Ndërkohë, si u mblodh shumica e turmave, kaq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jisui zuri t’u thoshte nxënësve të tij: Së pari, ruani veten tuaj nga brumi i Farisenjve, që është hipokrizi.
Po nuk ka gjë të mbuluar, që s’ka për t’u zbuluar, dhe të fshehur, që s’ka për t’u marrë vesh.
Prandaj sa thatë në errësirë, do të dëgjohen në dritë; dhe ç’folët në vesh nëpër dhoma, do të shpallet mbi kulmet e ndërtesave.
Edhe po ju them ju miqve të mi: Mos kini frikë nga ata që vrasin trupin dhe pastaj s’kanë se ç’të bëjnë gjë më tepër.
Po do t’ju tregoj juve prej cilit të keni frikë; të keni frikë prej atij, i cili pasi të vrasë, ka pushtet të hedhë në gjehenë. Me të vërtetë po ju them juve, prej këtij të keni frikë.
A nuk shiten pesë zogj për dy pare? Edhe një nga ata nuk është i harruar përpara Perëndisë;
Po dhe qimet e kokës suaj janë të numëruara të gjitha. Mos kini frikë pra; ju ndryshoni prej shumë zogjsh.
Edhe po ju them juve, kushdo që të më pohojë përpara njerëzve, edhe i Biri i Perëndisë do ta pohojë përpara engjëjve të Perëndisë.
Edhe kushdo që të më mohojë përpara njerëzve, do të mohohet përpara engjëjve të Perëndisë.
Edhe kushdo që të thotë fjalë kundër Birit të njeriut, do t’i falet; po atij që të blasfemojë kundër Shpirtit të Shenjtë nuk do t’i falet.
Edhe kur t’ju sjellin ju nëpër sinagogat, e nëpër autoritetet, e nëpër pushtetet, mos mendoni si ose çfarë të përgjigjeni, ose ç’të thoni.
Sepse Shpirti i Shenjtë do t’ju mësojë në atë orë ç’duhet të thoni.
Edhe një prej turmës i tha: Mësues, thuaj tim vëllai të ndajë trashëgimin bashkë me mua.
Po ai i tha: O njeri, kush më vuri gjykatës a ndarës mbi ju?
Pastaj u tha atyre, Vështroni e ruhuni nga lakmia. Sepse në pastë tepër ndonjë, jeta e tij nuk është bërë prej pasurisë së tij.
Edhe u tha atyre një paravoli, duke thënë: Një njeriu të pasur i erdhën mbarë arat.
Edhe mendohej me veten e tij, duke thënë: Ç’të bëj? Se s’kam ku të mbledh prodhimet e mia.
Pastaj tha: Këtë kam për të bërë, do të prish grunarët e mi dhe do t’i bëj më të mëdhenj, dhe do të mbledh atje gjithë drithin tim dhe të mirat e mia.
Edhe do t’i them shpirtit tim: O shpirt, ke shumë të mira që gjenden për shumë vjet; prehu, ha, pi, dhe gëzohu.
Po Perëndia i tha: I marrë, këtë natë do të kërkojnë prej teje shpirtin tënd. Dhe të kujt do të jenë sa bëre gati?
Kështu do të jetë ai që mbledh thesarë për veten e tij dhe nuk bëhet i pasur në Perëndinë.
Pastaj u tha nxënësve të tij: Prandaj po ju them juve, mos kini kujdes për jetën tuaj, ç’të hani; as për trupin tuaj, ç’të vishni.
Jeta është më e vlefshme se ushqimi, dhe trupi se veshja.
Vini re korbat, as nuk mbjellin, as nuk korrin; ata nuk kanë as qilar as grunar, dhe Perëndia i ushqen. Sa më tepër ndryshoni ju nga zogjtë?
Edhe cili prej jush duke pasur kujdes mund të shtojë një kut në shtatin e tij?
Nëse ju pra nuk mundni as më të voglën gjë, pse keni kujdes për të tjerat?
Vini re lulet, si rriten; nuk mundohen, as nuk endin; dhe po ju them juve, as Solomoni me gjithë lavdinë e tij nuk ishte veshur si një nga këto.
Po në qoftë se barin, që sot është në arë, dhe nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, sa më tepër ju, o besëpakë?
Edhe ju mos kërkoni ç’të hani a ç’të pini; as mos jini me dy mendje.
Sepse të gjitha këto i kërkojnë kombet e botës; dhe Ati juaj e di se keni nevojë për këto.
Po kërkoni mbretërinë e Perëndisë, dhe këto të gjitha do t’ju shtohen juve.
Mos ki frikë, o tufë e vogël; sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë juve mbretërinë.
Shitni pasuritë tuaja, dhe jepni lëmoshë. Bëni për veten tuaj kuleta që nuk vjetërohen, thesar në qiejt që nuk shterret, atje ku kusari nuk afrohet, as krimbi nuk prish.
Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.
Le të jenë meset tuaj ngjeshur, dhe kandilat ndezur.
Edhe ju jini gati si njerëz që presin të zotin e tyre, kur do të kthehet nga dasma, që, kur të vijë e të trokasë, menjëherë t’ia hapin derën.
Lum ata shërbëtorë, të cilët, kur të vijë i zoti, do t’i gjejë zgjuar. Vërtet po ju them juve, se do të ngjishet e do t’i vërë të rrinë në tryezë, dhe do të vijë pranë e do t’u shërbejë atyre.
Edhe në ardhtë në rojen e dytë, dhe në të tretën roje në ardhtë, dhe t’i gjejë kështu, të lumtur janë ata shërbëtorë.
Edhe këtë e dini, se, po ta dinte i zoti i shtëpisë në ç’orë vjen kusari, do të rrinte zgjuar, dhe nuk do të linte t’i hapej shtëpia.
Edhe ju pra bëhuni gati; sepse i biri i njeriut vjen në atë orë që nuk e mendoni.
Atëherë Pjetri i tha: Zot, për ne e thua këtë paravoli, apo për të gjithë.
