AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Llukait

Llukai 6

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 6

  1. Edhe të shtunën e dytë pas së parës ai po shkonte nëpër të mbjellat; dhe nxënësit e tij këputnin kallinj e hanin, duke i fërkuar me duar.
  2. Edhe ca nga Farisenjtë u thanë atyre: Pse bëni atë që nuk është e udhës ta bëni të shtunave?
  3. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: A nuk e keni lexuar as këtë që bëri Davidi, kur i erdhi uri atij dhe atyre që ishin bashkë me atë?
  4. Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, dhe mori bukët e paravënies, dhe hëngri, dhe u dha edhe atyre që ishin bashkë me atë, të cilat nuk është e udhës t’i hanë përveçse vetëm priftërinjtë?
  5. Edhe u thoshte atyre se i Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës.
  6. Edhe përsëri një tjetër të shtunë hyri në sinagogë, dhe i mësonte; dhe atje ishte një njeri që e kishte dorën të thatë.
  7. Edhe shkruesit e Farisenjtë e vështronin, nëse do të shërojë të shtunën, që të gjenin shkak akuze kundër tij.
  8. Po ai i dinte mendimet e tyre e i tha njeriut, që kishte dorën e thatë: Ngrihu, dhe qëndro në mes. Edhe ai u ngrit e qëndroi.
  9. Jisui u tha pra atyre: Do t’ju pyes një gjë, a është e udhës të shtunave të bëjë njeriu mirë apo të bëjë keq? Të shpëtojë shpirt apo të humbë?
  10. Edhe pasi i vuri re përreth të gjithë ata, i tha njeriut: Shtri dorën tënde. Edhe ai bëri ashtu, dhe dora e tij u bë e shëndoshë si tjetra.
  11. Po ata u mbushën me mëri, dhe flisnin njëri me tjetrin, ç’ti bëjnë Jisuit.
  12. Edhe në ato ditë doli në mal të falej, dhe e kaloi natën duke iu falur Perëndisë.
  13. Edhe kur u bë ditë, thirri nxënësit e tij, dhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, dhe i quajti apostuj:
  14. Simonin, të cilin edhe e quajti Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakovin dhe Joanin, Filipin e Vartholomeun,
  15. Matheun dhe Thomain, Jakovin e Alfeut, dhe Simonin, që u quajt Ziloti,
  16. Judën, të vëllanë e Jakovit, dhe Juda Iskariotin, i cili u bë edhe tradhtar.
  17. Edhe zbriti bashkë me ata e qëndroi në një vend të sheshtë; dhe ishin grumbulli i nxënësve të tij dhe një turmë e madhe populli nga gjithë Judea dhe nga Jerusalemi, dhe nga bregdeti i Tirit e i Sidonës, të cilët erdhën të dëgjonin atë, dhe të shëroheshin nga sëmundjet e tyre,
  18. edhe ata që mundoheshin prej frymëve të ndyra, dhe shëroheshin.
  19. Edhe gjithë turma kërkonin ta preknin; sepse dilte fuqi prej tij, dhe i shëronte të gjithë.
  20. Edhe ai, si ngriti sytë mbi nxënësit e tij, thoshte: Lum ju të varfërit, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.
  21. Lum ju që keni uri tani, sepse do të ngopeni.
  22. Lum ju që qani tani, sepse do të qeshni. Të lumtur jeni ju, kur t’ju kenë smirë njerëzit, dhe kur t’ju veçojnë, dhe t’ju shajnë, dhe t’ju nxjerrin emrin për të keq, për shkak të Birit të njeriut.
  23. Gëzohuni në atë ditë dhe kërceni; sepse ja paga juaj tek është e shumtë në qiell; sepse kështu ua bënin edhe profetëve etërit e tyre.
  24. Po mjerë ju të pasurit, sepse e morët ngushëllimin tuaj.
  25. 25 Mjerë ju të ngopurit, se do të keni uri. Mjerë ju që qeshni tani, se do të mbani zi e do të qani.
