AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 21

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 21

  1. Edhe pashë një qiell të ri edhe një dhe të ri; sepse qielli i parë edhe dheu i parë shkoi; dhe deti nuk është më.
  2. Edhe unë Joani pashë duke zbritur prej qiellit nga Perëndia qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e saj.
  3. Edhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: Ja tenda e Perëndisë bashkë me njerëzit, dhe do të rrijë bashkë me ata, dhe ata do të jenë populli i tij, dhe Perëndia vetë do të jetë bashkë me ata.
  4. Edhe do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre, dhe vdekja nuk do të jetë më; as vaj, as britmë, as dhimbje nuk do të ketë më; sepse të parat shkuan.
  5. Edhe tha ai që kishte ndenjur mbi fron: Ja, të gjitha po i bëj të reja. Edhe më thotë: Shkruaj. Sepse këto fjalë janë të vërteta dhe të besueshme.
  6. Edhe më tha: U bë. Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi. Unë do t’i jap falas nga burimi i ujit të jetës atij që ka etje.
  7. Fitimtari do t’i trashëgojë këto, dhe unë do t’i jem Perëndi, dhe ai do të më jetë bir.
  8. Edhe frikacakët dhe të pabesët dhe të ndyrët dhe vrasësit dhe të përdalët dhe magjistarët dhe idhujtarët e të gjithë gënjeshtarët do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur. Kjo është vdekja e dytë.
  9. Edhe erdhi tek unë një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë shishet e mbushura me të shtatë plagët e fundit, dhe foli bashkë me mua, duke thënë: Eja, do të të tregoj ty nusen, gruan e Qengjit.
  10. Edhe më çoi me shpirt në një mal të madh e të lartë, dhe më tregoi qytetin, Jerusalemin e shenjtë, duke zbritur prej qiellit nga Perëndia,
  11. që kishte lavdinë e Perëndisë; dhe ndriçuesi i tij shembëllente me gur fort të çmueshëm, si me gur diaspri që shkëlqente si kristal.
  12. Edhe kishte një mur të madh e të lartë, kishte edhe dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar përsipër, të cilët janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
  13. Nga lindja, tri porta; nga veriu, tri porta; nga jugu, tri porta; nga perëndimi, tri porta.
  14. Edhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, edhe në to ishin emrat e të dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
  15. Edhe ai që fliste bashkë me mua kishte një kallam të artë, që të maste qytetin dhe portat e tij dhe murin e tij.
  16. Edhe qyteti ishte katror, dhe gjatësia e tij ishte sa gjerësia. Dhe mati qytetin me kallamin, dhe ishte dymbëdhjetë mijë stade. Gjatësia dhe gjerësia e lartësia e tij janë të barabarta.
  17. Edhe mati murin e tij, njëqind e dyzet e katër kut, sipas masës së njeriut, domethënë të engjëllit.
  18. Edhe ndërtimi i murit të tij ishte me diaspër; dhe qyteti ar i kulluar që shembëllente me qelq të kulluar.
  19. Edhe themelet e murit të qytetit ishin stolisur me çdo lloj gurësh të çmuar: themeli i parë diaspër; i dyti, zefir; i treti, kalcedon; i katërti, smerald;
  20. i pesti, sardoniks; i gjashti, sard; i shtati, krizolit; i teti, beril; i nënti, topaz; i dhjeti, krizopas; i njëmbëdhjeti, jacint; i dymbëdhjetti, ametist.
  21. Edhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, dhe secila portë ishte prej një margaritari; dhe udha e qytetit ishte ar i kulluar, si qelq i tejdukshëm.
  22. Edhe tempull nuk pashë në të; sepse tempulli i atij është Zoti, Perëndia i Gjithëpushtetshëm, dhe Qengji.
  23. Edhe qyteti s’ka nevojë për diell, as për hënë, që të ndriçojnë në të; sepse lavdia e Perëndisë e ndriçoi atë, dhe kandili i tij është Qengji.
  24. Edhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
  25. Edhe portat e tij nuk do të mbyllen ditën, sepse natë nuk do të ketë atje.
  26. Edhe do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve në të.
  27. Edhe nuk do të hyjë në të asgjë e fëlliqur dhe kush bën ndyrësi e gënjeshtër; por vetëm ata që janë shkruar në librin e jetës së Qengjit.