Edhe Zoti tha: Vallë, cili është ai kujdestar besnik e i mençur, të cilin do ta vërë i zoti mbi shërbëtorët e tij, që t’u japë në kohë racionin e ushqimit?
Lum ai shërbëtor, të cilin, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke bërë kështu.
Vërtet po ju them juve, se ka për ta vënë mbi gjithë pasurinë e tij.
Po në thëntë ai shërbëtor në zemrën e tij: Imzot vonon të vijë; dhe të zërë të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, e të hajë e të pijë e të dehet,
i zoti i atij shërbëtori do të vijë atë ditë që s’e pret dhe atë orë që s’e di; dhe do ta ndajë dhe do ta vërë pjesën e atij bashkë me të pabesët.
Edhe ai shërbëtor që e dinte dëshirën e të zotit dhe nuk qe gati as nuk bëri sipas dëshirës së tij, do të rrihet shumë.
Po ai që nuk e diti dhe bëri punë për të rrahur, do të rrihet pak. Edhe gjithkujt që iu dha shumë, shumë do të kërkohet prej atij; dhe atij që iu lëshuan shumë, më shumë do të lypin prej atij.
Erdha të vë zjarr mbi dhe; edhe ç’dua, më, në qoftë se u ndez tani?
Edhe kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem, dhe sa shtrëngohem deri sa të mbarohet?
Pandehni se kam ardhur të jap paqe mbi dhe? Jo, po ju them juve, po ndarje.
Sepse që tani e tutje pesë vetë në një shtëpi do të jenë të ndarë në mes tyre, tre kundër dyve, dhe dy kundër treve.
Do të ndahet i ati kundër të birit, dhe i biri kundër të atit; e ëma kundër së bijës, dhe e bija kundër së ëmës; vjehrra kundër nuses së saj, dhe nusja kundër së vjehrrës.
I thoshte edhe turmës: Kur shihni renë se del prej perëndimit, menjëherë thoni: Po vjen shi; dhe kështu bëhet;
Edhe kur shihni, se fryn erë jugu, thoni se do të bëjë vapë; dhe bën.
Hipokritë, faqen e dheut e të qiellit dini ta dalloni; po këtë kohë si nuk e dalloni?
Dhe si nuk gjykoni edhe prej vetes suaj të drejtën?
Kur shkon pra tek sundimtari bashkë me ndërgjyqësin tënd, përpiqu udhës të shpëtosh prej tij, se mos të të çojë tek gjykatësi, dhe gjykatësi të jep në dorë të shërbëtorit, dhe shërbëtori të hedh në burg.
Po të them ty: Nuk ke për të dalë andej, deri sa të lash edhe asprën e fundit.
Edhe ndërsa ai po falej në një vend, si pushoi, një nga nxënësit e tij i tha: Mësona të falemi, si dhe Joani nxënësit e tij.
Edhe ai u tha atyre, kur të faleni, thoni: Ati ynë që je në qiejt, u shenjtëroftë emri yt; ardhtë mbretëria jote; u bëftë dëshira jote, si në qiell, ashtu edhe mbi dhe.
Bukën tonë të përditshme jepna neve sot;
dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë; dhe mos na shtjer në ngasje, po shpëtona nga i ligu.
Pastaj u tha atyre: Cili prej jush, në pastë një mik, dhe të shkojë tek ai në mes të natës, e t’i thotë: Mik, huajmë tri bukë,
sepse erdhi një miku im prej udhe tek unë, dhe s’kam ç’t’i vë përpara.
Edhe ai të përgjigjet që brenda e t’i thotë: Mos më vë në mundim. Dera tani është mbyllur dhe fëmijët e mi janë në shtrat bashkë me mua. S’mund të ngrihem e të t’i jap?
Po ju them juve, edhe nëse nuk ngrihet e t’ia japë se është miku i tij, për paturpësinë e tij do të ngrihet e do t’i japë sa i duhen.
Edhe unë po ju them juve: Lypni, dhe do t’ju jepet juve; kërkoni, dhe do të gjeni; trokitni, dhe do t’ju hapet.
Sepse kushdo që lyp merr; dhe ai që kërkon gjen; dhe atij që troket do t’i hapet.
Edhe nëse është ndonjë prej jush atë, dhe në i kërkoftë i biri bukë, mos do t’i japë gur? Apo në i lyptë peshk, mos do t’i japë gjarpër në vend të peshkut?
Apo në i kërkoftë vezë, mos do t’i japë akrep?
Nëse ju pra, që jeni të ligj, dini t’u jepni bijve tuaj dhurata të mira, sa më tepër, Ati nga qielli do t’u japë Shpirt të Shenjtë atyre që të lypin prej tij?
Edhe Jisui ishte duke nxjerrë një djall, dhe ai ishte i shurdhër; dhe kur doli djalli, i shurdhri foli; dhe turmat u çuditën.
Po disa nga ata thanë, se i nxjerr djajtë me anë të Velzevulit, të parit të djajve.
Edhe ca të tjerë duke e ngarë atë, kërkonin prej tij shenjë nga qielli.
Po ai, si kuptoi mendimet e tyre, u tha: çdo mbretëri që ndahet kundër vetes së saj, shkretohet; dhe një shtëpi, që ndahet kundër vetes së saj, rrëzohet.
Edhe Satanai pra, në qoftë se u nda kundër vetes së tij, si do të qëndrojë mbretëria e tij? Sepse thoni se unë i nxjerr djajtë me anë të Velzevulit.
Edhe në i nxjerr unë djajtë me anë të Velzevulit, bijtë tuaj me anë të cilit i nxjerrin? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
Por nëse i nxjerr unë djajtë me gishtin e Perëndisë, pa fjalë mbretëria e Perëndisë arriti tek ju.
Kur i forti ruan i armatosur avllinë e tij, gjithë pasuria e tij është në paqe.
Po kur vjen një më i fortë se ai, e mund, i merr gjithë armët e tij, në të cilat shpresonte, dhe ndan plaçkat e tij,
Kush nuk është me mua, është kundër meje; dhe kush nuk mbledh bashkë me mua, shpërndan.