  26. Mjerë ju, kur gjithë njerëzit të flasin mirë për ju; sepse kështu ua bënin edhe profetëve gënjeshtarë etërit e tyre.
  27. Po ju them juve që dëgjoni: Duajini armiqtë tuaj; bëjuni mirë atyre që ju kanë smirë;
  28. bekoni ata që ju mallkojnë; dhe faluni për ata që ju dëmtojnë.
  29. Atij që të të bjerë një shuplakë në faqe, kthei edhe tjetrën, dhe atij që të merr rrobën tënde, mos i ndalo edhe këmishën.
  30. Edhe kujtdo që lyp prej teje jepi, dhe atij që merr të tuat, mos ia lyp prapë.
  31. Edhe siç doni t’ju bëjnë juve njerëzit, edhe ju bëjuni atyre po ashtu.
  32. Edhe në daçi ata që ju duan, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët duan ata që i duan.
  33. Edhe në u bëfshi mirë atyre që ju bëjnë mirë juve, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët po atë bëjnë.
  34. Edhe nëse u jepni hua atyre, prej të cilëve shpresoni t’i merrni prapë, çfarë hiri keni ju? Sepse edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’i marrin prapë një nga një.
  35. Por duajini armiqtë tuaj, dhe bëni mirë, dhe jepni hua, pa pasur ndonjë shpresë më; dhe atëherë paga juaj do të jetë e shumtë, dhe do të jeni bijtë e të Lartit; sepse ai është i mirë me ata që nuk ia njohin të mirën dhe me të këqijtë.
  36. Bëhuni pra përdëllimtarë, sikurse dhe ati juaj është përdëllimtar.
  37. Edhe mos gjykoni, dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni, dhe nuk do të dënoheni; ndjeni, dhe do të ndjeheni.
  38. Jepni, dhe do t’ju jepet juve; masë të mirë, të ngjeshur e të tundur e të derdhur prej buze do t’ju japin në gjirin tuaj; sepse me atë masë që matni, do t’ju matet edhe juve.
  39. Edhe u tha atyre një paravoli: Mos mundet një i verbër t’i heqë udhën të verbërit? A nuk do të bien që të dy në gropë?
  40. Nuk ka nxënës përmbi mësuesin e tij; po çdo nxënës i mbaruar do të jetë si mësuesi i tij.
  41. Edhe pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd, dhe traun që është në syrin tënd nuk e ndjen?
  42. Apo si mund t’i thuash vëllait tënd: Vëlla, dale të nxjerr lëmishten që ke në syrin tënd, kur ti nuk sheh traun që është në syrin tënd? Hipokrit, nxirr më përpara traun prej syrit tënd, dhe atëherë do të shohësh mirë të nxjerrësh lëmishten që është në syrin e vëllait tënd.
  43. Sepse nuk ka dru të mirë që të bëjë pemë të kalbur; as dru të kalbur që të bëjë pemë të mirë.
  44. Sepse çdo dru njihet prej pemës së tij; sepse nuk mbledhin fiq nga drizat, as nuk vjelin rrush nga ferrat.
  45. Njeriu i mirë nxjerr të mirën prej thesarit të mirë të zemrës së tij; dhe njeriu i lig nxjerr të ligën prej thesarit të lig të zemrës së tij; sepse goja e atij flet nga teprica e zemrës.
  46. Edhe pse të thërritni, Zot, Zot, dhe nuk bëni sa them?
  47. Kushdo që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia, dhe i bën, do t’ju tregoj juve me cilin ngjan:
  48. Ngjan me një njeri që ndërtonte një shtëpi, i cili gërmoi e thelloi dhe hodhi themel mbi shkëmb; dhe kur vërshuan ujërat, u përpoq lumi kundër asaj shtëpie dhe nuk mundi ta tundë; sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
  49. Po ai që të dëgjojë e të mos bëjë, ngjan me një njeri që ndërtoi shtëpi mbi dhe pa themel, kundër së cilës u përpoq lumi, dhe përnjëherë ra, dhe rrëzimi i asaj shtëpie u bë i madh.
 

