AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Ungjilli sipas Llukait

Llukai 18

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 18

  1. U thoshte atyre edhe një paravoli, që t’u tregonte se duhet të falen gjithnjë dhe të mos lodhen,
  2. duke thënë: Në një qytet ishte një gjykatës, i cili s’kishte frikë nga Perëndia dhe s’kishte turp nga njeri.
  3. Ishte edhe një e ve në atë qytet, dhe vinte tek ai, duke thënë: Jepmë të drejtën ndaj ndërgjyqësit tim.
  4. Edhe ai për njëfarë kohe nuk donte; po pastaj tha me vete: Ndonëse s’kam frikë nga Perëndia, dhe s’kam turp nga njeri,
  5. të paktën, meqë kjo e ve më bëhet barrë, le t’ia jap të drejtën, që të mos vijë gjithnjë e të më çajë kryet.
  6. Edhe Zoti tha: Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i paudhë.
  7. Po Perëndia, a nuk do t’u japë të drejtën të zgjedhurve të tij që e thërresin atë ditë e natë, kur dhe zemrën e ka të gjerë për ata?
  8. Po ju them juve, se do t’ua japë atyre të drejtën për së shpejti. Po kur të vijë i Biri i njeriut, vallë, a do ta gjejë besimin mbi dhe?
  9. Edhe disave nga ata që besonin në veten e tyre se janë të drejtë, dhe nuk i zinin për gjë të tjerët, u tha këtë paravoli:
  10. Dy njerëz u ngjitën në tempull që të faleshin; njëri ishte Farise dhe tjetri tagrambledhës.
  11. Fariseu ndenji e falej me veten e tij, duke thënë: O Perëndi, të faleminderit, se nuk jam si njerëzit e tjerë, rrëmbyes, të paudhë, të përdalë, ose edhe si ky tagrambledhës.
  12. Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën nga gjithë ç’kam.
  13. Edhe tagrambledhësi kishte ndenjur larg e nuk donte as sytë të ngrinte përpjetë në qiell, po rrihte krahërorin e tij duke thënë: O Perëndi, përdëllemë mua mëkatarin.
  14. Po ju them juve, se ky zbriti në shtëpinë e tij më i drejtësuar se ai, sepse kushdo që ngre lart veten e tij, do të përulet; dhe ai që përul veten e tij, do të ngrihet lart.
  15. Edhe i prunë atij edhe foshnjat që t’i zinte me dorë; dhe nxënësit kur i panë, i qortuan.
  16. Por Jisui, si i thërriti pranë, tha: Lërini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i ndaloni; sepse e të këtillëve është mbretëria e Perëndisë.
  17. Me të vërtetë po ju them juve, se ai që nuk do të presë mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të.
  18. Edhe një i parë e pyeti, duke thënë: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?
  19. Edhe Jisui i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë, përveçse një, Perëndia.
