edhe pashka e Judenjve ishte afër, dhe Jisui u ngjit në Jerusalem.
  14. Edhe gjeti në tempull ata që shisnin qe e dhen e pëllumba, dhe sarafët duke ndenjur.
  15. Edhe si bëri një fshikull litarësh, i nxori të gjithë nga tempulli, edhe dhentë edhe qetë; dhe derdhi paret e sarafëve, dhe tryezat i përmbysi.
  16. Edhe atyre që shisnin pëllumbat u tha: Ngrejini këto këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie.
  17. Atëherë u ra ndër mend nxënësve të tij se është shkruar: “Zilia për shtëpinë tënde më hëngri”.
  18. Judenjtë pra u përgjigjën e i thanë: Ç’shenjë na tregon, që i bën këto?
  19. Jisui u përgjigj e u tha atyre: Prisheni këtë tempull dhe për tri ditë do ta ngre.
  20. Edhe Judenjtë thanë: Ky tempull është ndërtuar për dyzet e gjashtë vjet, dhe ti do ta ngresh atë për tri ditë?
  21. Po ai thoshte për tempullin e trupit të tij.
  22. Kur u ngjall pra prej së vdekurish, u ra ndër mend nxënësve të tij se për këtë u thoshte atyre; dhe i besuan shkrimit, dhe asaj fjalës që u tha Jisui.
  23. Edhe kur qe në Jerusalem për të kremten e pashkës, shumë veta besuan në emrin e tij, duke vështruar çudirat që bënte.
  24. Po vetë Jisui nuk u besonte atyre, sepse i njihte të gjithë,
  25. dhe sepse s’kishte nevojë që t’i jepte dëshmi ndonjëri për njeriun, sepse e dinte ç’ishte përbrenda njeriut
 

Joani 3

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 3

  1. Edhe ishte një njeri nga Farisenjtë, që e kishte emrin Nikodhim, një nga të parët e Judenjve.
  2. Ky erdhi natën tek Jisui dhe i tha: Rabi, e dimë se nga Perëndia ke ardhur mësues; sepse asnjë s’mund të bëjë këto shenja që bën ti, në mos qoftë Perëndia bashkë me të.
  3. Jisui u përgjigj e i tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind njeriu prej së larti, s’mund të shohë mbretërinë e Perëndisë.
  4. Nikodhimi i thotë: Si mund të lindet njeriu duke qenë plak? Mos mundet të hyjë për së dyti në barkun e së ëmës së tij e të lindë?
  5. Jisui u përgjigj: Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, nëse nuk lind njeriu prej uji e prej Shpirti, s’mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
  6. Ç’ka lindur prej mishit, është mish, dhe ç’ka lindur prej Shpirtit, është shpirt.
  7. Mos u çudit pse të thashë se duhet të lindni ju prej së larti.
  8. Era ku të dojë fryn, dhe i dëgjon zërin, po s’di nga vjen, e ku vete; kështu është edhe kushdo që ka lindur prej Shpirtit.
  9. Nikodhimi u përgjigj e i tha: Si mund të bëhen këto?
  10. Jisui u përgjigj e i tha: Ti je mësues i Izraelit, dhe nuk i di këto?
  11. Me të vërtetë, me të vërtetë po të them, se atë që dimë flasim, dhe për atë që pamë japim dëshmi, po dëshminë tonë nuk e pranoni.