Llukai 5

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 5

  1. Edhe ndërsa turma ishte duke e shtrënguar atë që të dëgjonin fjalën e Perëndisë, ai qëndronte pranë liqenit Gjenisaret.
  2. Edhe pa dy lundra duke qëndruar pranë bregut të liqenit; dhe peshkatarët dolën nga ato, e lanin rrjetat.
  3. Edhe ai hyri në njërën nga lundrat, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut atij të largohej pak prej tokës. Edhe si ndenji mësonte turmën nga lundra.
  4. Edhe si pushoi së foluri, i tha Simonit: Sill lundrën në ujëra të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja, që të zini peshq.
  5. Edhe Simoni u përgjigj e i tha: Mësues, gjithë natën u munduam, dhe nuk zumë gjë; po për fjalën tënde do ta hedh rrjetën.
  6. Edhe si bënë këtë, mbyllën brenda një mori të madhe peshqish, dhe rrjeta e tyre po çirrej.
  7. Edhe u bënë me shenjë shokëve që ishin në lundrën tjetër, që të vinin e t’u ndihmonin; dhe ata erdhën, dhe mbushën të dy lundrat, kaq sa ato zunë të fundoseshin.
  8. Edhe Simon Pjetri, kur pa, ra në gjunjët e Jisuit, duke thënë: Dil prej meje, Zot, sepse jam njeri mëkatar.
  9. Sepse habi e pushtoi atë dhe ata që ishin bashkë me të, për gjahun e peshqve që zunë;
  10. gjithashtu edhe Jakovin e Joanin, të bijtë e Zevedheut, të cilët ishin shokë të Simonit. Edhe Jisui i tha Simonit: Mos ki frikë, se pastaj do të gjuash njerëz.
  11. Edhe si sollën lundrat në tokë, i lanë të gjitha dhe shkuan pas tij.
  12. Edhe kur ai ishte në një nga qytetet, ja një njeri plot me lebër, i cili, kur pa Jisuin, ra përmbys, dhe iu lut, duke thënë: Zot, nëse do, mund të më pastrosh.
  13. Edhe ai ndeu dorën, dhe e preku e tha: Dua. Pastrohu. Edhe menjëherë lebra iku prej atij.
  14. Edhe ai e porositi të mos i thotë asnjeriu; po shko, i thotë, e rrëfe veten tënde tek prifti, dhe sill dhuratë për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu, për dëshmi mbi ata.
  15. Po fjala dilte më tepër për të. Edhe shumë turma mblidheshin për të dëgjuar e për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e tyre.
  16. Po ai tërhiqej në shkretëtira dhe falej.
  17. Edhe një ditë, ndërsa ai ishte duke i mësuar, rrinin Farisenj e mësues ligji, të cilët kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë e i Judesë e i Jerusalemit; dhe fuqia e Zotit ishte për t’i shëruar ata.
  18. Edhe ja, ca njerëz sillnin mbi shtrat një njeri, i cili ishte i paralizuar; dhe kërkonin ta sillnin brenda e ta vinin përpara atij.
  19. Edhe pasi s’gjetën nga ç’anë ta sillnin brenda nga turma e shumtë, hipën mbi shtëpi, dhe e zbritën nga tjegullat bashkë me shtratin në mes përpara Jisuit.
  20. Edhe kur pa besimin e tyre, i tha atij: O njeri, të janë ndjerë mëkatet e tua.
  21. Edhe shkruesit e Farisenjtë zunë të mendoheshin, duke thënë: Cili është ky që flet blasfemira? Kush mund të ndjejë mëkate, përveçse vetëm Perëndia?
  22. Po Jisui, si kuptoi mendimet e tyre, u përgjigj e u tha atyre: Ç’mendoni në zemrat tuaja?
  23. Ç’është më kollaj të them: Të janë ndjerë mëkatet e tua, apo të them: Ngrihu dhe ec?
  24. Po që të dini se i Biri i njeriut ka pushtet mbi dhe të ndjejë mëkate, - i tha të paralizuarit: Ty të them, ngrihu, edhe ngri shtratin tënd dhe shko në shtëpinë tënde.
  25. Edhe menjëherë ai u ngrit përpara tyre dhe ngriti shtratin, mbi të cilin dergjej, dhe shkoi në shtëpinë e tij, duke lavdëruar Perëndinë.
  26. Edhe një mahnitje i pushtoi të gjithë, edhe lavdëronin Perëndinë; dhe u mbushën me frikë, duke thënë se sot pamë punë të mahnitshme.
  27. Edhe pastaj doli dhe pa një tagrambledhës, që e kishte emrin Levi, duke ndenjur në doganë, dhe i tha: Eja pas meje.
  28. Edhe ai i la të gjitha dhe u ngrit e shkoi pas atij.
  29. Edhe Leviu i bëri një pritje të madhe në shtëpinë e tij; dhe ishte një turmë e madhe tragrambledhësish dhe të tjerësh, që kishin ndenjur në tryezë bashkë me ata.
  30. Edhe shkruesit e tyre dhe Farisenjtë pëshpërisnin tek nxënësit e tij, duke thënë: Pse hani e pini bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?
  31. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Nuk kanë nevojë të shëndoshët për shërues, po ata që kanë keq.
  32. S’kam ardhur të thërres të drejtë, po mëkatarë në pendim.
  33. Edhe ata i thanë: Pse nxënësit e Joanit agjërojnë dendur dhe bëjnë lutje, gjithashtu edhe ata të Farisenjve, por të tutë hanë e pinë?
  34. Edhe ai u tha atyre: Mos mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë deri sa të jetë dhëndri bashkë me ta?
  35. Po kanë për të ardhur ditë kur do të merret dhëndri prej tyre; atëherë në ato ditë do të agjërojnë.
  36. Edhe u thoshte atyre edhe një paravoli, se asnjë nuk vë arnë prej rrobe të re mbi rrobë të vjetër; në mos, edhe të renë e çjerr, edhe arna prej së resë s’vjen një me të vjetrin.
  37. Edhe asnjë nuk vë verë të re në calikë të vjetër; në mos, vera e re do t’i plasë calikët, dhe ajo do të derdhet, dhe calikët do të prishen.
  38. Po vera e re duhet të vihet në calikë të rinj, dhe kështu të dyja ruhen.
  39. Edhe asnjë, pasi të pijë verë të vjetër, nuk do menjëherë të re, sepse thotë, e vjetra është më e mirë.
 

