AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Vështrim i përgjithshëm 1991-2012

Share

 

 

Vështrim i përgjithshëm 1991-2012

 

    Me rifitimin e lirisë së besimit , pas persekutimit të egër shumëvjeçar (1945-1991), dhe me ardhjen e Kryepiskopit Anastas Janullatos, e drejtuar dhe organizuar prej tij, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, u ngjall përsëri. 

    Megjithë pengesat e shumëllojshme që ka përballuar herë pas here, ajo u ringrit nga gërmadhat dhe me hirin e Perëndisë dhe dhuratat bujare të shumë e shumë njerëzve, u zhvillua e po zhvillohet me ritme të shpejta dhe me zhvillim të pandërprerë e të gjithanshëm. Ajo duke jetuar me vështirësitë, shqetësimet dhe vuajtjet e popullit, u përpoq duke kontribuar edhe në rimëkëmbjen shoqërore e shpirtërore të vendit.

Ngritja e strukturave

 

 

 


   

  Menjëherë u krijuan dhe u organizuan enoritë (famullitë) në shumicën e qyteteve, fshatrave dhe krahinave me popullsi orthodhokse. Po zhvillohet veprimtaria liturgjike, predikuese dhe katekiste me pjesëmarrjen e klerikëve dhe laikëve. Janë organizuar lidhjet e Grave, të Rinisë dhe të Intelektualëve, të cilat ndihmojnë në veprën kishtare. 
    Në vitin 1998, u formua Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë nga Kryepiskopi Anastas, Mitropoliti i Beratit Ignati, Mitropoliti i Korçës Joani, Episkopi i Apollonisë Kozmai (i fjetur në vitin 2000) dhe me Kryesekretar Protopresviter Jani Trebicka.
    Në vitin 2006 u dorëzuan tre episkopë të rinj: Arkimandrit Dhimitër Sinaiti, Mitropolit i Gjirokastrës, Arkimandrit Nikolla Hyka, i cili mori titullin Episkop i Apollonisë dhe Arkimandrit Andon Merdani, i cili mori titullin Episkop i Krujës (dy të fundit janë episkopë ndihmës të Kryepiskopit).
    Në dt. 21 janar dhe 22 janar 2012 u dorëzuan në gradën episkopale arkimandrit  Nathanail Lavrioti si Episkop i Amantias dhe arkimandrit Asti Bakallbashi si Episkop i Bylisit. Këta episkopë mbulojnë sektorë të caktuar të jetës kishtare, Hirësi Nathanaili “Mbikqyrjen e pasurisë së Manastireve” dhe Hirësi Asti “Dhiakoninë Apostolike” (Shërbimin Apostullor).
    Nga 3-4 nëntor 2006, në Manastirin e Shën Vlashit, në Durrës, u mblodh posaçërisht Asambleja Kleriko-Laike e Kishës, e përbërë nga 257 anëtarë, e cila shqyrtoi nen për nen dhe pranoi unanimisht Statutin e ri të Kishës. Më 6 nëntor, u mblodh Sinodi i Shenjtë, i cili aprovoi Statutin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
    Më 24 nëntor 2008, u nënshkrua marrëveshja, sipas Kushtetutës së Shqipërisë, për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, marrëveshje që u aprovua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe u bë ligj I Shtetit Shqiptar, me nr.10057, më 22.01.2009.
    

Përgatitja e kuadrove dhe arsimimi kishtar

 


    Krahas klerikëve moshuar që kishin mbetur gjallë (viti 1991 vetëm 22, sot vetëm 2), u përgatit  një brez i ri klerikësh. Sot shërbejnë 146 klerikë, të gjithë nënshtetas shqiptarë, të diplomuar në Akademinë Teologjike Orthodhokse "Ngjallja e Krishtit", që funksionon që prej vitit 1992. Po në këtë shkollë përgatiten edhe kuadro të rinj për katekizëm dhe shërbime në aktivitete të ndryshme të Kishës.
Ndërkohë po kualifikohen më tej në universitete të njohura teologjike jashtë vendit dhe studentë të tjerë.
   Kryepiskopi Anastas, duke parë nevojën e edukimit kishtar të moshës së re, bëri të mundur hapjen e dy shkollave të mesme për djem. Në shtator të vitit 1998, u hap në Gjirokastër Shkolla e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, e vendosur në një kompleks ndërtesash me kushte bashkëkohore e me konvikt; dhe në shtator të vitit 2007, u hap në Sukth të Durrësit shkolla e dytë e Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, e vendosur në një godinë me kushte bashkëkohore dhe me konvikt.