  20. Ti i di porositë: “Mos shkel kurorën; Mos vrit; Mos vidh; Mos jep dëshmi të rreme; Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.
  21. Edhe ai tha: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time.
  22. Edhe Jisui, kur dëgjoi këto, i tha: Edhe diçka të mungon, shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, dhe do të kesh thesar në qiell; dhe eja, e ndiqmë pas.
  23. Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua; sepse ishte fort i pasur.
  24. Edhe Jisui, kur pa se u hidhërua, tha: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë pasuri!
  25. Sepse më kollaj është të hyjë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.
  26. Edhe ata që dëgjuan thanë: E kush mund të shpëtojë?
  27. Edhe ai tha: Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë.
  28. Edhe Pjetri tha: Ja ne tek lamë gjithçka dhe të erdhëm pas.
  29. Edhe ai u tha atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se nuk ka asnjë që la shtëpi, a prindër, a vëllezër, a grua, a djem, për shkak të mbretërisë së Perëndisë,
  30. i cili të mos marrë shumë më tepër në këtë kohë, dhe në jetën që vjen jetë të përjetshme.
  31. Pastaj mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha atyre: Ja tek po ngjitemi në Jerusalem, dhe do të përmbushen gjithë sa janë shkruar me anë të profetëve për Birin e njeriut.
  32. Sepse do t’u dorëzohet kombeve, do të përqeshet, do të shahet e do të pështyhet,
  33. edhe si ta frushkullojnë, do ta vrasin; dhe të tretën ditë do të ngjallet.
  34. Po ata nuk morën vesh asnjë nga këto fjalë; dhe kjo fjalë ishte e fshehur nga ata, dhe nuk i merrnin vesh ato që u thuheshin atyre.
  35. Edhe kur ai u afrua në Jeriko, një i verbër po rrinte pranë udhës duke lypur,
  36. edhe kur dëgjoi turmën duke shkuar, pyeste: Ç’është kjo?
  37. Edhe i treguan se po shkon Jisu Nazaretasi.
  38. Edhe ai thirri duke thënë: Jisu, bir i Davidit, përdëllemë.
  39. Edhe ata që shkonin përpara e qortonin që të pushojë; po ai shumë më tepër thërriste: Bir i Davidit, përdëllemë.
  40. Edhe Jisui qëndroi, dhe urdhëroi ta sjellin tek ai; dhe ai, si u afrua, e pyeti,
  41. duke thënë: ç’do të të bëj? Edhe ai tha: Zot, të hap sytë e të shoh.
  42. Edhe Jisui i tha: Hap sytë e shih; besimi yt të shpëtoi.
  43. Edhe menjëherë hapi sytë e pa, dhe i vinte pas duke lavdëruar Perëndinë; dhe gjithë populli kur pa, i dha lavdi Perëndisë.
 