Llukai 4

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 4

  1. Edhe Jisui plot me Shpirt të Shenjtë u kthye nga Jordani; edhe u pru me anë të Shpirtit në shkretëtirë,
  2. ku ishte duke u ngarë nga djalli dyzet ditë. Edhe nuk hëngri asgjë në ato ditë; dhe si u mbushën ato, pastaj i erdhi uri.
  3. Edhe djalli i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë.
  4. Edhe Jisui iu përgjigj atij, duke thënë: Eshtë shkruar “Se njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë të Perëndisë”.
  5. Edhe djalli e hipi mbi një mal të lartë, e i tregon atij gjithë mbretëritë e botës për një grimë here.
  6. Edhe djalli i tha: Ty do të ta jap tërë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse mua më është dhënë, dhe kujt të dua ia jap.
  7. Nëse ti pra falesh përpara meje, të gjitha do të jenë të tuat.
  8. Po Jisui u përgjigj e i tha: Shporru prapa meje, Satana, sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd, do t’i falesh, dhe vetëm atij do t’i lutesh”.
  9. Edhe ai e pruri atë në Jerusalem dhe e qëndroi mbi fletëzën e tempullit, dhe i tha: Nëse je i Biri i Perëndisë, hidhe veten tënde së këtejmi poshtë.
  10. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty, që të të ruajnë”;
  11. edhe “Se do të të ngrenë ty mbi duar, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”.
  12. Edhe Jisui u përgjigj e i tha se është thënë: “Nuk ke për të ngacmuar Zotin Perëndinë tënd”.
  13. Edhe djalli pasi mbaroi çdo ngasje, u largua prej tij deri në një kohë.
  14. Edhe Jisui u kthye me fuqinë e Shpirtit në Galile; dhe doli zë për të në gjithë vendin përreth.
  15. Edhe ai i mësonte nëpër sinagogat e tyre, duke u lavdëruar prej të gjithëve.
  16. Edhe erdhi në Nazaret, atje ku ishte rritur; dhe sipas zakonit të tij hyri në sinagogë ditën e shtunë, dhe u ngrit të lexojë.
  17. Edhe ata i dhanë librin e profetit Isaia; dhe si hapi librin gjeti vendin, ku ishte shkruar:
  18. Shpirti i Zotit është mbi mua; prandaj më leu me vaj; më dërgoi t’u jap lajmin e mirë të varfërve, të shëroj ata që kanë zemrën të thyer,
  19. t’u predikoj skllevërve liri, dhe të verbërve hapjen e syve, dhe të dërgoj ata që janë nën mundim në liri; të predikoj vit të pëlqyer nga Zoti”.
  20. Edhe si mbylli librin, ia dha shërbëtorit, dhe ndenji; dhe sytë e gjithë atyre që ishin në sinagogë ishin duke shikuar mbi të.
  21. Edhe zuri t’u thoshte atyre se sot u përmbush ky shkrim në veshët tuaj.
  22. Edhe të gjithë dëshmonin për të, dhe çuditeshin për fjalët e hirit që dilnin prej gojës së tij, dhe thoshin: A nuk është ky i biri i Josifit?
  23. Edhe ai u tha atyre: Pa fjalë do të më thoni këtë paravoli: Mjek, shëro veten tënde. Sa dëgjuam që janë bërë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.
  24. Po ai tha: Me të vërtetë po ju them juve, se asnjë profet nuk është i pëlqyer në atdheun e tij.
  25. Edhe me të vërtetë po ju them juve, shumë gra të veja ishin në Izrael në ditët e Ilias kur u mbyll qielli tre vjet e gjashtë muaj, kohë në të cilën u bë një zi e madhe mbi gjithë dhenë.
  26. Po as tek ndonjë nga ato nuk u dërgua Ilia, përveç në Sareptë të Sidonës tek një grua e ve.
  27. Edhe shumë lebrozë ishin në Izrael në ditët e profetit Elise; po asnjë nga ata nuk u pastrua, përveç Neman Sirianit.
  28. Edhe gjithë ata që ishin në sinagogë, kur dëgjuan këto, u mbushën me zemërim.
  29. Edhe u ngritën dhe e nxorën jashtë qytetit; dhe e prunë deri në rrëzë të malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta rrëzonin poshtë.
  30. Po ai shkoi nëpër mes tyre, dhe iku.
  31. Edhe zbriti në Kapernaum, që është një qytet i Galilesë; e ishte duke i mësuar ata të shtunave.
  32. Edhe mahniteshin për mësimin e tij; sepse fjala e atij ishte me pushtet.
  33. Edhe në sinagogë ishte një njeri që kishte frymë djalli të ndyrë, dhe bërtiti me zë të madh,
  34. duke thënë: Mjerë! Ç’ke me ne ti, Jisu Nazaretasi? Erdhe të na humbasësh? Të njoh cili je, Shenjti i Perëndisë.
  35. Po Jisui e qortoi, duke thënë: Pusho, dhe dil prej tij. Edhe djalli si e hodhi në mes, doli prej tij, pa i bërë fare dëm atij.
  36. Edhe të gjithë u habitën, dhe flisnin njëri me tjetrin, duke thënë: Ç’është kjo fjalë, që me pushtet e me fuqi urdhëron frymët e ndyra, dhe dalin?
  37. Edhe përhapej zë për të në çdo anë të vendit përreth.
  38. Edhe si u ngrit prej sinagogës, hyri në shtëpinë e Simonit, dhe të vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të mëdha; dhe iu lutën për të.
  39. Edhe ai si qëndroi mbi të, i qortoi ethet, dhe e lanë; dhe ajo menjëherë u ngrit e u shërbente.
  40. Edhe kur po perëndonte dielli, gjithë sa kishin të sëmurë prej çdo lloj lëngatash, i prunë tek ai; dhe ai duke vënë duart mbi secilin nga ata, i shëroi ata.
  41. Edhe prej shumë vetave dilnin edhe djaj duke klithur e duke thënë se ti je Krishti, i biri i Perëndisë. Edhe ai duke i qortuar s’i linte të flitnin, sepse e njihnin se ai ishte Krishti.
  42. Edhe si u bë ditë, doli e shkoi në një vend të shkretë; dhe turmat e kërkonin atë, dhe erdhën deri aty; dhe e mbanin, që të mos ikte prej tyre.
  43. Po ai u tha atyre, se edhe nëpër qytetet e tjera duhet të jap lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë; sepse për këtë jam dërguar.
  44. Edhe ishte duke predikuar nëpër sinagogat e Galilesë.
 