  12. Nëse ju thashë juve punët e dheut, dhe nuk besoni, si do të besoni, nëse ju them punët e qiellit?
  13. Edhe asnjë s’ka hipur në qiell, veç ai që ka zbritur nga qielli, i Biri i njeriut, që është në qiell.
  14. Edhe sikurse Moisiu ngriti lart gjarpërin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart edhe i Biri i njeriut;
  15. që të mos humbasë kushdo që t’i besojë, por të ketë jetë të përjetshme.
  16. Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.
  17. Sepse Perëndia nuk e dërgoi të Birin në botë që të gjykojë botën, po që të shpëtojë bota me anë të tij.
  18. Ai që i beson atij, nuk gjykohet; por ai që nuk beson, që tani është dënuar, sepse nuk besoi në emrin e të vetëmlindurit Bir të Perëndisë.
  19. Edhe ky është gjyqi, se drita erdhi në botë, dhe njerëzit deshën më tepër errësirën se dritën; sepse punët e tyre ishin të liga.
  20. Sepse kushdo që bën të këqija, i ka mëri dritës, dhe nuk vjen tek drita, që të mos zbulohen punët e tij.
  21. Por ai që bën të vërtetën, vjen tek drita, që të tregohen punët e tij, se janë bërë në Perëndinë.
  22. Pastaj erdhi Jisui dhe nxënësit e tij në tokën e Judesë, dhe atje shkonte kohën bashkë me ata dhe pagëzonte.
  23. Ishte edhe Joani duke pagëzuar në Enon, afër Salemit, sepse atje ishin shumë ujëra; dhe vinin e pagëzoheshin.
  24. Sepse Joani ende s’ishte hedhur në burg.
  25. U bë pra një diskutim për punë pastrimi prej nxënësve të Joanit me disa Judenj.
  26. Edhe erdhën tek Joani dhe i thanë atij: Rabi, ai që ishte bashkë me ty përtej Jordanit, për të cilin ti dëshmove, ja ky tek po pagëzon, dhe të gjithë vijnë tek ai.
  27. Joani u përgjigj e tha: Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.
  28. Ju vetë dëshmoni për mua se thashë: Unë nuk jam Krishti, po se jam dërguar përpara atij.
  29. Ai që ka nusen, është dhëndëri; dhe miku i dhëndërit, ai që rri e dëgjon atë, gëzohet me ngazëllim të madh për zërin e dhëndërit.
  30. Ky pra, gëzimi im u mbush. Ai duhet të shtohet, e unë të pakësohem.
  31. Ai që vjen prej së larti, është sipër të gjithave. Ai që është prej dheut, prej dheut është, edhe prej dheut flet; ai që vjen prej qiellit, është sipër të gjithave.
  32. Edhe atë që pa e dëgjoi, për këtë dëshmon; po asnjë nuk e pranon dëshminë e tij.
  33. Ai që pranon dëshminë e tij, ka vënë vulë se Perëndia është i vërtetë.
  34. Sepse ai që ka dërguar Perëndia, fjalët e Perëndisë flet; sepse Perëndia nuk e jep Shpirtin e tij me masë.
  35. Ati e do Birin, dhe të gjitha ia ka dhënë në dorë.
  36. Ai që i beson Birit ka jetë të përjetshme; po ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi atë.
 

