AlbanianΕλληνικάEnglish
Search

Zbulesa 19

Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi)
Share

Zbulesa 19

  1. Edhe pastaj dëgjova si zë të madh turme të shumtë në qiell që thoshte: Aliluia, shpëtimi dhe lavdia dhe nderi e fuqia qoftë mbi Perëndinë tonë.
  2. Sepse gjykoi prostitutën e madhe që prishi dhenë me imoralitetin e saj, dhe mori shpagim për gjakun e shërbëtorëve të tij që u derdh prej dorës së saj.
  3. Edhe thanë për së dyti: Aliluia. Edhe tymi i saj ngjitet në jetë të jetëve.
  4. Edhe ranë të njëzet e katër pleqtë dhe të katër shtazët, e iu falën Perëndisë që rrinte mbi fron, duke thënë: Amin. Aliluia.
  5. Edhe doli nga froni një zë që thoshte: Lavdëroni Perëndinë tonë gjithë ju shërbëtorët e tij, ju që e keni frikë atë, të vegjël e të mëdhenj.
  6. Edhe dëgjova si zë turme të shumtë, dhe si zë shumë ujërash, dhe si zë bubullimash të forta, që thoshin: Aliluia. Se mbretëroi Zoti Perëndi i Gjithëpushtetshëm.
  7. Le të gëzohemi, e le të ngazëllohemi, e le t’i japim atij lavdinë, sepse erdhi dasma e Qengjit, dhe gruaja e tij bëri gati veten e saj.
  8. Edhe iu dha asaj të vishet me vishnje të pastër e të ndritshme; sepse vishnja është të drejtat e shenjtorëve.
  9. Edhe më thotë: Shkruaj. Lum ata që janë ftuar në dasmën e Qengjit. Edhe më thotë: Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.
  10. Edhe rashë përpara këmbëve të tij që t’i falem; dhe më thotë: Shiko se mos e bën këtë. Unë jam bashkëpunëtori yt dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jisuit. Perëndisë falju. Sepse dëshmia e Jisuit është fryma e profecisë.
  11. Edhe pashë qiellin të hapur, dhe ja një kalë i bardhë, dhe ai që rrinte mbi të quhej Besnik dhe i Vërtetë, dhe me drejtësi gjykon e lufton.
  12. Edhe sytë e ti ishin si flakë zjarri, dhe mbi kryet e tij kishte shumë kurora; dhe kishte një emër të shkruar, të cilin asnjë s’e di veç atij.
  13. Edhe ishte veshur me një rrobë lyer në gjak; dhe emri i tij quhet: Fjala e Perëndisë.
  14. Edhe ushtritë që ishin në qiell i vinin prapa hipur mbi kuaj të bardhë, dhe veshur me li të bardhë të pastër.
  15. Edhe prej gojës së tij dilte një shpatë e mprehtë, që t’u bjerë kombeve me atë; dhe ai “do t’i kullosë me shkop të hekurt”; dhe ai shkel vaskën e verës së vrerit të zemërimit të Perëndisë së Gjithëpushtetshëm.
  16. Edhe mbi rrobën e mbi kofshën e tij ka të shkruar emrin: Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve.
  17. Edhe pashë një engjëll që rrinte në diell; dhe thërriti me zë të madh, duke u thënë gjithë shpendëve që fluturojnë në mes të qiellit: Ejani mblidhuni në darkën e Perëndisë së madh,
  18. që të hani mishra mbretërish dhe mishra kryemijëshash dhe mishra të fortësh dhe mishra kuajsh e të atyre që kanë ndenjur mbi ata, dhe mishra të të gjithëve, të lirësh e shërbëtorësh, të vegjëlish e të mëdhenjsh.
  19. Edhe pashë bishën dhe mbretërit e dheut, dhe ushtritë e tyre mbledhur, që të bënin luftë me atë që rrinte mbi kalë dhe me ushtrinë e tij.
  20. Edhe u zu bisha, dhe bashkë me të profeti gënjeshtar, ai që bëri shenjat përpara saj, me të cilat mashtroi ata që morën gërvishtjen e bishës, dhe ata që iu falën ikonës së saj. Të gjallë u hodhën që të dy në liqenin e zjarrit që digjet me squfur.
  21. Edhe të tjerët u vranë me shpatën e atij që rrinte mbi kalë, e cila dilte prej gojës së tij; dhe gjithë shpendët u ngopën nga mishrat e tyre.