Llukai 3

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 3

  1. Edhe në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërisë së Tiber Qezarit, kur Pont Pilati ishte qeveritar i Judesë, dhe Irodi tetrark i Galilesë, dhe Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i vendit të Trakonitidës, dhe Lisania tetrark i Avilinisë,
  2. në ditët e kryepriftërinjve Ana e Kaiafa, erdhi fjala e Perëndisë mbi Joanin, të birin e Zaharisë në shkretëtirë.
  3. Edhe erdhi në gjithë vendin rreth Jordanit, duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve,
  4. siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij.
  5. Çdo vend i thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, dhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, dhe udhët e ashpra të sheshta;
  6. edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Izraelit”.
  7. U thoshte pra turmave që vinin jashtë që të pagëzoheshin prej tij: Pjellë nepërkash, kush ju tregoi juve të ikni prej zemërimit që ka për të ardhur?
  8. Bëni pra pemë të vlefshme për pendim, dhe mos filloni të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin; sepse po ju them juve, se Perëndia mundet prej këtyre gurëve t’i ngrerë djem Abrahamit.
  9. Edhe tani edhe sëpata gjendet në rrënjët e drurëve; çdo dru pra që nuk bën pemë të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.
  10. Edhe turma e pyetnin, duke thënë: Ç’të bëjmë pra?
  11. Edhe ai u përgjigj e u thotë atyre: Kush ka dy rroba le t’i japë pjesë atij që s’ka; dhe kush ka të ngrëna, po ashtu le të bëjë.
  12. Erdhën edhe tagrambledhës që të pagëzoheshin, dhe i thanë: Mësues, ç’të bëjmë?
  13. Edhe ai u thotë atyre: Mos merrni gjë më tepër veç asaj që ju është urdhëruar.
  14. Edhe e pyetnin atë edhe të tillë që shkojnë ushtarë, duke thënë: Po ne ç’të bëjmë? Edhe u tha atyre: Mos shtrëngoni asnjeri, as mos kallzoni keq për njeri; dhe le t’ju jenë mjaft pagat tuaja.
  15. Edhe ndërsa populli ishte dyke pritur, dhe të gjithë mendoheshin në zemrat e tyre për Joanin, vallë, mos është ai Krishti,
  16. Joani iu përgjigj të gjithëve, duke thënë: Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh rripin e këpucëve të tij; ai do t’ju pagëzojë me Shpirt të Shenjtë e me zjarr;
  17. ai i cili mban lopatën në dorën e tij dhe do të pastrojë lëmin e tij, dhe do të mbledhë grurin në grunarin e tij, dhe kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar.
  18. Edhe duke i mësuar popullit shumë të tjera, i jepte atij lajmin e mirë.
  19. Edhe Irodi, tetrarku, pasi qortohej prej atij për Irodiadën, gruan e të vëllait të tij (Filipit), dhe për gjithë të këqijat që pati bërë Irodi,
  20. shtoi edhe këtë përmbi të gjitha dhe e mbylli Joanin në burg.
  21. Edhe pasi u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jisui, dhe ndërsa ishte duke u falur, u hap qielli,
  22. edhe Shpirti i Shenjtë zbriti mbi të me një lloj trupi si pëllumb, dhe erdhi një zë nga qielli, duke thënë: Ti je Biri im i dashuri, ty të kam pëlqyer.
  23. Edhe vetë Jisui ishte afër tridhjetë vjeç, dhe ishte siç e pandehnin bota, i biri i Josifit, i Ilisë,
  24. i Matanit, i Leviut, i Mehiut, i Anait, i Josifit,
  25. i Matiut, i Amosit, i Naumit, i Esliut, i Nagait,
  26. i Matit, i Matatiut, i Semeit, i Josifit, i Judës,
  27. i Jonanit, i Risait, i Zorobabelit, i Salatielit, i Niriut,
  28. i Melkiut, i Adiut, i Kosamit, i Elmodamit, i Irit,
  29. i Josiut, i Eliezerit, i Joreimit, i Matatit, i Leviut,
  30. i Simeonit, i Judës, i Josifit, i Jonanit, i Eliakimit,
  31. i Meleait, i Mainanit, i Matatait, i Natanit, i Davidit,
  32. i Jeseut, i Ovidit, i Vozit, i Salmonit, i Nasonit,
  33. i Aminadavit, i Aramit, i Esromit, i Faresit, i Judës,
  34. i Jakovit, i Isakut, i Abrahamit, i Tarait, i Nahorit,
  35. i Sarukut, i Ragavit, i Falekut, i Everit, i Salait,
  36. i Kainanit, i Arfaksadit, i Simit, i Noes, i Lamehut,
  37. i Matusalës, i Enohut, i Jaredit, i Maleleilit, i Kainanit,
  38. i Enosit, i Setit, i Adamit, i Perëndisë.
 

