Zbulesa 14
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 14
- Edhe pashë, dhe ja një Qengj tek rrinte mbi malin Sion, dhe bashkë me të ishin njëqind e dyzet e katër mijë që kishin emrin e Atit të tij të shkruar mbi ballet e tyre.
- Edhe dëgjova një zë nga qielli si zë shumë ujërash, dhe si zë bubullime të madhe; dhe zëri që dëgjova ishte si zë kitaristësh që u binin kitarave të tyre.
- Edhe këndonin një këngë të re përpara fronit dhe përpara të katër shtazëve dhe pleqve; dhe askush s’mund ta mësonte këngën, veç të njëqind e dyzet e katër mijët, që ishin blerë prej dheut.
- Këta janë ata që nuk u ndynë me gra, sepse janë të virgjër; këta janë ata që i shkojnë prapa Qengjit kudo që të shkojë; këta u blenë nga njerëzit, që të jenë fryti i parë tek Perëndia dhe tek Qengji.
- Edhe në gojët e tyre nuk u gjet mashtrim, sepse janë pa të metë.
- Edhe pashë një tjetër engjëll duke fluturuar në mes të qiellit, i cili kishte ungjillin e përjetshëm, që të ungjillëzojë mbi ata që rrinë mbi dhe, dhe mbi çdo komb e farë e gjuhë e popull.
- E thoshte me zë të madh: Kini frikë Zotin, dhe jepini lavdi atij, sepse erdhi ora e gjyqit të tij; dhe faljuni atij që bëri qiellin dhe tokën dhe detin dhe burimet e ujërave.
- Edhe një tjetër engjëll i shkoi pas, e thoshte: Ra, ra Babilona e madhe; sepse ujiti gjithë kombet me verën e zemërimit të prostitucionit të saj.
- Edhe një engjëll i tretë shkoi prapa tyre, duke thënë me zë të madh: Kush t’i falet bishës dhe ikonës së saj, dhe të marrë gërvishtje mbi ballin e tij ose mbi dorën e tij,
- edhe ai do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është derdhur e papërzier në kupën e zemërimit të tij; dhe do të mundohet me zjarr e me squfur përpara engjëjve të shenjtë dhe përpara Qengjit.
- Edhe tymi i mundimit të tyre ngjitet në jetë të jetëve; dhe s’kanë prehje ditë e natë ata që i falen bishës e ikonës së saj dhe ai që merr gërvishtjen e emrit të saj.
- Këtu është durimi i shenjtorëve; këtu janë ata që ruajnë porositë e Perëndisë dhe besimin e Jisuit.
- Edhe dëgjova një zë nga qielli që më thoshte: Shkruaj. Të lumtur që tani janë ata të vdekur që vdesin në Zotin. Po, thotë Shpirti, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ta.
- Edhe pashë, dhe ja një re e bardhë, dhe mbi re kishte ndenjur një që shembëllente me bir njeriu, dhe kishte mbi kryet e tij një kurorë të artë, dhe në dorën e tij një drapër të mprehtë.
- Edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli duke i thirrur me zë të madh atij që kishte ndenjur mbi re: Dërgo draprin tënd dhe korr; sepse erdhi ora të korrësh, sepse u thanë të korrat e dheut.
- Edhe ai që kishte ndenjur mbi re vuri draprin e tij mbi tokë; dhe toka u korr.
- Edhe një tjetër engjëll doli nga tempulli që ishte në qiell, duke pasur edhe ai një drapër të mprehtë.
- Edhe doli nga altari një tjetër engjëll, i cili kishte pushtet mbi zjarrin; dhe i thërriti me zë të madh atij që kishte draprin e mprehtë, duke thënë: Dërgo draprin tënd të mprehtë dhe vil rrushin e vreshtit të dheut, sepse u poq rrushi i tij.
- Edhe engjëlli vuri draprin e tij në tokë, dhe voli vreshtin e tokës, dhe hodhi rrushin në vaskën e madhe të zemërimit të Perëndisë.
- Edhe vaska u shkel jashtë qytetit, dhe doli gjak nga vaska deri tek frerët e kuajve, në një gjatësi prej një mijë e gjashtëqind stadesh.