Llukai 17

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 17

  1. Edhe u tha nxënësve: Është e pamundur të mos vijnë skandalet; po mjerë ai, me anë të të cilit vijnë.
  2. Më mirë është për atë t’i varet një gur mulliri rreth qafës së tij dhe të hidhet në det, se të skandalizojë një nga këta të vegjlit.
  3. Vini re veten tuaj. Edhe në të bëftë mëkat yt vëlla, qortoje; dhe në u pendoftë, falja.
  4. Edhe në bëftë mëkat shtatë herë në ditë, dhe të kthehet shtatë herë në ditë tek ti e të thotë: Pendohem, t’ia falësh.
  5. Edhe apostujt i thanë Zotit: Shtona besimin.
  6. Edhe Zoti tha: Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoshit këtij druri të manit: Shkulu së këtejmi, dhe mbillu në det, dhe do t’ju dëgjonte.
  7. Edhe cili prej jush, që ka një shërbëtor që lëron ose ruan dhentë, do t’i thotë këtij menjëherë, sapo të kthehet nga ara: Shko e rri të hash?
  8. dhe nuk do t’i thotë: Bëj gati ç’të ha për darkë, dhe përvishu e shërbemë, deri sa të ha e të pi, edhe pastaj do të hash e do të pish ti?
  9. A mos ia njeh për hir atij shërbëtori, sepse bëri ato që e urdhëroi? Nuk më duket.
  10. Kështu edhe ju, kur të bëni gjithë sa ju janë urdhëruar, thoni se jemi shërbëtorë të pavlefshëm, sepse bëmë atë që kishim detyrë të bënim.
  11. Edhe kur ai po vinte për në Jerusalem, shkonte përmes Samarisë e Galilesë.
  12. Edhe kur po hynte në një fshat, takuan me të dhjetë burra leprozë, të cilët qëndruan nga larg.
  13. Edhe ata ngritën zërin, duke thënë: Jisu, mjeshtër, përdëllena.
  14. Edhe ai kur i pa, u tha atyre: Shkoni e rrëfeni veten tuaj tek priftërinjtë. Edhe ata duke shkuar u pastruan.
  15. Edhe një nga ata, kur pa se u shërua, u kthye duke lavdëruar Perëndinë me zë të madh,
  16. edhe ra përmbys në këmbët e tij, dhe e falënderoi; dhe ai ishte Samaritan.
  17. Edhe Jisui u përgjigj e tha: A nuk u pastruan të dhjetët? Po të nëntët ku janë?
  18. Nuk u gjendën të tjerë të kthehen që t’i japin lavdi Perëndisë, veç ky prej tjetër kombi?
  19. Edhe i tha: Ngrihu, e shko; besimi yt të shpëtoi.
  20. Edhe kur u pyet nga Farisenjtë se kur vjen mbretëria e Perëndisë, iu përgjigj atyre e tha: Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me të dukur.
  21. As nuk kanë për të thënë: Ja këtu është, ose: Ja atje; sepse ja mbretëria e Perëndisë tek është në mes tuaj.
  22. Edhe ai u tha nxënësve: Do të vijnë ditë, kur do të dëshironi të shihni një nga ditët e të Birit të njeriut; edhe nuk do të mundni.
  23. Edhe do t’j u thonë juve: Ja këtu është, ose, Ja atje; mos shkoni, as mos e ndiqni pas.
  24. Sepse sikurse vetëtima që vetëtin prej njërës anë nën qiell, ndrit deri në anën tjetër nën qiell, kështu do të jetë edhe i Biri i njeriut në ditën e tij.
  25. Po më përpara ai duhet të pësojë shumë, dhe të mos pëlqehet prej këtij brezi.
  26. Edhe siç u bë në ditët e Noes, kështu do të jetë në ditët e të Birit të njeriut.
  27. Hanin, pinin, martonin, martoheshin, deri në atë ditë që hyri Noeja në arkë. Dhe erdhi përmbytja dhe i prishi të gjitha.
  28. Kështu siç u bë edhe në ditët e Lotit; hanin, pinin, blinin, shisnin, mbillnin, ndërtonin shtëpi.
  29. Edhe që në atë ditë që doli Loti nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i prishi të gjitha.
  30. Kështu do të jetë në atë ditë që do të shfaqet i Biri i njeriut.
  31. Në atë ditë kush të gjendet në dhomë, dhe t’i ketë enët e tij brenda në shtëpi, le të mos zbresë t’i ngrerë; dhe ai që të gjendet në arë, gjithashtu le të mos kthehet prapa.
  32. Sillni ndër mend gruan e Lotit.
  33. Ai që do të kërkojë të shpëtojë shpirtin e tij, do ta humbë; dhe ai që ta humbë, do ta ruajë.
  34. Po ju them juve, atë natë do të jenë dy veta mbi një shtrat; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
  35. Dy gra do të jenë duke bluar bashkë; njëra do të merret, e tjetra do të lihet.
  36. Dy veta do të jenë në arë; njëri do të merret, e tjetri do të lihet.
  37. Edhe ata u përgjigjën e i thonë: Ku o Zot? Edhe ai u tha atyre: Ku është trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.
 