Fryma e ndyrë, kur del prej njeriut, shkon nëpër vende të thata, pa ujë, dhe kërkon prehje; dhe duke mos gjetur, thotë: Le të kthehem në shtëpinë time, prej së cilës dola.
Edhe kur vjen, e gjen të fshirë e të stolisur.
Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymë të tjera më të këqija se veten e saj, dhe hyjnë e rrinë atje; dhe gjendja e mëpasme të atij njeriu bëhet më e keqe se e para.
Edhe kur ai po thoshte këto, një grua prej turmës ngriti zërin e i tha: Lum barku që të ka mbajtur, dhe gjinjtë që ke thithur.
Po ky tha: Lum më tepër ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë.
Edhe ndërsa po mblidhej turma, zuri të thotë: Ky brez është i keq; shenjë kërkon dhe shenjë nuk do t’i jepet përveç shenjës së profetit Jona.
Sepse sikurse Jonai u bë shenjë në Ninevitët, kështu edhe Biri i njeriut do të jetë në këtë brez.
Mbretëresha e jugut do të ngrihet në ditët e gjyqit bashkë me njerëzit e këtij brezi, dhe do t’i dënojë; sepse erdhi nga anët e fundit të dheut që të dëgjojë urtësinë e Solomonit; dhe ja këtu ka më tepër se Solomon.
Burrat e Ninevisë do të ngjallen në gjyq bashkë me këtë brez, dhe do ta dënojnë; sepse u penduan në predikimin e Jonait; dhe ja këtu ka më tepër se Jonà.
Edhe asnjë, kur ndez kandil nuk e vë në vend të fshehur, as nën shinik, po e vë mbi kandilmbajtëse, që të shohin dritën ata që hyjnë brenda.
Kandili i trupit është syri; syri yt pra kur është i pastër, edhe gjithë trupi yt është i ndritur; po kur është i keq, edhe trupi yt është i errët.
Vështro pra që drita që është tek ti të mos jetë errësirë.
Në qoftë pra gjithë trupi yt i ndritur, pa pasur ndonjë anë të errët, do të jetë i tëri i ndritur, si kandili kur të ndrit me dritën e tij të fortë.
Edhe si foli këto, një Farise i lutej atij të shkojë për drekë tek ai; dhe ai hyri e ndenji në tryezë.
Edhe Fariseu u çudit, kur pa, se nuk u la përpara drekës.
Edhe Zoti i tha: Tani ju Farisenjtë pastroni anën e jashtme të gotës e të pjatës; po e brendshmja juaj është plot me rrëmbim e me të keq.
Të marrë, ai që bëri të jashtmen, a nuk bëri edhe të brendshmen?
Veç jepni lëmoshë gjënë tuaj, dhe ja të gjitha tek janë të pastra te ju.
Po mjerë ju Farisenjtë! Sepse jepni të dhjetën e mendrës e të rigonit e të çdo lakre, dhe lini mënjanë gjyqin e dashurinë e Perëndisë. Këto duhej t’i bënit, dhe ato të mos i linit.
Mjerë ju Farisenjtë! Sepse doni vendin e parë nëpër sinagogat dhe përshëndetjet nëpër tregjet.
Mjerë ju shkrues e Farisenj, hipokritë, se jeni si varret që s’duken, dhe njerëzit që ecin përsipër nuk e dinë.
Edhe një nga mësuesit e ligjit u përgjigj e i tha: Mësues, duke thënë këto na shan edhe ne.
Edhe ai tha: Mjerë edhe ju mësuesit e ligjit! Sepse ngarkoni njerëzit me pesha të rënda që s’mbahen, dhe ju as me njërin prej gishtave tuaj nuk i prekni peshat.
Mjerë ju! Sepse ndërtoni varret e profetëve, dhe etërit tuaj i vranë.
Me të vërtetë dëshmoni dhe pëlqeni punët e etërve tuaj; sepse ata i vranë, dhe ju ndërtoni varret e tyre.
Prandaj edhe urtësia e Perëndisë tha: Do të dërgoj tek ata profetë e apostuj, dhe disa prej tyre do t’i vrasin e do t’i përndjekin,
që të kërkohet prej këtij brezi gjaku i gjithë profetëve që është derdhur që kur se është ngritur bota,
që nga gjaku i Abelit deri në gjakun e Zaharisë, i cili u vra në mes të therores e të tempullit. Po, po ju them juve, do të kërkohet prej këtij brezi.
Mjerë ju mësuesit e ligjit! Sepse ngritët çelësin e dijes. Ju nuk hytë, por dhe ata që donin të hynin i ndaluat.
Edhe ndërsa ai u thoshte atyre këto, shkruesit e Farisenjtë zunë ta ndiznin tepër, dhe ta shtrëngonin të fliste për shumë gjëra.
Sepse kishin ngritur lak për atë, dhe kërkonin të rrëmbenin ndonjë fjalë prej gojës së tij, që ta akuzojnë
Edhe pastaj Zoti vuri edhe shtatëdhjetë nxënës të tjerë dhe i dërgoi dy nga dy përpara tij në çdo qytet e vend, ku kishte për të shkuar ai.
U thoshte atyre pra: Të korrat janë të shumta, po punëtorët të paktë; lutjuni pra të zotit të të korrave të nxjerrë punëtorë për të korrat e tij.
Shkoni; ja unë tek po ju dërgoj ju si shqerra në mes të ujqërve.
Mos mbani kuletë, as trastë, as këpucë; dhe asnjë mos përshëndetni udhës.
Edhe në atë shtëpi që të hyni, më përpara thoni: Paqe në këtë shtëpi.
Edhe në qoftë atje bir paqeje, paqja juaj do të prehet në të; në mos, do të kthehet tek ju.
Edhe qëndroni në atë shtëpi duke ngrënë e duke pirë nga ato që t’ju japin ata; sepse punëtori është i denjë për pagën e tij, mos shkoni prej shtëpie në shtëpi.