Vepra ndërtuese

 

 
     Nën drejtimin e Zyrës Teknike, e ngritur në vitin 1992, janë ndërtuar nga themelet 150 kisha të reja (të mëdha e të vogla), janë restauruar 70 kisha e manastire-monument kulture dhe janë riparuar mbi 160 kisha.
   Janë ngritur dhjetëra ndërtesa të reja dhe janë blerë e rikonstruktuar mjaft godina për qëllime të ndryshme (kopshte, shkolla, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfërit etj.). Gjithsej 70 godina.
    Ndër këto mund të përmendim Manastirin e Ri të Shën Vlashit, pranë Durrësit në territorin e të cilit ndodhet kompleksi i Akademisë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" dhe "Shtëpia Orthodhokse e Shpresës"; Selia Kryepiskopale në Tiranë; selitë e Mitropolive të Beratit, Korçës dhe Gjirokastrës; Shkollat e Mesme në Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit, në Mesopotam të Delvinës; konvikti i vajzave në Bularat të Gjirokastrës; shkollat 9-vjeçare në Tiranë e Durrës; 17 kopshte për fëmijë në qytete të ndryshme; Qendra Diagnostike “Ungjillëzimi” në Tiranë dhe disa poliklinika në disa zona, Instituti i Formimit Profesional “Frymë Dashurie” në Tiranë dhe në Gjirokastër; Qendra Arsimore dhe Shpirtërore në Lushnjë dhe në Tiranë; qendra rinore dhe shtëpi pritjeje në Korçë, Elbasan, Kavajë, Tiranë, Berat, Gjirokastër etj; mensat për të varfrit në Korçë dhe Tiranë dhe Berat; kompleksi i punishteve "Nazaret" në Tiranë, që përfshin: shtypshkronjë, fabrikë qirinjsh, zdrukthëtari, punishte për gdhendjen e drurit, si dhe studiot e ikonografisë dhe të restaurimit.
    E tërë vepra ndërtuese arrin në 450 ndërtesa.
    Vepra ndërtuese e Kishës sonë ka kontribuar njëkohësisht edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, në një mënyrë të heshtur e dinjitoze, duke ofruar punë dhjetëra firmave ndërtuese vendase dhe qindra punëtorëve.
    Për disa vjet rresht prej vitit 1995 funksionoi edhe një kurs arkitekture, ku çdo vit merrnin njohuri të ndryshme për ndërtimet dhe arkitekturën kishtare 40 të rinj.
 

Shtypi dhe botimet

 



    Kisha Orthodhokse ka shtypshkronjën e saj me makineri moderne dhe boton gazetën e përmuajshme "Ngjallja", revistën për fëmijë "Gëzohu!", revistën rinore "Kambanat",  libra të ndryshëm liturgjikë, shpirtërorë, shkencorë etj., gjithsej rreth 100 tituj. Në vitin 2009 nisi të botohej edhe revista periodike "Kërkim", me artikuj në teologji, shkencë, kulturë, aktualitet.
    Në Korçë, që prej vitit 2000, botohet revista “Tempulli”, revistë periodike kulturore, ndërsa në Gjirokastër buletini “Enoria Jonë” dhe në Akademinë Teologjike buletini studentor “Fjala”.

 

 

Kujdesi shëndetësor

 


    Kryepiskopi Anastas duke parë nevojën e madhe që kishte populli ynë në vitet e para të demokracisë, për ndihmë mjekësore si në vizita mjekësore, ilaçe, u bë e mundur hapja e klinikës së parë orthodhokse me emrin ''Shën Llukai'', në vitin 1994. Në nëntor të vitit 1999 kjo klinikë u zëvendësua nga Qendra Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi, një poliklinikë moderne në të gjithë kushtet dhe shërbimet që ofronte.
    Në Qendrën Diagnostike Orthodhokse "Ungjillëzimi", në Tiranë (e cila festoi 10-vjetorin që nga hapja e saj), punojnë mjekë nga më të njohurit e vendit, që ofrojnë eksperiencën e tyre në më shumë se 24 specialitete dhe vizitohen çdo muaj më shumë se 6 mijë pacientë, pa dallim besimi. Qëndra ofron shërbime shëndetësore nga më bashkëkohoret, me aparatura të viteve të fundit, p.sh. Skaneri tomografik (Scanner, General Electric, Light Speed Pro 32), spiral, multidedektor, me 32 prerje në një rrotullim dhe me një shpejtësi shumë të madhe, që bën të mundur realizimin jo vetëm të analizave të thjeshta, por edhe të atyre të zemrës, në 12-15 sekonda, në imazhe 3-dimensionale në një kohë të shkurtër e me cilësi si dhe ekzaminimin e toraxit apo të abdomenit vetëm me një frymëmbajtje. Në vitin 2000, u krijua një staf dhe një sallë kirurgjie ditore (përvojë amerikane).
    Poliklinika mjekësore funksionojnë në Kavajë, Korçë, Jorgucat dhe Lushnje. Ndërsa një njësi ambulante dentare ofron shërbimin e saj në qytete dhe fshatra (sidomos për fëmijë).
    Zyra “Diakonia Agapes” (Shërbimi i Dashurisë) ka mjaft kohë që po kontribuon në shtimin e rolit të infermierëve dhe mamive, në zonat rurale, duke ofruar projekte trajnimi dhe ndihma, madje duke botuar edhe një libër praktik "Aty ku nuk ka mjekë", që jep informacion rreth ekzaminimit dhe trajtimit të sëmundjeve më të zakonshme, duke e shpërndarë falas në këto zona. 