Llukai 16

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 16

  1. U thoshte edhe nxënësve të tij: Ishte një njeri i pasur që kishte një kujdestar; dhe i folën keq për atë, se shpërndau pasurinë e tij.
  2. Edhe ai e thirri e i tha: Ç’është kjo që dëgjoj për ty? Jep llogarinë e përkujdesjes tënde; sepse nuk mund të jesh kujdestari im.
  3. Atëherë kujdestari tha me veten e tij: Ç’të bëj, se im zot po më heq nga kujdesi? Të gërmoj nuk mundem, të lyp kam turp.
  4. U kujtova ç’duhet të bëj, që të më presin nëpër shtëpitë e tyre, kur të nxirrem nga përkujdesja.
  5. Edhe thirri pranë një nga debitorët e të zot, e i thoshte të parit: Sa i detyrohesh tim zoti? Edhe ai i tha: Njëqind bucela vaji.
  6. Edhe ai i tha: Merr shkresën tënde dhe rri e shkruaj shpejt pesëdhjetë.
  7. Pastaj i tha një tjetri: Po ti sa detyrim i ke? Edhe ai i tha: Njëqind masa gruri. I thotë edhe atij: Merr shkresën tënde, dhe shkruaj tetëdhjetë.
  8. Edhe i zoti e lavdëroi kujdestarin e paudhë, sepse punoi me mend; sepse të bijtë e kësaj jete janë më të mençur në brezin e tyre, sesa të bijtë e dritës.
  9. Edhe unë po ju them juve: Bëni miq për veten tuaj nga mamonai i paudhësisë, që t’ju presin ju në tendat e përjetshme, kur të ngriheni së këtejmi.
  10. Ai që është besnik mbi të paktën, është besnik edhe mbi të shumtën; edhe ai që është i paudhë në të paktën, është i paudhë edhe në të shumtën.
  11. Në qoftë pra se s’u bëtë besnikë mbi të paudhin mamona, kush do t’ju besojë juve pasurinë e vërtetë?
  12. Edhe në qoftë se nuk u bëtë besnikë mbi gjënë e huaj, kush do t’ju japë juve tuajën?
  13. Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose njërin do ta urrejë dhe tjetrin do ta dojë; ose pas njërit do të ngjitet dhe tjetrin do ta shpërfillë. Nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonait.
  14. Edhe Farisenjtë që ishin dorështrënguar, i dëgjonin të gjitha këto, dhe e përqeshnin.
  15. Edhe ai u tha atyre: Ju jeni ata që nxirrni veten tuaj të drejtë përpara njerëzve, po Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që është e lartë për njerëzit, ndyrësi është përpara Perëndisë.
  16. Ligji dhe profetët kanë qenë deri në kohën e Joanit; që atëherë jepet lajmi i mirë për mbretërinë e Perëndisë, dhe gjithësecili nxitohet të hyjë në të.
  17. Edhe më kollaj është që qielli e dheu të shkoj-në, se të bjerë poshtë një pikë nga ligji.
  18. Kushdo që lë gruan e tij dhe martohet me tjetër, bën imoralitet; dhe kushdo që martohet me grua të lëshuar prej burrit, bën imoralitet.
  19. Edhe një njeri ishte i pasur, dhe vishej me purpur e me stoli të kuqe, duke gëzuar përditë ndriçim.
  20. Ishte dhe një i varfër që e kishte emrin Llazar, i cili dergjej pranë portës së atij plot me plagë,
  21. edhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit; por edhe qentë vinin e lëpinin plagët e tij.
  22. Edhe i varfëri vdiq dhe u pru nga engjëjt në gjirin e Abrahamit. Vdiq edhe i pasuri dhe u varros.
  23. Edhe në hadh, ku ishte në mundime, ngriti sytë e tij e sheh Abrahamin së largu, dhe Llazarin në gjirin e atij.
  24. Edhe ai thërriti e tha: O atë Abraham, përdëllemë, dhe dërgo Llazarin, që të lyejë majën e gishtit të tij në ujë, dhe të më ftohë gjuhën; sepse po mundohem në këtë flakë.
  25. Po Abrahami i tha: O djalë, kujtohu, se ti i more të mirat e tua në jetën tënde, dhe Llazari gjithashtu të këqijat; po tani ky prehet, e ti mundohesh.
  26. Edhe mbi gjithë këto, në mes nesh e jush është ngulur një pafundësi e madhe, që kështu ata që duan të shkojnë së këtejmi tek ju, të mos mundin, as të andejmit të kalojnë tek ne.
  27. Edhe ai tha: Të lutem pra, o atë, ta dërgosh atë në shtëpinë e tim eti,
  28. sepse kam pesë vëllezër; që të japë dëshmi ndër ata, që të mos vijnë edhe ata në këtë vend të mundimit.
  29. Abrahami i thotë: kanë Moisiun dhe profetët; le të dëgjojnë ata.
  30. Edhe ai tha: Jo, o atë Abraham; por në shkoftë ndonjë nga të vdekurit tek ata, do të pendohen.
  31. Edhe ai i tha: Në qoftë se nuk dëgjojnë Moisiun dhe profetët, as në u ngjalltë ndonjë nga të vdekurit, s’kanë për t’u bindur.
 