Edhe në atë qytet që të hyni dhe t’ju presin, hani ato që t’ju vënë përpara,
edhe shëroni të sëmurët që gjenden në të, dhe u thoni atyre: Mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju.
Por në atë qytet që të hyni, dhe të mos ju presin, kur të dilni nëpër rrugët e tij thoni:
Ju shkundëm juve edhe pluhurin që na u ngjit prej qytetit tuaj; po këtë të dini, se mbretëria e Perëndisë u afrua tek ju.
Edhe po ju them juve, se në atë ditë më i durueshëm do të jetë mundimi në Sodomë, se në atë qytet.
Mjerë ti Horazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse po të ishin bërë në Tir e në Sidonë ato çudira që u bënë tek ju, qëkur do të ishin penduar duke ndenjur në thes e në hi.
Po në Tir e në Sidonë më i durueshëm do të jetë mundimi në ditët e gjyqit se tek ju.
Edhe ti Kapernaum, që u lartësove deri në qiell, do të zbresësh deri në had.
Ai që ju dëgjon ju, më dëgjon mua; dhe ai që nuk ju zë për gjë ju, nuk më zë për gjë mua; dhe ai që nuk më zë për gjë mua, nuk zë për gjë atë që më ka dërguar mua.
Edhe të shtatëdhjetët u kthyen me gëzim, duke thënë: Zot, edhe djajtë na dëgjojnë në emrin tënd.
Edhe ai u tha atyre: Vështroja Satanain duke rënë nga qielli si vetëtimë.
Ja tek po ju jap juve pushtet që të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë, dhe mbi gjithë fuqinë e armikut; dhe asgjë s’ ka për t’ju bërë keq juve.
Po mos u gëzoni për këtë, se ju dëgjojnë ju frymët e ndyra; por gëzohuni më tepër se emrat tuaj u shkruan në qiejt.
Edhe në atë orë Jisui u gëzua në shpirt, dhe tha: Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i dheut, se i fshehe këto nga të diturit e nga të mençurit dhe ua zbulove foshnjave. Po, o Atë, se kështu u pëlqye përpara teje.
Të gjitha m’u dhanë në dorë prej Atit tim; dhe asnjë nuk di cili është Biri, veç Ati; dhe cili është Ati, veç Biri, dhe ai, të cilit të dojë biri t’ia zbulojë.
Edhe u kthye tek nxënësit, e u tha veçan: Lum ata sy që shohin këto që shihni ju.
Sepse po ju them juve, se shumë profetë e mbretër deshën të shihnin ato që shihni ju, po nuk i panë; dhe të dëgjonin ato që dëgjoni ju, po nuk i dëgjuan.
Edhe ja tek u ngrit një mësues ligji, duke e ngarë atë, e duke thënë: Mësues, ç’të bëj, që të trashëgoj jetën e përjetshme?
Edhe ai i tha, Ç’është shkruar në ligj; si lexon?
Edhe ai u përgjigj e tha: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde” edhe “të afërmin tënd posi veten tënde”.
Edhe ai i tha: U përgjigje drejt; bëj këtë, dhe do të rrosh.
Po ai, duke dashur të nxjerrë veten e tij të drejtë, i tha Jisuit: E cili më është i afërm?
Edhe Jisui u përgjigj e tha: Një njeri zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ra në duar kusarësh, të cilët si e zhveshën dhe e bënë me plagë, ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.
Edhe qëlloi të shkojë asaj udhe një prift; dhe kur e pa atë, shkoi nga ana tjetër.
Kështu edhe një Levit, sa arriti në atë vend, erdhi e pa, dhe shkoi nga ana tjetër.
Po një Samaritan, duke udhëtuar, erdhi në vendin ku ishte ai, dhe kur e pa, iu dhimbs,
edhe erdhi pranë e i lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj e verë, dhe e hipi në kafshën e tij, dhe e solli në një bujtinë, e u kujdes për të.
Edhe të nesërmen kur do të dilte, nxori dy dinarë e ia dha bujtinarit, dhe i tha: Kujdesu për këtë njeri; dhe ç’të prishësh më tepër, unë, kur të kthehem, do të t’i jap.
Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?
Edhe ai i tha: Ai që bëri përdëllim për të. Jisuj pra i tha: Shko edhe ti bëj kështu.
Edhe kur ata po shkonin, ai hyri në një fshat; dhe një grua që e kishte emrin Marta, e priti atë në shtëpinë e saj.
Edhe ajo kishte një motër që quhej Maria, e cila ndenji pranë këmbëve të Jisuit dhe dëgjonte fjalën e tij.
Edhe Marta mundohej shumë duke shërbyer; dhe pastaj erdhi përpara tij, e tha: Zot, A nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë.
Edhe Jisui u përgjigj e i tha asaj: Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë.
Po për një është nevoja, dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj.
Edhe Jisui, si thirri pranë të dymbëdhjetë nxënësit e tij, u dha fuqi e pushtet mbi gjithë djajtë, dhe të shëronin sëmundje.
Edhe i dërgoi që të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët.
Edhe u tha atyre: Mos mbani gjë udhës, as bastunë, as trastë, as bukë, as argjend, as të mos keni nga dy palë rroba.
Edhe në atë shtëpi që të hyni, qëndroni atje, dhe dilni prej andej.
Edhe sa vetave të mos ju presin, kur të dilni prej atij qyteti, shkunduni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja, për dëshmi kundër tyre.
Edhe ata, si dolën, shkonin fshatrave, duke dhënë lajmin e mirë, e duke shëruar kudo.
Edhe Irod tetrarku dëgjoi gjithë ato që bëheshin prej atij; dhe mahnitej, sepse disa thoshin se Joani është ngjallur prej së vdekurish.
Edhe disa thoshin, se Ilia u duk; dhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm.
Edhe Irodi tha: Joanit unë i preva kryet; po ky, për të cilin dëgjoj të këtilla punë, cili është? Edhe kërkonte ta shihte.
Edhe apostujt si u kthyen, i treguan Jisuit gjithë sa bënë; dhe ai i mori me vete dhe u tërhoq veçan në një vend të shkretë të një qyteti që quhej Betsaida.
