Zbulesa 20
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 20
- Edhe pashë një engjëll duke zbritur nga qielli, i cili kishte çelësin e pafundësisë, dhe një varg të madh në dorën e tij.
- Edhe zuri dragoin, gjarpërin e vjetër, i cili është djalli dhe Satanai; dhe e lidhi atë një mijë vjet.
- Edhe e hodhi në pafundësi dhe e mbylli, dhe e vulosi sipër tij, që të mos mashtrojë më kombet, deri sa të mbarojnë të një mijë vjetët; dhe pas këtyre duhet të zgjidhet për pak kohë.
- Edhe pashë frone; dhe ndenjën mbi ata, dhe iu dha atyre të gjykojnë; dhe pashë shpirtrat e atyre që ishin therur për dëshminë e Jisuit, dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk iu falën bishës, as ikonës së saj; dhe nuk morën gërvishtjen mbi ballin e tyre dhe mbi dorën e tyre; dhe ata rrojtën e mbretëruan bashkë me Krishtin të një mijë vjetët.
- Edhe të vdekurit e tjerë nuk u ngjallën, deri sa të mbushen të një mijë vjetët. Kjo është ngjallja e parë.
- I lumtur dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë. Mbi këta vdekja e dytë s’ka pushtet, por do të jenë priftërinj të Perëndisë, dhe do të mbretërojnë bashkë me atë një mijë vjet.
- Edhe kur të mbarojnë të një mijë vjetët, do të zgjidhet Satanai nga burgu i tij.
- Edhe do të dalë të mashtrojë kombet që gjenden në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë, numri i të cilëve është si rëra e detit.
- Edhe u ngjitën mbi gjerësinë e dheut, dhe rrethuan ushtrinë e shenjtorëve, dhe qytetin e dashur; dhe zbriti zjarr prej qiellit nga Perëndia, dhe i hëngri.
- Edhe djalli që i mashtronte ata, u hodh në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku ishte bisha dhe profeti gënjeshtar; dhe do të mundohen ditë e natë, në jetë të jetëve.
- Edhe pashë një fron të bardhë të madh, dhe atë që rrinte mbi të, faqe të cilit iku dheu dhe qielli; dhe nuk u gjet vend për ata.
- Edhe pashë të vdekurit, të vegjël e të mëdhenj, që rrinin përpara Perëndisë, dhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, i cili është i jetës; dhe u gjykuan të vdekurit nga ato që ishin shkruar në librat, sipas veprave të tyre.
- Edhe deti dha të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe hadi dhanë të vdekurit që ishin tek ata; dhe u gjykuan gjithësecili sipas veprave të tyre.
- Edhe vdekja dhe hadi u hodhën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
- Edhe ai që nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u hodh në liqenin e zjarrit.