Llukai 15

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 15

  1. Edhe gjithë tagrambledhësit e mëkatarët i afroheshin, që ta dëgjonin.
  2. Edhe Farisenjtë e shkruesit murmurisnin, duke thënë se ky pret mëkatarë dhe ha bashkë me ta.
  3. Edhe ai u tha atyre këtë paravoli, duke thënë:
  4. Cili njeri prej jush, në pastë njëqind dhen, dhe të humbë një prej tyre, nuk lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë, dhe nuk shkon të kërkojë atë që ka humbur, deri sa ta gjejë?
  5. Edhe si ta gjejë, e merr mbi supet e tij duke u gëzuar.
  6. Edhe kur vjen në shtëpi, thërret miqtë dhe fqinjët, e u thotë atyre: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta delen time që pati humbur.
  7. Po ju them juve, se kështu do të jetë më tepër gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, të cilët s’kanë nevojë për pendim.
  8. Apo cila grua që ka dhjetë dhrahmi, në i humbtë një dhrahmi, nuk ndez kandilin dhe nuk fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes, deri sa ta gjejë?
  9. Edhe si ta gjejë, thërret mikeshat e fqinjët, duke thënë: Gëzohuni bashkë me mua, se gjeta dhrahminë që humba.
  10. Kështu, po ju them juve, bëhet gëzim përpara engjëjve të Perëndisë për një mëkatar që pendohet.
  11. Përsëri tha: Një njeri kishte dy bij.
  12. Edhe më i vogli nga ata i tha të atit: Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon të marr. Edhe ai ua ndau pasurinë.
  13. Edhe pas pak ditësh më i vogli mblodhi gjithë ç’pati, e iku në dhe të huaj në një vend të largët; dhe atje shpërndau pasurinë e tij duke shkuar jetë plangprishësi.
  14. Edhe si i prishi ai të gjitha, u bë një zi e madhe në atë vend, dhe ai zuri të mos kishte më.
  15. Atëherë shkoi e u ngjit pas një qytetari të atij vendi; dhe ky e dërgoi në arat e tij të kulloste derra.
  16. Edhe dëshironte të mbushte barkun e tij me lendet që hanin derrat; po askush nuk i jepte.
  17. Edhe si erdhi në vete, tha: Sa punëtorëve të tim eti u tepron bukë e unë po humbas nga uria!
  18. Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje,
  19. edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga punëtorët e tu.
  20. Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe kur ai ishte ende larg, i ati e pa dhe i erdhi keq, dhe u sul dhe e përqafoi atë, dhe e puthi.
  21. Edhe i biri i tha: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt.
  22. Po i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni jashtë stolinë e parë dhe vishjani, dhe i vini unazë në dorë dhe këpucë në këmbët.
  23. Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të gëzohemi.
  24. Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet. Edhe zunë të gëzoheshin.
  25. Edhe djali më i madh ishte në arë; dhe kur erdhi e u afrua në shtëpi, dëgjoi këngë e valle.
  26. Edhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeste: Ç’janë këto.
  27. Edhe ai i tha se ka ardhur yt vëlla, dhe yt atë theri viçin e ushqyer, sepse e priti të shëndoshë.
  28. Edhe ai u zemërua dhe nuk donte të hynte brenda. I ati pra doli, e i lutej.
  29. Edhe ai u përgjigj e i tha të atit: Ja tek po të shërbej kaq vjet, dhe kurrë nuk dola nga urdhëri yt; dhe kurrë nuk më dhe një kec, që të gëzohem bashkë me miqtë e mi.
  30. Po kur erdhi ky yt bir që hëngri pasurinë bashkë me të përdalat, i there viçin e ushqyer.
  31. Edhe ai i tha: O djalë, ti je përherë bashkë me mua, dhe gjithë të miat janë të tuat.
  32. Edhe duhej të gëzoheshim e të ngazëlloheshim, sepse ky yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet.
 