Edhe turmat kur e kuptuan, i shkuan pas; dhe ai si i priti, u fliste për mbretërinë e Perëndisë, dhe ata që kishin nevojë shërimi i shëronte.
Edhe dita zuri të thyhej; dhe të dymbëdhjetët erdhën pranë e i thanë: Lësho turmën të shkojnë nëpër fshatrat e nëpër arat për rreth, dhe të rrinë e të gjejnë ushqime; sepse këtu jemi në vend të shkretë.
Po ai u tha: Jepuni ju atyre të hanë. Edhe ata thanë: Tek ne nuk gjenden më tepër se pesë bukë e dy peshq; veç në shkofshim ne të blejmë ushqime për gjithë këtë popull.
Sepse ishin rreth pesë mijë burra. Edhe ai u tha nxënësve të tij: Vërini ata të rrinë togje-togje nga pesëdhjetë.
Edhe ata bënë kështu, dhe i vunë të gjithë të rrinë.
Edhe ai si mori të pesë bukët e të dy peshqit, ngriti sytë në qiejt dhe i bekoi, e i theu, dhe ua dha nxënësve t’i vënë përpara turmës.
Edhe të gjithë hëngrën e u ngopën; dhe ngritën dymbëdhjetë kofinë me tepricën e copave.
Edhe ndërsa ai falej veças, nxënësit ishin bashkë me të; dhe i pyeti, duke thënë: Cili thonë turmat se jam unë?
Edhe ata u përgjigjën e thanë: Joan pagëzori; dhe të tjerë: Ilia; dhe të tjerë, se është ngjallur ndonjë prej profetëve të moçëm.
Edhe ai u tha atyre: Po ju cili thoni se jam unë? Edhe Pjetri u përgjigj e tha: Krishti i Perëndisë.
Edhe ai i qortoi e i porositi të mos ia thonë njeriu këtë,
duke thënë se i Biri i njeriut duhet të heqë shumë dhe nuk do të pëlqehet nga pleqtë dhe nga kryepriftërinjtë e nga shkruesit, dhe do të vritet, dhe të tretën ditë do të ngjallet.
Pastaj u thoshte të gjithëve: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrerë kryqin e tij përditë dhe le të vijë pas meje.
Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbë; dhe kush të humbë jetën e tij për mua, ky do ta shpëtojë.
Sepse ç’dobi ka njeriu, në fitoftë gjithë botën e të humbë veten e tij a ta dëmtojë?
Sepse kush të ketë turp për mua dhe për fjalët e mia, edhe i Biri i njeriut do të ketë turp për këtë, kur të vijë në lavdinë e tij e të Atit e të engjëjve të shenjtë.
Edhe po ju them juve me të vërtetë se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, të cilët nuk do të provojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë.
Edhe pas këtyre fjalëve kaluan rreth tetë ditë, dhe ai mori me vete Pjetrin e Joanin e Jakovin, dhe u ngjit në mal të falej.
Edhe tek falej iu ndërrua pamja e fytyrës së tij dhe rrobat e tij ishin të bardha dhe vetëtinin.
Edhe ja tek po flisnin bashkë me të dy burra, të cilët ishin Moisiu dhe Ilia.
Këta u dukën me lavdi e thoshin për vdekjen e tij që kishte për ta përmbushur në Jerusalem.
Po Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të, ishin rënduar nga gjumi; dhe kur u zgjuan, panë lavdinë e tij dhe të dy burrat që rrinin bashkë me të.
Edhe tek ndaheshin ata prej atij, Pjetri i tha Jisuit: Mjeshtër, është mirë të jemi këtu; dhe le të bëjmë tri tenda, një për ty e një për Moisiun e një për Ilian; pa ditur se ç’thoshte.
Edhe ndërsa ai thoshte këto, erdhi një re e i mbuloi me hije; dhe ata u frikësuan, kur hynë në re.
Erdhi një zë nga qielli, duke thënë: Ky është biri im i dashur; dëgjojeni atë.
Edhe me ardhjen e zërit, Jisui u gjend vetëm. Edhe s’bënë zë dhe asnjeriu nuk i thanë ato ditë për ndonjë gjë nga ato që panë.
Edhe ditën tjetër, si zbritën ata nga mali, shumë turmë i doli përpara.
Edhe ja një njeri prej turmës tek bërtiti, duke thënë: Mësues, të lutem, hidh sytë mbi tim bir, se e kam të vetëm.
Edhe ja tek e kap një frymë, dhe bërtet papandehur, dhe e përpjek me shkumë, dhe mezi ndahet prej tij duke e dërrmuar atë.
Edhe iu luta nxënësve të tu, që t’ia nxjerrin, po nuk mundën.
Edhe Jisui u përgjigj e tha: O brez i pabesë e i shtrembër, deri kur do të jem me ju dhe t’ju duroj ju? Sille tët bir këtu.
Edhe ndërsa ai po vinte pranë, djalli e hodhi poshtë dhe e përpoqi. Edhe Jisui e qortoi frymën e ndyrë dhe e shëroi djalin, dhe ia dha prapë të atit.
Edhe të gjithë mahniteshin për madhërinë e Perëndisë. Edhe ndërsa të tërë çuditeshin për gjithë sa bëri Jisui, u tha nxënësve të tij:
Ju vini në veshët tuaj këto fjalë; sepse i Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve.
Po ata nuk e kuptonin këtë fjalë, dhe ishte e fshehur prej tyre që të mos e kuptonin; dhe kishin frikë ta pyetnin për këtë fjalë.
Pastaj hyri një mendim tek ata: Cili vallë nga ata ishte më i madh.
Edhe Jisui, kur pa mendimin e tyre, zuri prej dore një djalë, dhe e vuri pranë vetes së tij.
Edhe u tha atyre: Ai që të presë këtë djalë në emrin tim, mua më ka pritur; dhe ai që të më presë mua, ka pritur atë që më dërgoi mua; sepse ai që është më i vogël ndër gjithë ju, ky do të jetë më i madh.