Llukai 2

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 2

    1. Edhe në ato ditë doli urdhër prej Qezarit August të regjistrohen gjithë bota.
    2. Ky regjistrim u bë për të parën herë, kur ishte Kirini qeveritar i Sirisë.
    3. Edhe vinin të gjithë të regjistroheshin, secili në qytetin e tij.
    4. U ngjit edhe Josifi prej Galilesë, nga qyteti Nazaret, në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, - sepse ai ishte prej shtëpisë e prej atësisë së Davidit -,
    5. që të regjistrohet bashkë me Mariamin, që ishte fejuar me të për grua, e cila ishte shtatzënë.
    6. Edhe ndërsa ata ishin atje, asaj iu mbushën ditët që të lindë.
    7. Edhe lindi birin e saj, të parëlindurin, dhe e mbështolli në shpërgënj, dhe e vuri në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë.
    8. Edhe në atë vend nëpër arat ishin disa barinj, duke ruajtur me radhë natën tufën e tyre.
    9. Edhe ja një engjëll i Zotit erdhi tek ata, dhe lavdia e Zotit ndriti rreth tyre, dhe u trembën me frikë të madhe.
    10. Edhe engjëlli u tha atyre: Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin.
    11. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht.
    12. Edhe kjo do të jetë shenja për ju, do të gjeni një foshnjë mbështjellë në shpërgënj, shtrirë në grazhd.
    13. Edhe papandehur, bashkë me engjëllin u duk një shumicë ushtrie qiellore, duke lavdëruar Perëndinë, e duke thënë:
    14. Lavdi Perëndisë që është në të lartat, edhe paqe mbi dhe, pëlqim në njerëzit.
    15. Edhe si ikën engjëjt prej tyre në qiell, njerëzit, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: Le të shkojmë tani në Betlehem e të shohim këtë punë që është bërë, të cilën Zoti na e tregoi.
    16. Edhe erdhën me vrap e gjetën Mariamin dhe Josifin e foshnjën shtrirë në grazhd.
    17. Edhe si panë, treguan për fjalën që iu fol atyre për këtë djalë.
    18. Edhe të gjithë ata që dëgjuan, u çuditën për ato që u folën barinjtë.
    19. Edhe Mariami i ruante në vete gjithë këto fjalë, duke menduar për ato në zemrën e saj.
    20. Edhe barinjtë u kthyen duke lavdëruar e duke nderuar Perëndinë për gjithë ato që dëgjuan e panë, siç iu tha atyre.
    21. Edhe kur u mbushën të tetë ditët për të rrethprerë djalin, emri i tij u quajt Jisu, siç ishte quajtur prej engjëllit para se të zihej në bark.
    22. Edhe kur u mbushën ditët e pastrimit të saj, sipas ligjit të Moisiut, e prunë në Jerusalem, që ta nxirrnin përpara Zotit,
    23. siç është shkruar në ligjin e Zotit “Se çdo mashkull që hap shtrat barku, shenjt tek Zoti do të quhet”;
    24. edhe që të sillnin theror, siç është thënë në ligjin e Zotit “Një çift turtujsh a dy zogj pëllumbash”.
    25. Edhe ja tek ishte në Jerusalem një njeri, që e kishte emrin Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë e me frikë Perëndie, duke pritur ngushëllimin e Izraelit.
    26. Edhe ishte zbuluar tek ai prej Shpirtit të Shenjtë se nuk do të shihte vdekje para se të shihte Krishtin e Zotit.
    27. Edhe erdhi me anë të Shpirtit të Shenjtë në tempull; dhe kur prindërit prunë brenda djalin Jisu, që të bënin për të sipas zakonit të ligjit,
    28. ai e mori në duart e tij dhe bekoi Perëndinë e tha:
    29. Tani, o Zot, lësho shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, me paqe;
    30. sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd,
    31. që e bëre gati përpara syve të të gjithë popujve,
    32. dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin tënd Izrael.
    33. Edhe Josifi dhe e ëma e tij po çuditeshin për ato që fliteshin për të.
    34. Edhe Simeoni i bekoi ata, dhe i tha Mariamit, nënës së tij: Ja ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael, dhe për shenjë kundërshtimi.
    35. Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.
    36. Edhe atje ishte Ana, një profeteshë, e bija e Fanuilit, prej fisit të Asirit. Kjo ishte shumë e shkuar në ditë, dhe kishte rrojtur me burrin shtatë vjet pas virgjërisë së saj.
    37. Edhe kjo ishte grua e ve rreth tetëdhjetë e katër vjeç, e cila nuk ndahej prej tempullit, duke u lutur me agjërime e me falje natë e ditë.
    38. Edhe kjo, pasi arriti në atë orë, lavdëronte Zotin, dhe u fliste për të gjithë atyre që pritnin shpërblim në Jerusalem.
    39. Edhe si mbaruan gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret.
    40. Edhe djali rritej e forcohej në shpirt, duke u mbushur me urtësi; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.
    41. Edhe prindërit e tij vinin çdo vit në Jerusalem për të kremten e pashkës.
    42. Edhe kur u bë dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jerusalem sipas zakonit të së kremtes.
    43. Edhe si mbaruan ditët, në kthim të tyre, djali Jisu mbeti prapa në Jerusalem; dhe Josifi dhe e ëma nuk e dinë.
    44. Po duke pandehur se ai ishte në rrugë me shokët, ecën një ditë udhë; dhe e kërkonin nëpër farefis e nëpër të njohurit.
    45. Edhe pasi nuk e gjetën, u kthyen prapë në Jerusalem duke kërkuar atë.
    46. Edhe pas tri ditësh e gjetën në tempull, duke ndenjur në mes të mësuesve e duke i dëgjuar ata e duke i pyetur ata.
    47. Edhe të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin për mendjen dhe përgjigjet e tij.
    48. Edhe kur e panë atë, u habitën; dhe e ëma i tha: O bir, ç’na bëre kështu? Ja, po të kërkojmë me pikëllim.
    49. Edhe ai u tha atyre: Pse më kërkonit? A nuk e dinit se unë duhet të jem në punët e Atit tim?
    50. Po ata nuk e kuptuan fjalën që u tha atyre.
    51. Edhe zbriti bashkë me ta dhe erdhi në Nazaret; dhe u bindej atyre.
    52. Edhe e ëma i ruante gjithë këto fjalë në zemrën e saj.
    53. Edhe Jisui vinte mbarë në urtësi dhe në moshë dhe në hir përpara Perëndisë e njerëzve.
 