Llukai 14

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 14

  1. Edhe një ditë të shtunë, kur erdhi ai në shtëpinë e një prej të parëve të Farisenjve për të ngrënë bukë, ata ishin duke e vënë re atë.
  2. Edhe ja një njeri i sëmurë me hidropizi tek ishte përpara tij.
  3. Edhe Jisui u përgjigj e u tha mësuesve të ligjit dhe Farisenjve, duke thënë: A është e udhës të shërojë njeriu ditën e shtunë?
  4. Edhe ata nuk bënë zë. Atëherë ai e zuri dhe e shëroi, dhe e lëshoi.
  5. Pastaj u përgjigj e u tha atyre: Kujt prej jush, po t’i bjerë gomari a kau në pus, dhe nuk e nxjerr menjëherë ditën e shtunë?
  6. Edhe ata nuk mundën t’i përgjigjeshin për këto fjalë.
  7. Edhe atyre që ishin ftuar u thoshte një paravoli, - sepse vinte re, - si zgjidhnin vendet e para, duke u thënë atyre:
  8. Kur të ftohesh nga ndonjë në dasmë, mos rri në krye të tryezës, se mos është ftuar prej atij ndonjë tjetër më i nderuar se ti,
  9. edhe vjen ai që të ka ftuar ty dhe atë, e të thotë: Lëri vendin këtij. Dhe atëherë do të zësh me turp të rrish në vendin e fundit.
  10. Po kur të ftohesh, shko e rri në vendin e fundit, që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: Mik, ngjitu më sipër. Atëherë do të jetë lavdërim për ty përpara atyre që rrinë në tryezë bashkë me ty.
  11. Sepse kushdo që ngre lart veten e tij do të përulet, dhe ai që përul veten e tij do të ngrihet lart.
  12. I thoshte edhe atij që e kishte ftuar: Kur të bësh drekë a darkë, mos thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as njerëzit e tu, as fqinjë të pasur; se mos të thërresin prapë dhe ata, dhe të bëhet shpagim ty.
  13. Po kur të bësh gosti, thirr të varfër, të paralizuar, të çalë, të verbër.
  14. Edhe do të jesh i lumtur, sepse ata nuk kanë të ta shpaguajnë; dhe do të të shpaguhet në ngjalljen e të drejtëve.
  15. Edhe një nga ata që kishin ndenjur bashkë në tryezë, kur dëgjoi këto fjalë, i tha: Lum ai që të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.
  16. Edhe ai i tha atij: Një njeri bëri një darkë të madhe dhe ftoi shumë.
  17. Edhe në kohën e darkës dërgoi shërbëtorin e tij që t’u thoshte atyre që ishin ftuar. Ejani, se tani të gjitha janë gati.
  18. Por të gjithë zunë si prej një mendjeje të hiqeshin mënjanë. I pari i tha: Bleva një arë dhe kam nevojë të dal e ta shoh; të lutem të më kesh të hequr nga darka.
  19. Edhe një tjetër tha: Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më kesh të hequr nga darka.
  20. Edhe një tjetër tha: Mora grua dhe prandaj nuk mund të vij.
  21. Edhe ai shërbëtori erdhi dhe ia tregoi të zotit këto. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua, e i tha shërbëtorit të tij: Dil shpejt nëpër rrugët e nëpër udhët e qytetit, dhe sill këtu brenda të varfërit e të paralizuarit e të çalët e të verbërit.
  22. Edhe shërbëtori tha: Zotni, u bë siç urdhërove, po ende ka vend.
  23. Edhe zotëria i tha shërbëtorit: Dil nëpër udhët e nëpër gardhet dhe nxiti të hyjnë, që të mbushet shtëpia ime.
  24. Sepse po ju them juve, se asnjë nga ata njerëzit që qenë ftuar nuk do të provojë darkën time.
  25. Edhe turma të shumta shkonin bashkë me të; dhe ai u kthye e u tha atyre:
  26. Në ardhtë ndonjë tek unë dhe nuk mërzit të atin e të ëmën e gruan e djemtë e vëllezërit e motrat, po edhe shpirtin e tij, nuk mund të jetë nxënësi im.
  27. Edhe ai që nuk mban në krahë kryqin e tij e s’vjen pas meje nuk mund të jetë nxënësi im.
  28. Sepse, cili prej jush do të ndërtojë një pirg, dhe nuk rri më përpara të bëjë llogari sa ka për të prishur, në ka ato që duhen për ta mbaruar atë?
  29. Se mos, si të hedhë themelin e të mos mundë ta mbarojë, gjithë ata që e shohin zënë të qeshin me të,
  30. duke thënë se Ky njeri zuri të ndërtojë, dhe nuk mundi të mbarojë.
  31. Apo cili mbret, duke shkuar të luftojë me tjetër mbret, nuk rri më parë dhe nuk mendohet në është i fortë me dhjetë mijë t’i dalë përpara atij që vjen kundër tij me njëzet mijë?
  32. se në mos, ndërsa ai është ende larg, dërgon lajmës e kërkon paqe.
  33. Kështu pra gjithësecili prej jush që nuk mohon pasurinë e tij, nuk mund të jetë nxënësi im.
  34. Kripa është e mirë; po në u prishtë kripa, me se do të ndreqet.
  35. Nuk është më e vlefshme as për dhe as për pleh; por e hedhin jashtë. Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
 