Edhe Joani u përgjigj e tha: Mjeshtër, pamë një njeri që nxjerr djajtë në emrin tënd; dhe e ndaluam, sepse nuk vjen pas bashkë me ne.
Edhe Jisui i tha: Mos e ndaloni, sepse ai që s’është kundër nesh, është bashkë me ne.
Edhe kur po mbusheshin ditët që do të merrej lart në qiejt atëherë ai hodhi syrin e tij të shkojë në Jerusalem.
Edhe dërgoi zëdhënës përpara vetes së tij, të cilët shkuan e hynë në një fshat të Samaritanëve, për të bërë gati vend për të.
Edhe nuk e pritën atë, sepse e kishte syrin për të shkuar në Jerusalem.
Edhe nxënësit e tij Jakov e Joan kur panë, thanë: Zot, a do që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, siç bëri edhe Ilia?
Po ai u kthye e i qortoi dhe tha: Nuk dini të çfarë fryme jeni ju.
Sepse i Biri i njeriut nuk erdhi të humbë shpirtra njerëzish, por të shpëtojë. Edhe shkuan në tjetër fshat.
Edhe kur ata po ecnin, një njeri i tha udhës: Zot, do të të vij pas kudo që të shkosh.
Edhe Jisui i tha atij: Dhelprat kanë strofka, dhe zogjtë e qiellit çerdhe; po i Biri i njeriut s’ka ku të mbështetë kryet.
Edhe i tha një tjetri: Eja pas meje. Edhe ai i tha, Zot, lermë më përpara të shkoj e të varros tim atë.
Po Jisui i tha: Lëri të vdekurit të fusin në dhe të vdekurit e tyre; po ti shko, e lajmëro për mbretërinë e Perëndisë.
Po edhe një tjetër tha: Zot, do të vij pas teje; po lermë më përpara të shkoj t’u lë shëndet atyre që janë në shtëpinë time.
Po Jisui i tha: Kush vë dorën e tij mbi parmendë dhe vështron prapa, nuk është i denjë për mbretërinë e Perëndisë.
Edhe pastaj ai shkonte qytet më qytet e fshat më fshat, duke predikuar e duke dhënë lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë; dhe të dymbëdhjetët ishin bashkë me të,
edhe disa gra që ishin shëruar nga frymë të këqija e nga sëmundje, Maria, që quhej Magdalena, prej së cilës patën dalë shtatë djaj,
edhe Joana, e shoqja e Huzait, kujdestarit të Irodit, dhe Suzana, dhe shumë të tjera, të cilat i shërbenin me pasurinë e tyre.
Edhe si u mblodh shumë popull, dhe vinin tek ai prej çdo qyteti, foli me paravoli.
Doli mbjellësi të mbillte farën e tij; dhe ndërsa ai po mbillte, ca farë ra pranë udhës, dhe u shkel, dhe zogjtë e qiellit e hëngrën.
Edhe tjetër ra mbi gur, dhe sapo mbiu u tha, sepse nuk kishte lagështirë.
Edhe tjetër ra në mes të drizave, dhe si mbinë drizat bashkë me atë, e mbytën.
Edhe tjetër ra në dhe të mirë, dhe si mbiu, dha pemë për një njëqind. Duke thënë këto, thërriste: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.
Edhe nxënësit e tij e pyetnin, duke thënë: Ç’të jetë kjo paravoli?
Edhe ai tha: Juve ju është dhënë të njihni fshehtësirat e mbretërisë së Perëndisë; po të tjerëve me paravoli, që duke parë të mos shohin edhe duke dëgjuar të mos kuptojnë.
Edhe paravolia është kjo: Fara është fjala e Perëndisë.
Ajo pranë udhës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli dhe ngre fjalën prej zemrës së tyre, që të mos besojnë e të shpëtojnë.
Edhe ajo mbi gur janë ata, të cilët, kur dëgjojnë, me gëzim e pranojnë fjalën; po këta s’kanë rrënjë; sepse ata besojnë për ca kohë, po në kohë ngasjeje largohen.
Edhe ajo që ra tek drizat, këta janë ata që dëgjuan, po nga kujdesjet e nga pasuria dhe nga kënaqësitë e kësaj jete shkojnë e mbyten, e nuk bëjnë pemë.
Edhe ajo që ra në dhe të mirë, këta janë ata që dëgjuan fjalën dhe e mbajnë në zemër të mirë e të pastër, dhe bëjnë pemë me durim.
Edhe asnjë kur ndez kandil nuk e mbulon me enë, a e vë nën shtrat; po e vë mbi kandilmbajtëse, që të shohin dritën ata që hyjnë.
Sepse nuk ka ndonjë të fshehtë që nuk do të shfaqet; as të fshehtë që nuk do të merret vesh, e të dalë për faqe.
Vështroni pra si dëgjoni; sepse atij që ka, do t’i jepet; po atij që s’ka, edhe ajo që pandeh se ka do të merret prej tij.
Edhe erdhën tek ai e ëma edhe vëllezërit e tij, dhe nuk mundnin prej turmës t’i afroheshin.
Edhe e lajmëruan, duke thënë: Nëna jote dhe vëllezërit e tu po rrinë jashtë dhe duan të të shohin.
Po ai u përgjigj e u tha atyre: Nënë e vëllezër më janë këta që dëgjojnë fjalën dhe e bëjnë.
Edhe një ditë hyri në lundër ai dhe nxënësit e tij, dhe u tha atyre: Le të shkojmë në anën e përtejme të liqenit.
Edhe u nisën. Edhe ndërsa ata ishin duke lundruar, e zuri gjumi. Edhe zbriti një stuhi ere në liqen; dhe lundra po mbushej me ujë, dhe ishin në rrezik.
Edhe ata erdhën pranë atij dhe e zgjuan, duke thënë: Mjeshtër, mjeshtër, po humbim. Edhe ai u ngrit e qortoi erën dhe valët e ujit; dhe pushuan e u bë bunacë.