Joani 4

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 4

  1. Zoti pra, si mori vesh se Farisenjtë dëgjuan që Jisui bën e pagëzon më tepër nxënës se Joani -
  2. ndonëse Jisui vetë nuk pagëzonte, po nxënësit e tij -
  3. la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
  4. Edhe duhej të shkonte nëpër Samari.
  5. Vjen pra në një qytet të Samarisë që quhet Sihar, afër vendit që i dha Jakovi Josifit, birit të tij.
  6. Edhe atje ishte një pus i Jakovit. Jisui pra, pasi ishte lodhur nga rruga, qëndroi kështu pranë pusit; dhe ora ishte rreth gjashtë.
  7. Vjen një grua nga Samaria të nxjerrë ujë. Jisui i thotë asaj: Jepmë të pi.
  8. Sepse nxënësit e tij kishin shkuar në qytet për të blerë të ngrëna.
  9. I thotë pra atij gruaja Samaritane: Si ti, duke qenë Judeas, kërkon të pish prej meje, që jam një grua Samaritane? - Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët.
  10. Jisui u përgjigj e i tha asaj: Po të dije dhuratën e Perëndisë, dhe cili është ai që të thotë: Jepmë të pi, ti kishe për të lypur prej tij dhe ai kishte për të dhënë ty ujë të gjallë.
  11. Gruaja i thotë: Zot, as kovë nuk ke, dhe pusi është i thellë; nga e ke ti pra ujin e gjallë?
  12. Mos je ti më i madh se ati ynë Jakov, i cili na ka dhënë këtë pus, dhe vetë ai pinte nga ky, dhe të bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?
  13. Jisui u përgjigj e i tha asaj: Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë etje përsëri.
  14. Por ai që pi nga uji që do t’i jap unë, nuk do të ketë etje për gjithë jetën; por uji, që do t’i jap unë, do t’i bëhet burim uji që buron për jetë të përjetshme.
  15. Gruaja i thotë: Zot, jepmë këtë ujë që të mos kem etje, as të mos vij këtu të nxjerr ujë.
  16. Jisui i thotë asaj: Shko, thirr burrin tënd, dhe eja këtu.
  17. Gruaja u përgjigj e tha: S’kam burrë. Jisui i tha asaj: Mirë the se s’kam burrë.
  18. Sepse ke marrë pesë burra, dhe ai që ke tani, nuk është burri yt; këtë e fole me të vërtetë.
  19. Gruaja i thotë: Zot, po shoh se ti je profet.
  20. Etërit tanë në këtë mal u falën, e ju thoni se në Jerusalem është vendi, ku duhet të falemi.
  21. Jisui i thotë asaj: Grua, besomë se vjen një orë, kur nuk do t’i faleni Atit as në këtë mal, as në Jerusalem.
  22. Ju i faleni atij që nuk dini, ne i falemi atij që dimë; sepse shpëtimi është nga Judenjtë.
  23. Por vjen një orë, dhe tani është, kur falësit e vërtetë do t’i falen Atit me shpirt e me të vërtetë; sepse edhe Ati të këtillë kërkon të jenë ata që i falen atij.
  24. Perëndia është shpirt, dhe ata që i falen duhet të falen me shpirt e me të vërtetë.
  25. Gruaja i thotë: E di se vjen Mesia, ai që quhet Krisht; kur të vijë ai, do të na lajmërojë për të gjitha.
  26. Jisui i thotë asaj: Unë që të flas jam ai.