Arsimi

 

 


   Përveç arsimit kishtar (Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit”, Shkollës së Mesme Kishtare “Kryqi i Nderuar”, Gjirokastër dhe Sukth të Durrësit) janë ngritur edhe institucione të tjera arsimore.
    Në Tiranë funksionon prej vitit 2000 Instituti i Formimit Profesional "Frymë Dashurie", i pari i këtij lloji në vend. Aty pranohen me konkurs të rinj që kanë mbaruar shkollën e mesme, të cilët mund të përgatiten në gjashtë degë: Kuadër Menaxher, Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Informatikë, Specialist në Laboratorët Mjekësorë, Restaurim dhe Konservim Veprash Arti, Ikonografi Bizantine.
    Një insitut i tillë është hapur, që prej vitit 2002, edhe në Gjirokastër në qendrën e re moderne “Emaus”, që përgatit studentë në katër degë: Specialist në Llogaritë e Kompjuterizuara, Administrim Ndërmarrjesh, Specialist i Enteve Turistike, Informatikë e Zbatuar.
    Në fund të vitit 2009, u hap Universiteti “Logos”, me disa fakultete.
Në Mesopotam të Delvinës u hap në vitin 2005 Shkolla e Mesme Teknike “Apostull Pavli”, shkollë profesionale me disa degë: informatikë, instalime elektrike, instalime hidraulike dhe instalime frigoriferike-kondicionimi.
   Janë hapur deri tani edhe tri shkolla 9-vjeçare: në Tiranë, Shkolla shqiptaro-amerikane “Protagonistët” (në vitin 2001); në Durrës, Shkolla shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (në vitin 2005); në Gjirokastër, Shkolla shqiptaro-greke “Frymë Dashurie” (në vitin 2008).
    Janë ngritur 17 përkujdesje ditore (kopshte), në Tiranë, Durrës, Kavajë, Korçë, Lushnjë, Elbasan, Gjirokastër (2), Sarandë, Dervician, Pogradec, Shkodër, Vlorë, Përmet, Berat, Tepelenë, Cërrik, ku kanë përparësi fëmijët e familjeve në nevojë.
    Në mjediset e Manastirit të Shën Vlashit, në Durrës, funksionon shtëpia e fëmijës “Shtëpia Orthodhokse e Shpresës”.
    Në Bularat të Gjirokastrës funksionon konvikti për vajza i shkollës së mesme.
    U është dhënë mbështetje teknike e materiale shumë shkollave publike. Njëkohësisht u riparuan disa ndërtesa të shkatërruara universitare në Tiranë e Gjirokastër, u rikonstruktuan 10 shkolla, midis tyre edhe konviktin e fëmijëve që nuk flasin e nuk dëgjojnë, dhe 6 përkujdesje ditore (kopshte), si edhe sheshi sportiv i Shtëpisë së Fëmijëve “Zyber Hallulli” në Tiranë.

Veprimtari e gjerë sociale

 