Edhe u tha atyre: Ku është besimi juaj? Edhe ata u frikësuan e u çuditën, duke i thënë njëri-tjetrit: Vallë, cili është ky që urdhëron edhe erërat edhe ujin, dhe e dëgjojnë?
Edhe me lundrën arritën në vendin e Gadarinëve, që është përtej Galilesë.
Edhe kur doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte djaj prej shumë vjetësh, dhe rrobë nuk vishte, dhe në shtëpi nuk rrinte, po nëpër varre.
Edhe kur pa Jisuin, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të madh tha: Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo.
Sepse ai urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shumë vjetësh e kishte rrëmbyer, dhe lidhej me vargonj, dhe ruhej me hekura këmbësh; po ai i këpuste prangat, dhe sillej prej djallit nëpër shkretëtira.
Edhe Jisui e pyeti, duke thënë: Si ta thonë emrin? Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë djaj.
Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në pafundësi.
Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; dhe i luteshin t’i linte të hyjnë tek ata; dhe ai i la.
Edhe djajtë, si dolën prej njeriut, hynë te derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në liqen dhe u mbyt.
Edhe kullotësit, kur panë se ç’u bë, ikën dhe shkuan e lajmëruan në qytet e nëpër ara.
Edhe dolën të shihnin se ç’u bë; dhe erdhën te Jisui, dhe e gjetën njeriun, prej të cilit kishin dalë djajtë, duke ndenjur pranë këmbëve të Jisuit, të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan.
U treguan dhe ata që e panë, si shpëtoi i demonizuari.
Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve i luteshin të ikë nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe; dhe ai hyri në lundër, e u kthye.
Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë djajtë, i lutej të jetë bashkë me të; po Jisui e lëshoi, duke thënë:
Kthehu në shtëpinë tënde, dhe rrëfe gjithë sa bëri Perëndia mbi ty. Edhe ai shkoi duke predikuar nëpër gjithë qytetin sa bëri Jisui mbi të.
Edhe kur u kthye Jisui, turma e priti me gëzim; sepse të gjithë ishin duke e pritur atë.
Edhe ja tek erdhi një njeri që quhej Jair - dhe ky ishte i pari i sinagogës - e ra ndër këmbët e Jisuit, e i lutej të hynte në shtëpinë e tij;
sepse kishte një bijë të vetme, rreth dymbëdhjetë vjeç, dhe ajo po vdiste. Edhe ndërsa ai ishte duke shkuar, turmat po e shtrëngonin.
Edhe një grua, që kishte rrjedhje gjaku dymbëdhjetë vjet, e cila kishte prishur gjithë pasurinë nëpër mjekët, po nuk mundi të shërohej as prej ndonjërit,
u afrua nga prapa dhe preku cepin e rrobës së tij; dhe menjëherë iu ndal rrjedhja e gjakut.
Edhe Jisui tha: Kush qe ai që më preku? Edhe ndërsa po mohonin të gjithë, Pjetri dhe ata që ishin bashkë me të thanë: Mjeshtër, turmat të shtypin e të shtrëngojnë, dhe ti thua: Kush qe ai që më preku?
Po Jisui tha: Dikush më preku, sepse unë mora vesh se një fuqi doli prej meje.
Edhe gruaja kur pa se nuk u fsheh dot, erdhi duke u dridhur, dhe i ra ndër këmbë, e i rrëfeu përpara gjithë popullit për çfarë pune e preku, dhe se u shërua përnjëherë.
Edhe ai i tha asaj: Guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.
Edhe kur ai po fliste ende, vjen një njeri prej të parit të sinagogës e i thotë se jot bijë vdiq; mos e mundo mësuesin.
Po Jisui kur dëgjoi, u përgjigj: Mos ki frikë; veç beso, dhe do të shpëtojë.
Edhe si hyri në shtëpi, nuk la asnjë të hynte brenda, përveç Pjetrit dhe Jakovit dhe Joanit, dhe të atit të vajzës dhe së ëmës.
Edhe të gjithë po qanin e ulërinin për atë. Edhe ai tha: Mos qani; nuk vdiq, por po fle.
Edhe e përqeshnin, duke ditur se vdiq.
Po ai, si i nxori jashtë të gjithë, e kapi prej dore, dhe thirri duke thënë: O vashëz, ngrihu.
Edhe asaj i erdhi shpirti prapë, dhe u ngrit përnjëherë; dhe Jisui urdhëroi t’i jepnin asaj të hajë.
Edhe prindërit e saj u habitën; po ai i porositi të mos i thonë njeriu se ç’u bë.
Edhe pasi mbaroi gjithë fjalët e tij në veshët e popullit, hyri në Kapernaum.
Edhe shërbëtori i një kryeqindëshi, që e kishte shumë të vlefshëm, ishte keq për të vdekur.
Edhe kur dëgjoi për Jisuin, dërgoi pleqtë e Judenjve tek ai duke iu lutur atij të vinte e t’i shpëtonte shërbëtorin.
Edhe ata erdhën te Jisui e i luteshin me të tepërt, duke thënë se është i denjë ai, të cilit do t’ia bësh këtë.
Sepse ai e do kombin tonë, dhe sinagogën ai na e ka ndërtuar.
Edhe Jisui ecte bashkë me ta. Edhe tek ishte atje jo larg shtëpisë, kryeqindëshi dërgoi miq tek ai, duke i thënë atij: Zot, mos u mundo, sepse nuk jam i zoti që të hysh nën strehën time.
Prandaj as veten time s’e gjeta të denjë të vij tek ti, por thuaj një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
Sepse edhe unë jam një njeri nën urdhër, dhe kam nën veten time shërbëtorë. Edhe i them këtij: Shko, dhe shkon; dhe tjetrit: Eja, dhe vjen; dhe shërbëtorit tim: Bëj këtë, dhe e bën.
Edhe Jisui, kur dëgjoi këto, u çudit për atë, dhe u kthye e i tha turmës që i vinte pas: Po ju them juve, as në Izrael s’kam gjetur kaq besim.
Edhe ata që ishin dërguar, kur u kthyen në shtëpi, gjetën shërbëtorin e sëmurë të shëruar.