  27. Edhe në këto fjalë erdhën nxënësit e tij, dhe u çuditën se fliste me një grua; po asnjë s’tha: Ç’kërkon? apo: Ç’flet me të?
  28. Gruaja pra la shtambën e saj dhe shkoi në qytet: dhe u thotë njerëzve:
  29. Ejani shihni një njeri, që më tha gjithë sa kam bërë. Vallë, mos është ky Krishti?
  30. Dolën pra nga qyteti, dhe erdhën tek ai.
  31. Edhe ndërkohë nxënësit i luteshin, duke thënë: Rabi, ha.
  32. Po ai u tha atyre: Unë do të ha një të ngrënë, që ju nuk e dini.
  33. Nxënësit pra i thoshin njëri-tjetrit: Mos i pruri njeri të hajë?
  34. Jisui u thotë atyre: Ngrënia ime është të bëj dëshirën e atij që më ka dërguar, dhe të mbaroj punën e tij.
  35. Nuk thoni ju se janë edhe katër muaj dhe vijnë të korrat? Ja tek po ju them juve, ngrini përpjetë sytë tuaj, dhe shihni arat se janë tashmë të bardha për t’u korrur.
  36. Edhe ai që korr merr pagë, dhe mbledh pemë për jetë të përjetshme, që të gëzohen bashkë edhe ai që mbjell edhe ai që korr.
  37. Sepse për këtë e vërtetë është fjala, se tjetër është ai që mbjell, dhe tjetër ai që korr.
  38. Unë ju dërgova ju të korrni atë për të cilën ju s’jeni munduar; të tjerë u munduan, dhe ju hytë në mundimin e tyre.
  39. Edhe prej atij qyteti shumë nga Samaritanët besuan për fjalën e gruas që dëshmoi se më tha gjithë sa kam bërë.
  40. Samaritanët pra, si erdhën tek ai, i luteshin të rrijë pranë tyre. Edhe qëndroi atje dy ditë.
  41. Edhe shumë më tepër njerëz besuan për fjalën e tij.
  42. Edhe gruas i thoshin se nuk besojmë më për fjalën tënde; se ne e dëgjuam dhe e njohëm se ky është me të vërtetë Shpëtimtari i botës, Krishti.
  43. Edhe pas dy ditësh doli prej andej, dhe shkoi në Galile.
  44. Sepse vetë Jisui dëshmoi se asnjë profet s’ka nder në atdheun e tij.
  45. Kur erdhi pra në Galile, Galileasit e pritën, pasi kishin parë gjithë sa bëri të kremten në Jerusalem; sepse edhe ata kishin ardhur për të kremten.
  46. Jisui pra erdhi përsëri në Kana të Galilesë, ku kishte bërë ujin verë. Edhe ishte një njeri nga oborri mbretëror, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
  47. Ky kur dëgjoi se Jisui erdhi nga Judea në Galile, shkoi tek ai, dhe i lutej të zbresë e të shërojë të birin e tij; sepse ishte sëmurë për të vdekur.
  48. Jisui pra i tha: Në mos pafshi shenja e çudira, s’keni për të besuar.
  49. Njeriu i mbretërisë i thotë: Zot, zbrit para se të vdesë djali im.
  50. Jisui i thotë: Shko, se yt bir rron. Edhe njeriu i besoi fjalës që i tha Jisui dhe iku.
  51. Edhe kur po zbriste, shërbëtorët e tij u takuan me të dhe e lajmëruan se yt bir rron.
  52. I pyeti pra në ç’orë u bë më mirë. Edhe i thanë se dje në të shtatën orë e lanë ethet.
  53. I ati pra e kuptoi se kjo u bë në atë orë që i tha Jisui se yt bir rron; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
  54. Jisui bëri përsëri këtë çudi të dytë, si erdhi nga Judea në Jerusalem.
 