Llukai Kreu 1

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

 Llukai  1

  1. Pasi shumë veta u përpoqën të hartojnë një tregim për ato punë, që janë vërtetuar plotësisht ndër ne,
  2. siç na i kanë lënë ata, të cilët që në fillim i panë me sy dhe u bënë shërbëtorë të fjalës,
  3. m’u duk e udhës edhe mua, që u kam rënë prapa të gjithave që në fillim hollë-hollë, të të shkruaj me radhë për këto, o fort i pushtetshëm Theofil,
  4. që të njohësh vërtetimin e atyre punëve që u mësove.
  5. Në ditët e Irodit, mbretit të Judesë, ishte një prift, që ia thoshin emrin Zaharia, prej rendit priftëror të Aviait; dhe gruaja e tij ishte prej të bijave të Aronit, dhe emrin ia quanin Elisabeta.
  6. Edhe që të dy ishin të drejtë përpara Perëndisë, duke ecur pa të metë në gjithë porositë dhe ligjet e Zotit.
  7. Edhe ata s’kishin djalë, sepse Elisabeta ishte shterpë, dhe të dy ishin të shkuar në ditët e tyre.
  8. Edhe ndërsa ai ishte duke bërë punët e priftërisë përpara Perëndisë sipas radhës së shërbesës së tij priftërore,
  9. sipas zakonit të priftërisë, i ra shorti të hyjë në tempullin e Zotit e të djegë temjan.
  10. Edhe gjithë turma ishte duke u falur përjashta në kohën e djegies së temjanit.
  11. Edhe iu shfaq atij një engjëll i Zotit duke ndenjur në të djathtë të altarit të temjanit.
  12. Edhe Zaharia kur e pa, u drodh dhe frikë ra mbi të.
  13. Po engjëlli i tha: Mos u frikëso, Zahari, sepse lutja jote u dëgjua, dhe gruaja jote, Elisabeta, do të të lindë djalë, dhe do t’ia quash emrin Joan.
  14. Edhe ti do të kesh gëzim e gaz; dhe shumë veta do të gëzohen për lindjen e tij.
  15. Sepse do të jetë i madh përpara Zotit, dhe verë e pije të forta nuk do të pijë, dhe me Shpirt të Shenjtë do të mbushet që nga barku i së ëmës.
  16. Edhe shumë nga të bijtë e Izraelit ka për t’i kthyer në Zotin Perëndinë e tyre.
  17. Edhe ai do të vijë përpara atij me frymë e me fuqi të Ilias, për të kthyer zemrat e etërve mbi bijtë dhe të pabindurit në urtësinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur.
  18. Edhe Zaharia i tha engjëllit: Si ta marr vesh këtë punë? Sepse unë jam plak dhe gruaja ime e vjetër në ditët e saj.
  19. Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Unë jam Gavrili që rri përpara Perëndisë; dhe u dërgova që të të flas ty dhe të të jap lajmin e mirë për këto punë.
  20. Edhe ja tek do të jesh pa gojë e nuk do të mundësh të flasësh deri në atë ditë që do të bëhen këto; sepse nuk u besove fjalëve të mia, të cilat do të përmbushen në kohën e tyre.
  21. Edhe populli po priste Zaharinë, dhe çuditeshin për vonesën e tij në tempull.
  22. Edhe kur doli, nuk mundej t’u fliste atyre; dhe e kuptuan se kishte parë fanitje në tempull; dhe ai u bënte me shenja, dhe mbeti i shurdhër.
  23. Edhe si u mbushën ditët e shërbesës së tij, shkoi në shtëpinë e tij.
  24. Edhe pas këtyre ditëve Elisabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë; dhe e fshihte veten pesë muaj,
  25. duke thënë se kështu bëri Zoti mbi mua në këto ditë që hodhi sytë e tij mbi mua, që të heqë përgojimin tim në mes njerëzve.
  26. Edhe në të gjashtin muaj, engjëlli Gavril u dërgua prej Perëndisë në një qytet të Galilesë, që e kishte emrin Nazaret,
  27. te një virgjëreshë, që ishte fejuar me një burrë, që quhej Josif, prej shtëpisë së Davidit; dhe emri i virgjëreshës ishte Mariam.
  28. Edhe engjëlli kur hyri tek ajo, tha: Gëzohu, o hirplotë. Zoti është bashkë me ty. E bekuar je ti në mes të grave.
  29. Edhe ajo, kur e pa, u turbullua për fjalën e tij; dhe mendohej ç’të jetë vallë kjo përshëndetje?
  30. Edhe engjëlli i tha: Mos u tremb, Mariam; sepse gjete hir pranë Perëndisë.
  31. Edhe ja tek do të mbetesh shtatzënë, dhe do të lindësh djalë, dhe do t’ia quash emrin Jisu.
  32. Ky do të jetë i madh, dhe Bir i të Lartit do të quhet; dhe Zoti Perëndi do t’i japë atij fronin e Davidit, atit të tij.
  33. Edhe do të mbretërojë në shtëpinë e Jakovit në jetë të jetëve, dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
  34. Edhe Mariami i tha engjëllit: Si do të jetë kjo punë, sepse unë s’njoh burrë?
  35. Edhe engjëlli u përgjigj e i tha: Shpirti i Shenjtë do të vijë mbi ty, dhe fuqia e të Lartit do të të hiesojë; prandaj edhe ajo foshnjë e shenjtë që lind prej teje do të quhet Bir Perëndie.