Edhe të nesërmen Jisui vinte në një qytet që quhej Nain; dhe vinin bashkë me të edhe mjaft nga nxënësit e tij dhe shumë popull.
Edhe kur u afrua në portën e qytetit, ja tek sillnin përjashta një të vdekur, të cilin e ëma e kishte bir të vetëm, dhe ajo ishte e ve; dhe shumë popull prej qytetit ishte bashkë me të.
Edhe Zoti kur e pa, i erdhi keq për të, dhe i tha asaj: Mos qaj.
Edhe u afrua e zuri shtratin; dhe ata që e mbanin qëndruan; dhe ai tha: Djalosh, po të them, ngrihu.
Edhe i vdekuri u ngrit e ndenji, dhe zuri të flasë. Edhe ia dha së ëmës.
Edhe të gjithëve u hyri frikë, dhe lavdëronin Perëndinë, duke thënë se një profet i madh është ngritur tek ne, dhe se Perëndia vuri re popullin e tij.
Edhe doli kjo fjalë për të nëpër gjithë Judenë, dhe nëpër gjithë vendet përreth.
Edhe nxënësit e tij lajmëruan Joanin për gjithë këto.
Edhe Joani thirri pranë dy veta nga nxënësit e tij e i dërgoi te Jisui, duke thënë: Ti je ai që ka për të ardhur, apo presim tjetër?
Edhe njerëzit, si erdhën tek ai, thanë: Joan Pagëzori na ka dërguar tek ti, duke thënë: Ti je ai që ka për të ardhur, apo presim tjetër?
Edhe në atë orë ai shëroi shumë veta nga sëmundjet e nga mundimet e nga frymët e liga, dhe shumë të verbërve u fali të parët.
Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Shkoni e i jepni zë Joanit për gjithë sa patë e dëgjuat, se të verbër shohin, të çalë ecin, lebrozë pastrohen, të shurdhër dëgjojnë, të vdekur ngjallen, të varfër dëgjojnë lajmin e mirë.
Edhe lum ai që nuk do të skandalizohet për mua.
Edhe pasi ikën ata që ishin dërguar nga Joani, zuri t’i thoshte turmës për Joanin: Ç’keni dalë të shihni në shkretëtirë? Kallam që tundet nga era?
Po ç’keni dalë të shihni? Njeri të veshur me rroba të buta? Ja ata që janë veshur me rroba të ndritura e që rrojnë në kënaqësira tek janë nëpër dyert e mbretërve.
Po ç’keni dalë të shihni? Profet? Po, ju them juve, edhe më tepër se profet.
Ky është ai, për të cilin është shkruar: “Ja unë tek po dërgoj engjëllin tim përpara fytyrës tënde, ai do të ndreqë udhën tënde përpara teje”.
Sepse po ju them juve, në mes atyre që kanë lindur prej grash asnjë nuk është më i madh se ai (Joan pagëzori); por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai.
Edhe gjithë populli që dëgjuan atë dhe tagrambledhësit, njohën drejtësinë e Perëndisë, duke pagëzuar veten e tyre me pagëzimin e Joanit.
Po Farisenjtë dhe mësuesit e ligjit e hodhën tej prej vetes së tyre vullnetin e Perëndisë, sepse nuk u pagëzuan prej tij.
Edhe Zoti tha: Me se t’i përngjaj pra njerëzit e këtij brezi? Dhe me se ngjajnë?
Ngjajnë me djem që rrinë në treg edhe që i thërresin njëri-tjetrit, duke thënë: I ramë fyellit për ju, dhe nuk kërcyet; ju bëmë vaj, dhe nuk qatë.
Sepse erdhi Joan Pagëzori, që as bukë ha, as verë pi, dhe thoni: Ka djallin.
Erdhi Biri i njeriut duke ngrënë e duke pirë, dhe thoni: Ja njeri hamës e verëpirës, mik tagrambledhësish e mëkatarësh.
Edhe u vërtetua urtësia prej gjithë bijve të saj.
Edhe një nga Farisenjtë i lutej të hante bashkë me të; dhe ai hyri në shtëpinë e Fariseut dhe ndenji në tryezë.
Edhe ja, një grua në atë qytet, e cila ishte mëkatare, kur mori vesh se kishte shkuar në shtëpinë e Fariseut, pruri një alabastër me vaj erërash.
Edhe ndenji prapa pranë këmbëve të tij duke qarë, dhe zuri të lagte këmbët e tij me lot, dhe ia fshinte me flokët e kokës së saj, dhe puthte këmbët e tij, dhe ia lyente me vajin e erërave.
Edhe Fariseu që e kishte thirrur, kur pa, foli me veten e tij duke thënë: Ky po të ishte profet, do ta njihte cila dhe çfarë gruaje është ajo që e prek, se është mëkatare.
Edhe Jisui iu përgjigj e i tha atij: Simon, diçka kam për të të thënë. Edhe ai i thotë: Mësues, thuaj.
Një huadhënës kishte dy debitorë; njëri i kishte detyrim pesëqind dinarë, dhe tjetri pesëdhjetë.
Edhe pasi nuk kishin t’ia lanin, ua fali të dyve. Thuaj pra: Cili nga ata do ta dojë më tepër?
Edhe Simoni u përgjigj e tha: Më duket, se ai, të cilit i fali më të shumtat. Edhe ai i tha: Drejt gjykove.
Edhe si u kthye nga gruaja, i tha Simonit: A e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; po ajo me lot më lagu këmbët, dhe me flokët kokës së saj i fshiu.
Ti nuk më puthe; po ajo, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia.
Ti me vaj nuk më leve kryet; po ajo me vaj erërash më leu këmbët.
Prandaj po të them: Janë ndjerë mëkatet e saj të shumta, sepse deshi shumë. Por atij që i ndjehen pak, pak do.
Pastaj i tha asaj: Të janë ndjerë mëkatet.
Edhe ata që kishin ndenjur në tryezë zunë të thonë me veten e tyre: Cili është ky që edhe mëkate ndjen?
Edhe ai i tha gruas: Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.