Joani 5

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 5

  1. Pas këtyre ishte një e kremte e Judenjve; dhe Jisui u ngjit në Jerusalem.
  2. Edhe në Jerusalem afër derës së dhenve është një pellg uji që quhet Hebraisht Betesdà, dhe ka pesë kamare.
  3. Në këto dergjej një turmë e madhe të sëmurësh, të verbrish, të çalësh, të paralizuarish që pritnin lëvizjen e ujit.
  4. Sepse kohë pas kohe zbriste një engjëll në pellg dhe trazonte ujin; ai pra që të hynte më përpara pas trazimit të ujit, bëhej i shëndoshë prej çfarëdo sëmundjeje që të kishte.
  5. Edhe atje ishte një njeri, që kishte i sëmurë tridhjetë e tetë vjet.
  6. Jisui kur e pa këtë se po dergjej, dhe mori vesh se tashmë prej shumë kohe ishte i sëmurë, i thotë: A do të bëhesh i shëndoshë?
  7. I sëmuri iu përgjigj: Zot, s’kam njeri të më vërë në pellg kur trazohet uji; sepse kur vij unë, një tjetër zbret përpara meje.
  8. Jisui i thotë: Çohu, ngri shtratin tënd, dhe ecë.
  9. Edhe përnjëherë njeriu u bë i shëndoshë, dhe ngriti shtratin e tij, dhe ecte. Edhe atë ditë ishte e shtunë.
  10. Judenjtë pra i thoshin atij që u shërua: Është e shtunë. Nuk është e udhës të ngresh shtratin.
  11. Ai iu përgjigj atyre: Ai që më shëroi më tha: Ngri shtratin tënd dhe ec.
  12. E pyetën pra: Cili është ai njeri që të tha: Ngri shtratin tënd dhe ec!
  13. Po ai që u shërua nuk e dinte cili është; sepse Jisui u shmang, se kishte shumë popull në atë vend.
  14. Pastaj Jisui e gjen atë në tempull, dhe i tha: Ja tek u bëre i shëndoshë; mos mëkato më, që mos të të bëhet ndonjë gjë më e keqe.
  15. Njeriu pra shkoi dhe lajmëroi Judenjtë se ai që e bëri të shëndoshë është Jisui.
  16. Edhe prandaj Judenjtë e ndiqnin Jisuin, dhe kërkonin ta vritnin, sepse i bënte këto ditën e shtunë.
  17. Po Jisui iu përgjigj atyre: Ati im punon deri tani, dhe unë punoj.
  18. Prandaj Judenjtë më tepër kërkonin ta vritnin, sepse jo vetëm e prishte të shtunën, po edhe se thoshte se Perëndia është i ati, duke e bërë veten e tij të barabartë me Perëndinë.
  19. Jisui pra, u përgjigj e u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve: Biri s’mund të bëjë asgjë prej vetiu, në mos paftë Atin duke bërë këtë; sepse ato që bën ai, këto i bën gjithashtu edhe Biri.
  20. Sepse Ati e do Birin, dhe i tregon gjithë ato që bën vetë; dhe do t’i tregojë punë më të mëdha se këto, që të çuditeni ju.
  21. Sepse sikurse Ati ngjall të vdekurit dhe jep jetë, kështu edhe Biri u jep jetë atyre që të dojë.
  22. Sepse Ati nuk gjykon asnjë, po gjithë gjyqin ia dha Birit,
  23. që të gjithë të nderojnë Birin, sikurse nderojnë Atin. Ai që nuk nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.
  24. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe në gjyq nuk vjen, por shkoi prej vdekjes në jetë.
  25. Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se vjen një orë, dhe tani është, kur të vdekurit kanë për të dëgjuar zërin e të Birit të Perëndisë, dhe ata që dëgjojnë do të rrojnë.
  26. Sepse sikurse Ati ka jetë në veten e tij, kështu i dha edhe të Birit të ketë jetë në veten e tij,
  27. dhe i dha pushtet të bëjë edhe gjyq, sepse është Bir njeriu.
  28. Mos u çuditni për këtë; se vjen një orë, në të cilën të gjithë ata që janë nëpër varret do të dëgjojnë zërin e tij,
  29. edhe ata që kanë bërë të mira do të dalin në ngjallje jete; por ata që kanë bërë të liga, në ngjallje gjyqi.
  30. Unë s’mund të bëj asgjë prej vetes sime. Siç dëgjoj, gjykoj; dhe gjyqi im është i drejtë; sepse s’kërkoj dëshirën time, po dëshirën e Atit që më dërgoi.
  31. Në dëshmofsha unë për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.
  32. Tjetër është ai që dëshmon për mua; dhe e di se dëshmia që dëshmon për mua është e vërtetë.
  33. Ju dërguat tek Joani, dhe ai dëshmoi të vërtetën.
  34. Edhe unë nuk e marr dëshminë prej njeriu; por i them këto, që të shpëtoni ju.
  35. Ai ishte kandili që digjet e bën dritë; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.
  36. Por unë e kam dëshminë më të madhe se të Joanit; sepse ato punë që më dha Ati që t’i mbaroj, ato punë që bëj unë, dëshmojnë për mua se Ati më ka dërguar.
  37. Edhe Ati që më dërgoi, ai dëshmon për mua. As zërin e tij s’e keni dëgjuar kurrë, as fytyrën e tij s’e keni parë.
  38. Edhe fjala e tij s’qëndron te ju, sepse ju nuk i besoni këtij që dërgoi ai.
  39. Vëzhgoni shkronjat, sepse ju kujtoni se në ato keni jetë të përjetshme; dhe ato janë ato që dëshmojnë për mua.
  40. Por s’doni të vini tek unë, që të keni jetë.
  41. Nuk marr lavdi prej njerëzish.
  42. Por ju njoha ju se s’keni dashurinë e Perëndisë në veten tuaj.
  43. Unë kam ardhur në emrin e Atit tim, e nuk më pranoni; në ardhtë ndonjë tjetër në emrin e tij, do ta pranoni atë.
  44. Si mund të besoni ju që merrni lavdi njëri prej tjetrit, dhe nuk kërkoni lavdinë që është prej të vetmit Perëndi?
  45. Mos kujtoni se unë do t’ju akuzoj tek Ati; ka kush t’ju akuzojë, Moisiu, tek i cili ju shpresuat.
  46. Sepse po t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit dhe mua; sepse ai shkroi për mua.
  47. Por në qoftë se nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?
 