  36. Edhe ja Elisabeta, farefisi yt, edhe ajo mbeti shtatzënë me bir në pleqëri të saj, dhe ky muaj është i gjashti i asaj që quhet shterpë.
  37. Sepse s’ka punë që të jetë e pamundur për Perëndinë.
  38. Edhe Mariami tha: Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate. Edhe engjëlli iku prej saj.
  39. Edhe në ato ditë Mariami u ngrit e shkoi me nxitim në malësi, në një qytet të Judës.
  40. Edhe hyri në shtëpinë e Zaharisë, dhe përshëndeti Elisabetën.
  41. Edhe sapo dëgjoi Elisabeta përshëndetjen e Marisë, kërceu foshnja në barkun e saj; dhe Elisabeta u mbush me Shpirt të Shenjtë.
  42. Edhe thërriti me zë të madh, e tha: E bekuar je ti në mes të grave, dhe e bekuar është pema e barkut tënd.
  43. Edhe nga më ngjau kjo, të vijë e ëma e Zotit tim tek unë?
  44. Sepse ja, sapo erdhi zëri i përshëndetjes tënde në veshët e mi, kërceu foshnja me gëzim në barkun tim.
  45. Edhe lum ajo që besoi, se do të përmbushen tek ajo ç’janë folur prej Zotit.
  46. Edhe Mariami tha: Shpirti im madhëron Zotin,
  47. edhe shpirti im u gëzua në Perëndinë shpëtimtarin tim,
  48. sepse hodhi sytë mbi përuljen e shërbëtores së tij, sepse ja që tani e tutje gjithë brezat do të më lumturojnë,
  49. sepse i Fuqishmi bëri punë të mëdha tek unë, dhe i shenjtë është emri i tij.
  50. Edhe përdëllimi i tij është brez pas brezi mbi ata që e kanë frikë.
  51. Bëri pushtet me krahun e tij; shpërndau kryelartë për mendimin e zemrës së tyre;
  52. rrëzoi të fuqishëm prej fronesh dhe lartësoi njerëz të përulur.
  53. Të uritur i mbushi me të mira dhe të pasur i dërgoi jashtë zbrazët.
  54. I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të tij, duke sjellë ndër mend përdëllimin e tij,
  55. siç u foli etërve tanë, Abrahamit e farës së tij, për jetë të jetës.
  56. Edhe Mariami ndenji bashkë me të afro tre muaj; pastaj u kthye në shtëpinë e saj.
  57. Edhe Elisabetës iu mbush koha për të lindur; dhe lindi djalë.
  58. Edhe fqinjët e farefisi i saj dëgjuan se Zoti madhëroi përdëllimin e tij tek ajo; dhe gëzoheshin bashkë me të.
  59. Edhe në të tetën ditë erdhën që të rrethpresin djalin, dhe e quanin Zahari, në emrin e të atit.
  60. Po e ëma u përgjigj e tha: Jo, por do të quhet Joan.
  61. Edhe ata i thanë asaj se s’ka ndonjë në fisin tënd që të quhet me këtë emër.
  62. Edhe i bënin me shenja të atit të tij, ç’emër donte t’i jepet atij.
  63. Edhe ai kërkoi një dërrasë shkrimi, dhe shkroi, duke thënë: Joan është emri i tij. Edhe të gjithë u çuditën.
  64. Edhe menjëherë u hap goja e tij dhe gjuha e tij; dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
  65. Edhe u hyri frikë gjithë atyre që rrinin rrotull tyre. Edhe të gjitha këto fjalë fliteshin nëpër gjithë malësinë e Judës.
  66. Edhe të gjithë ata që i dëgjuan i vunë këto në zemrat e tyre, duke thënë: Vallë, ç’do të jetë ky djalë? Edhe dora e Zotit ishte bashkë me të.
  67. Edhe Zaharia, i ati, u mbush me Shpirt të Shenjtë; dhe profetizoi, duke thënë:
  68. I bekuar qoftë Zoti Perëndia i Izraelit, sepse erdhi dhe bëri shpërblim në popullin e tij.
  69. Edhe ngriti bri shpëtimi mbi ne në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të tij,
  70. siç foli me anë të gojës së shenjtorëve, profetëve të tij prej jete,
  71. shpëtim prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na kanë mëri;
  72. për të plotësuar përdëllimin e tij mbi etërit tanë, dhe për të përmendur dhiatën e tij të shenjtë;
  73. sipas betimit që i bëri Abrahamit, atit tonë, se do të na japë
  74. të shpëtojmë prej dorës së armiqve tanë, dhe t’i shërbejmë atij pa frikë,
  75. me shenjtëri e me drejtësi përpara tij gjithë ditët e jetës sonë.
  76. Edhe ti, o djalë, profet i të Lartit do të quhesh; sepse do të shkosh përpara fytyrës së Zotit, për të bërë gati udhët e tij,
  77. për t’i dhënë mend shpëtimi popullit të tij, me anë të ndjesës së mëkateve,
  78. për përdëllimin e thellë të Perëndisë sonë, me të cilin na erdhi agim prej së larti,
  79. për të ndriçuar ata që rrinë në errësirë e në hije vdekjeje, që t’i bëjë këmbët tona të ecin drejt në udhë paqeje.
  80. Edhe djali rritej e forcohej në shpirt, dhe ishte në shkretëtirë deri në atë ditë që do t’i tregohej Izraelit.