Zbulesa 13
| Dhiata e Re - Zbulesa e Joan Teologut (Apokalipsi) |
Zbulesa 13
- Edhe ndenja mbi rërën e detit; dhe pashë një bishë që dilte nga deti, që kishte shtatë krerë e dhjetë brirë; dhe mbi brirët e saj dhjetë kurora, dhe mbi krerët e saj një emër blasfemie.
- Edhe bisha që pashë shembëllente me leopard, dhe këmbët e saj ishin si të ariut, dhe goja e saj si gojë luani; dhe dragoi i dha asaj fuqinë e tij dhe fronin e tij dhe pushtet të madh.
- Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; dhe plaga e saj për vdekje u shërua; dhe gjithë dheu u çudit prapa bishës.
- Edhe iu falën dragoit që i dha pushtet bishës, dhe iu falën bishës, duke thënë: Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë me të?
- Edhe iu dha asaj gojë që flet fjalë të mëdha dhe blasfemira, dhe iu dha asaj pushtet të bëjë luftë dyzet e dy muaj.
- Edhe hapi gojën e saj me blasfemi kundër Perëndisë, që të blasfemojë emrin e tij, dhe tendën e tij, dhe ata që rrinë në qiell.
- Edhe iu dha asaj të bëjë luftë me shenjtorët dhe t’i mundë; dhe iu dha asaj pushtet mbi çdo fis dhe popull dhe gjuhë dhe komb.
- Edhe do t’i falen asaj gjithë ata që rrinë mbi dhe, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit që është therur qëkurse është krijuar bota.
- - Kush ka veshë, le të dëgjojë. -
- Kush të sjellë tjetrin në skllavëri, në skllavëri do të shkojë; kush të vrasë me thikë, ai duhet të vritet me thikë. Këtu është durimi dhe besimi i shenjtorëve.
- Edhe pashë një tjetër bishë që dilte nga dheu, dhe kishte dy brirë që shembëllenin me brirë qengji, dhe fliste si dragua.
- Edhe bënte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj; dhe bënte tokën dhe ata që rrinë mbi të t’i falen bishës së parë, së cilës plaga për vdekje iu shërua.
- Edhe bënte shenja të mëdha, kaq sa edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe përpara njerëzve.
- Edhe mashtronte ata që rrinin mbi dhe me shenjat që iu dhanë asaj të bëjë përpara bishës, e u thoshte atyre që rrinin mbi dhe t’i bëjnë ikonë bishës që kishte plagën e thikës, dhe rroi.
- Edhe iu dha asaj t’i japë frymë ikonës së bishës, aq sa edhe të flasë ikona e bishës, dhe të bëjë që të vriten ata që s’i falen ikonës së bishës.
- Edhe bënte që të gjithë, të vegjlit e të mëdhenjtë, dhe të pasurit dhe të varfërit, dhe të lirët dhe skllevërit, të marrin një gërvishtje mbi dorën e tyre të djathtë, ose mbi ballet e tyre.
- Edhe që të mos mundej ndonjë të blejë ose të shesë, përveç atij që ka gërvishtjen, ose emrin e bishës, ose numrin e emrit të saj.
- Këtu është dituria; ai që ka mend le të bëjë llogari numrin e bishës; sepse është numër njeriu, dhe numri i saj është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.