Joani 6

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Joanit

Joani 6

  1. Pastaj Jisui shkoi përtej detit të Galilesë, të Tiberiadës.
  2. Edhe shumë njerëz i shkuan pas, sepse shihnin çuditë e tij, që bënte mbi të sëmurët.
  3. Edhe Jisui u ngjit në mal dhe rrinte atje bashkë me nxënësit e tij.
  4. Edhe ishte afër pashka, e kremtja e Judenjve.
  5. Jisui pra, kur ngriti sytë dhe pa se po vinte shumë popull tek ai, i thotë Filipit: Nga do të blejmë bukë, që të hanë këta?
  6. - Edhe e thoshte këtë, që ta provonte; sepse ai e dinte se ç’do të bënte. -
  7. Filipi iu përgjigj: Dyqind dinarë bukë nuk u dalin atyre, që të marrë nga një çikë gjithësecili nga ata.
  8. Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga nxënësit e tij, i thotë:
  9. Këtu është një djalë i vogël që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq. Po ç’janë këto për kaq veta?
  10. Edhe Jisui tha: Thuajuni njerëzve të rrinë përdhe. Edhe kishte shumë bar në atë vend. Ndenjën pra burrat, rreth pesë mijë veta në numër.
  11. Edhe Jisui mori bukët, dhe si falënderoi, ua ndau nxënësve, dhe nxënësit atyre që kishin ndenjur përdhe; kështu edhe prej peshqve sa deshën.
  12. Edhe si u ngopën, u thotë nxënësve të tij: Mblidhni copat që kanë tepruar, që të mos humbasë gjë.
  13. I mblodhën pra, dhe mbushën dymbëdhjetë kofinë me copa nga të pesë bukët prej elbi që u tepruan atyre që hëngrën.
  14. Njerëzit pra, kur panë çudinë që bëri Jisui, thoshin se me të vërtetë ky është profeti që ka për të ardhur në botë.
  15. Jisui pra si e kuptoi se donin të vinin e ta rrëmbenin që ta bënin mbret, iku përsëri në mal vetëm.
  16. Edhe si u ngrys, nxënësit e tij zbritën në det.
  17. Edhe hynë në lundër dhe shkuan përtej detit në Kapernaum. Edhe tani ishte bërë errët dhe Jisui nuk kishte ardhur tek ata.
  18. Edhe deti po ngrihej, se po frynte erë e madhe.
  19. Pasi vozitën pra rreth njëzet e pesë a tridhjetë stade, shohin Jisuin duke ecur mbi det dhe duke ardhur afër lundrës; dhe u frikësuan.
  20. Po ai u thotë atyre: Jam unë, mos u frikësoni.
  21. Deshën pra ta marrin në lundër; dhe përnjëherë lundra u gjend në tokën në të cilën shkonin.
  22. Të nesërmen turma që kishte ndenjur përtej detit, kur panë se s’kishte atje tjetër lundër, veç një, ajo, në të cilën hynë nxënësit e tij, dhe se nuk hyri Jisui në lundër bashkë me nxënësit e tij, po vetëm nxënësit e tij, ikën.
  23. - Edhe të tjera lundra erdhën nga Tiberiada afër vendit ku hëngrën bukën, pasi falënderoi Zoti. -
  24. Turma pra kur pa se Jisui nuk është atje, as nxënësit e tij, hipën edhe ata nëpër lundrat dhe erdhën në Kapernaum duke kërkuar Jisuin.
  25. Edhe si e gjetën përtej detit, i thanë: Rabi, kur erdhe këtu?
  26. Jisui iu përgjigj atyre e tha: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, më kërkoni jo sepse patë çudira, por sepse hëngrët nga bukët dhe u ngopët.
  27. Mos punoni për ushqimin që prishet, po për ushqimin që mbetet për jetë të përjetshme, të cilin do t’ua japë juve i Biri i njeriut; sepse këtë e vulosi Ati, Perëndia.
  28. I thanë pra: Ç’të bëjmë, që të bëjmë punët e Perëndisë?
  29. Jisui u përgjigj e u tha atyre: Kjo është puna e Perëndisë, t’i besoni atij që ka dërguar ai.
  30. I thanë pra: Ç’shenjë bën pra ti, që të shohim, e të të besojmë ty? ç’punon?
  31. Etërit tanë hëngrën mannën në shkretëtirë, siç është shkruar: “Bukë nga qielli u dha atyre të hanë”.
  32. Jisui pra u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, Moisiu nuk ju dha juve bukën nga qielli; po im Atë ju jep juve bukën e vërtetë nga qielli.
  33. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli, dhe që i jep jetë botës.
  34. I thanë pra: Zot, jepna përherë këtë bukë.
  35. Edhe Jisui u tha atyre: Unë jam buka e jetës. Ai që vjen tek unë, nuk do të ketë uri; dhe ai që më beson, nuk do të ketë etje kurrë.