 
    Gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar vendi (1992, 94, 97), Kisha Orthodhokse e Shqipërisë ka zhvilluar një veprimtari të gjerë sociale dhe humanitare, duke siguruar dhe shpërndarë mijëra tonë ushqime, veshmbathje, ilaçe etj., vetëm në vitin 1997 shpërndau 800 tonë ushqime dhe ilaçe.
    Kisha jonë ka përkrahur një numër të madh programesh sociale, ku përfshihen projekte zhvillimi për zonat malore, për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, ndërtime rrugësh e ujësjellësash, programe shëndeti dhe shoqërizimi për gratë në zonat rurale, program për edukimin shëndetësor të fëmijëve dhe ngritje qendrash shëndetësore në fshatra, kontributi për shkolla, jetimore, spitale, ndihma për institutet për persona me aftësi të kufizuara, azilet, për të burgosurit (p.sh. u financua ndërtimi i një serre, ku punojnë të burgosurit dhe të ardhurat u shërbejnë atyre, ndërtimi i një fushë lojërash (minikalçeto) dhe kompjutera për të burgosurit), dreka dhe ndihma për të varfrit etj.
    Gjatë vitit 1999, kur vendi ynë priti valët e refugjatëve kosovarë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, në bashkëpunim me donatorë dhe organizma fetare ndërkombëtare (sidomos me programin ACT, të Këshillit Botëror të Kishave) organizoi një program të gjerë ndihme, prej më shumë se 12 milion dollarësh. U bë e mundur t'u qëndrohej afër më shumë se 33 mijë të ardhurve, nga Kosova, me ushqime, veshmbathje, ndihma shtëpiake, mjekësore, strehim (në dy kampe) etj. Kampi i fundit për strehimin e tyre, që u mbyll në qershor 2001, administrohej nga Kisha.
    Kisha Orthodhokse dha kontributin e vet edhe për të ndihmuar banorët e dëmtuar nga përmbytjet e jashtëzakonshme të vitit 2002, në rrethet e Lezhës, Beratit e Gjirokastrës dhe të vitit 2010 në qytetin e Shkodrës.
    Gjatë vitit 2008, pas tragjedisë në fshatin Gërdec, Kisha jonë dha kontributin e saj material dhe njerëzor, që në çastet e para, si dhe bëri thirrje dhe mblodhi ndihma të ndryshme nga besimtarët orthodhoksë brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilat iu shpërndanë të dëmtuarve, si dhe u rindërtua plotësisht kopshti i fshatit Muçaj.

Kontributi për kulturën

 

 


    Eshtë ngritur Zyra e Trashëgimisë Kulturore, e cila merret me objektet orthodhokse të kultit, që janë edhe monumente të kulturës kombëtare, për riparimin e të cilave Kryepiskopi Anastas ka siguruar deri më sot mbi 8 milionë euro.
    U ngritën kore në mjaft kisha, si dhe u formua e funksionon një kor bizantin, që ka nxjerrë tashmë 6 kaseta/CD. Gjithashtu, ka dhe një program për rigjallërimin e muzikës tradicionale kishtare.
Janë ngritur studio për realizimin dhe restaurimin e ikonave, për përgatitjen e një brezi të ri artistësh, që do të rigjallërojë traditën tonë shumë të pasur të ikonografisë.
    Funksionon stacioni radiofonik "Ngjallja", i cili ka filluar transmetimet në vitin 1998, në valët FM 88.5 MHz. Ky stacion ofron programe të ndryshme kulturore, sociale dhe fetare.
   Janë sponsorizuar botime të rëndësishme shkencore, realizimi i filmave dokumentarë, organizimi i simpoziumeve shkencore, ekspozitave të ndryshme si ato ikonografike, me punime të fëmijëve etj.

Kujdesi për mjedisin

 


    Në marsin e vitit 2001 filloi "Programi për ruajtjen e mjedisit dhe përgatitjen e kuadrove". Ai përfshiu edhe formimin pasuniversitar të të rinjve shqiptarë, të diplomuar në biologji, inxhinieri pyjore dhe të mjedisit.

    Programi përgatiti realizimin e projekteve për mbrojtjen e disa ekosistemeve të zonës së Zvërnecit, rrjedhës së Vjosës dhe parkut të Llogarasë, si dhe për administrimin e mbeturinave të ngurta në disa qytete.

 

Marrëdhëniet ndërkombëtare

 

 
    Kisha jonë merr pjesë si e barabartë në jetën dhe veprimtaritë e Kishave Orthodhokse në tërë botë.
Ajo është anëtare e Konferencës Evropiane të Kishave (Kryepiskopi Anastas ishte zgjedhur zëvendëspresident për periudhën 2003-2009), anëtare e Këshillit Botëror të Kishave (në vitin 2006 Kryepiskopi Anastas u zgjodh një nga tetë Presidentët i tij), dhe e organizatës më të madhe ndërfetare në botë Konferencës së Feve për Paqen (Fortlumturia e Tij Anastasi u zgjodh në vitin 2006 President Nderi i saj), duke qënë kështu e pranishme në veprimtari të ndryshme ekumenike dhe duke kontribuar në përpjekjet për bashkëpunim paqësor dhe solidaritet në rajonin tonë dhe më gjerë.