Llukai 13

Dhiata e Re - Ungjilli sipas Llukait

Llukai 13

  1. Edhe në atë kohë ishin atje përpara disa veta duke i treguar atij për Galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e përzjeu bashkë me therorët e tyre.
  2. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Pandehni se këta Galileas ishin më fajtorë se gjithë Galileasit e tjerë, sepse pësuan të këtilla punë?
  3. Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, të gjithë kështu keni për të humbur.
  4. Apo ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra pirgu në Siloam, dhe i vrau, pandehni, se këta ishin fajtorë më tepër se gjithë njerëzit që rrinë në Jerusalem?
  5. Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, kështu të gjithë keni për të humbur.
  6. Edhe thoshte këtë paravoli: Një njeri kishte mbjellë një dru fiku në vreshtin e tij; dhe erdhi të marrë pemë prej tij, po nuk gjeti.
  7. Edhe i tha vreshtarit: Ja kam tre vjet që vij të marr pemë prej këtij fiku dhe nuk gjej. Preje. Pse të zërë edhe vendin më kot?
  8. Po ai u përgjigj e i tha: Zotni, lëre edhe këtë vit, deri sa të mih rreth tij e t’i shtie pleh.
  9. Edhe në bëftë pemë, lëre; por në mos bëftë, do ta presësh pastaj.
  10. Edhe një të shtunë ishte duke mësuar njerëzit në një sinagogë.
  11. Edhe ja një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, dhe ishte kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt.
  12. Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate.
  13. Edhe vuri duart mbi të, dhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.
  14. Po i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui ditën e shtunë e shëroi, dhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto pra ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë.
  15. Zoti pra u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithësecili prej jush ditën e shtunë a nuk zgjidh kaun e tij a gomarin e tij nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë?
  16. Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?
  17. Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë ata që i dilnin kundër turpëroheshin; dhe gjithë turma gëzohej për gjithë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij.
  18. Edhe ai thoshte: Me se përngjan mbretëria e Perëndisë? Edhe me se ta përngjaj?
  19. Përngjan me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e hodhi në kopshtin e tij; dhe u rrit e u bë dru i madh, dhe zogjtë e qiellit erdhën e bënë çerdhe në degët e tij.
  20. Edhe përsëri tha: Me se ta përngjaj mbretërinë e Perëndisë?
  21. Përngjan me brumë, të cilin e mori një grua dhe e fshehu në tri masa mielli, deri sa u mbrujt i gjithë.
  22. Edhe shkonte nëpër qytete e nëpër fshatra duke mësuar dhe duke udhëtuar për në Jerusalem.
  23. Edhe një njeri i tha: Zot, vallë të pakët janë ata që shpëtojnë?
  24. Edhe ai u tha atyre: Mundohuni të hyni nëpër derën e ngushtë; sepse shumë veta, po ju them juve, do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të mundin.
  25. Pasi të ngrihet i zoti i shtëpisë e të mbyllë derën, atëherë do të filloni të rrini jashtë, e të trokitni në derë, duke thënë: Zot, Zot, na e hap. Dhe ai do të përgjigjet e do t’ju thotë: Nuk e di se nga jeni ju.
  26. Atëherë do të zini të thoni: Hëngrëm e pimë përpara teje dhe mësove nëpër rrugët tona.
  27. Po ai do të thotë: Po ju them juve, nuk e di se nga jeni ju. Ikni prej meje gjithë ju punëtorët e paudhësisë.
  28. Atje do të jetë të qarët e kërcëllitja e dhëmbëve, kur të shihni Abrahamin e Isakun e Jakovin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, dhe veten tuaj të nxjerrë jashtë.
  29. Edhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi e nga veriu e nga jugu, dhe do të rrinë në mbretërinë e Perëndisë.
  30. Edhe ja tek janë të fundit që do të jenë të parë, dhe të parë që do të jenë të fundit.
  31. Atë ditë erdhën disa Farisenj, duke i thënë atij: Dil e ik së këtejmi, sepse Irodi do të të vrasë.
  32. Edhe ai u tha atyre: Shkoni e i thoni kësaj dhelpre: Ja tek nxjerr djaj dhe bëj shërime sot e nesër, dhe të tretën ditë do të mbaroj. 33 Por unë duhet sot e nesër dhe ditën tjetër të shkoj; sepse nuk ka mundësi që një profet të vdesë jashtë Jerusalemit.
  33. Jerusalem, Jerusalem, që vret profetët dhe rreh me gurë ata që janë dërguar tek ti, sa herë kam dashur të mbledh bijtë e tu, ashtu si pula zogjtë e saj nën krahë, dhe nuk deshët!
  34. Ja shtëpia juaj tek po ju lihet e shkretë. Edhe me të vërtetë po ju them juve, se nuk do të më shihni deri sa të vijë koha, kur të thoni: I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit.
 
Περισσότερα Άρθρα...