  36. Por ju thashë juve se edhe më patë edhe nuk besoni.
  37. Gjithë ç’më jep Ati, do të vijë tek unë; dhe atë që të vijë tek unë, nuk do ta nxjerr jashtë.
  38. Sepse kam zbritur nga qielli, jo për të bërë dëshirën time, po dëshirën e atij që më ka dërguar.
  39. Edhe kjo është dëshira e Atit që më ka dërguar, nga gjithë ç’më ka dhënë të mos humbas asgjë, po ta ngjall në ditën e fundit.
  40. Edhe kjo është dëshira e atij që më ka dërguar, kushdo që sheh Birin dhe i beson, të ketë jetë të përjetshme; dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
  41. Judenjtë pra ankoheshin për atë, se tha: Unë jam buka që zbrita nga qielli.
  42. Edhe thoshin: A nuk është ky Jisui, i biri i Josifit, të cilit ne i njohim të atin dhe të ëmën; si thotë pra ky se kam zbritur nga qielli?
  43. Jisui pra u përgjigj e u tha atyre: Mos pëshpërisni me njëri-tjetrin.
  44. Asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos e sjelltë Ati që më ka dërguar; dhe unë do ta ngjall atë në ditën e fundit.
  45. Është shkruar në profetët: “Edhe të gjithë do të jenë të mësuar nga Perëndia”. Kushdo pra që ka dëgjuar prej Atit dhe është mësuar, vjen tek unë.
  46. Jo se e ka parë ndonjë Atin, vetëm ai që është nga Perëndia, ky e ka parë Atin.
  47. Me të vërtetë po ju them juve: Ai që më beson ka jetë të përjetshme.
  48. Unë jam buka e jetës.
  49. Etërit tuaj hëngrën mannën në shkretëtirë, dhe vdiqën.
  50. Kjo është buka që zbret nga qielli, që të hajë ndonjë prej saj dhe të mos vdesë.
  51. Unë jam buka e gjallë që zbriti nga qielli. Në ngrëntë njeri prej kësaj buke, do të rrojë për gjithë jetën. Edhe buka që do të jap unë, është mishi im, të cilin unë do ta jap për jetën e botës.
  52. Judenjtë pra haheshin njëri me tjetrin, duke thënë: Si mund të na japë ky të hamë mishin e tij?
  53. Jisui pra u tha atyre: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, dhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj.
  54. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.
  55. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim, dhe gjaku im është me të vërtetë të pirë.
  56. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet tek unë, edhe unë tek ai.
  57. Siç më dërgoi Ati që rron, dhe unë rroj për Atin, kështu edhe ai që më ha mua, do të rrojë edhe ai për mua.
  58. Kjo është buka që zbriti nga qielli; jo sikurse etërit tanë hëngrën mannën dhe vdiqën; ai që ha këtë bukë, do të rrojë për gjithë jetën.
  59. Këto tha në sinagogë duke mësuar në Kapernaum.
  60. Shumë veta nga nxënësit e tij kur dëgjuan, thanë: Kjo fjalë është e ashpër. Cili mund ta dëgjojë?
  61. Edhe Jisui si e kuptoi në vete se nxënësit e tij po ankoheshin për këtë, u tha atyre: Kjo ju skandalizon ju?
  62. Ç’do të thoni pra, në qoftë se shihni të Birin e njeriut duke u ngjitur atje ku ishte më përpara?
  63. Shpirti është ai që jep jetë, mishi nuk vlen asgjë. Fjalët që ju flas unë juve, janë shpirt dhe janë jetë.
  64. Po janë disa prej jush që nuk besojnë. Sepse Jisui e dinte që në fillim cilët janë ata që s’besojnë, dhe cili është ai që do ta tradhtonte.
  65. Edhe thoshte: Prandaj ju thashë juve se asnjë s’mund të vijë tek unë, në mos i është dhënë prej Atit tim.
  66. Që atëherë pra shumë nga nxënësit e tij u kthyen prapa, dhe nuk ecnin më bashkë me të.
  67. Jisui pra u tha të dymbëdhjetëve: Mos doni të ikni edhe ju?
  68. Simon Pjetri iu përgjigj pra atij: Zot, tek cili të shkojmë? Ti ke fjalë jete të përjetshme.
  69. Dhe ne kemi besuar dhe e kemi njohur se ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë.
  70. Jisui pra iu përgjigj atyre: A nuk ju zgjodha unë ju të dymbëdhjetët? Po një prej jush është djall.
  71. Edhe thoshte për Juda Iskariotin, të birin e Simonit; sepse ky, ndonëse ishte një prej të dymbëdhjetëve, kishte për ta tradhtuar atë.
 
More Articles...